Ministrat e jashtëm

Raportimet për sulm të Izraelit në Iran, mblidhet G7-a

G7

Ministrat e Jashtëm të G7-s janë takuar për të diskutuar mbi përgjigjen e tyre ndaj sulmit të mbrëmshëm nga Izraeli ndaj Iranit, ka thënë një ministër britanik.

Mel Stride, ministër i Punës dhe Pensioneve, ka thënë se ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, po diskuton për sulmin me homologët e tij.

“Ne e pranojmë se Izraeli ka të drejtën absolute për të mbrojtur veten dhe në të vërtetë, ne po punonim me Izraelin dhe aleatët e tjerë për të shmangur atë sulm fundjavën e kaluar që Irani bëri ndaj Izraelit”, ka theksuar ai.

“Në të njëjtën kohë, megjithatë, ne mendojmë se depërshkallëzimi është absolutisht thelbësor tani. Dhe mesazhi ynë për të gjithë në rajon, përfshirë Izraelin, është se depërshkallëzimi është vërtet i rëndësishëm”, ka thënë ai tutje për SkyNews.

Izraeli ka kryer një sulm brenda Iranit, kanë thënë zyrtarë amerikanë, një lëvizje kjo që kërcënon ta fusë rajonin në konflikt më të gjerë. Shpërthime janë raportuar mbi qytetet iraniane, Isfahan dhe Tabriz. Megjithatë, Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.