Një sëmundje misterioze që ka prekur diplomatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë viteve të fundit është lidhur më një njësi të inteligjencës ruse, raporton “BBC News”.
Personeli i shpërndarë gjithandej globit i prekur me “Sindromën Havana” ka raportuar simptoma e pashpjegueshme të tilla si marramendja.
Ata mund të jenë shënjestruar nga “armët zanore” ruse, sipas një hetimi nga “The Insider”, “Der Spiegel” dhe “CBS”.
Moska ka mohuar përfshirjen dhe zyrtarët e SHBA-së kanë thënë se nuk ka gjasa ta ketë bërë një fuqi e huaj.
Fenomeni ka marrë emrin nga kryeqyteti i Kubës, Havana – ku është vërejtur rasti i parë në vitin 2016 – edhe pse raporti i ri ka sugjeruar se rasti i parë ka pasur gjasa të ketë ndodhur në Gjermani dy vjet më herët.
Personeli amerikan me këtë sëmundje – duke përfshirë stafin e Shtëpisë së Bardhë, CIA dhe FBI – është ankuar për marramendje, kokëdhembje, vështirësi në përqendrim dhe zhurmë intensive dhe të dhimbshme në vesh.
Për një kohë të gjatë është dyshuar se ata janë prekur nga energjia e drejtpërdrejtë ose valët e vogla të lëshuara nga pajisje të fshehura.
Hetimi i ri nga mediat ka supozuar se operativë nga një njësi e inteligjencës ushtarake ruse – e njohur si 29155 – mund ta ketë shënjestruar trurin e diplomatëve amerikanë me armë që lëshojnë energji të drejtpërdrejtë. Sipas evidencës së hetimit, anëtarët e njësisë kanë qenë në qytete anembanë botës kur personeli amerikan ka raportuar incidentin.
Si pjesë e hetimit, “The Insider” ka raportuar gjithashtu se oficerët e njësisë 29155 ishin shpërblyer për punën e tyre, të lidhur me zhvillimin e “armëve jovdekjeprurëse akustike”.
Sipas njërës prej viktimave, – agjente e FBI-së e njohur si Carrie – ajo ishte goditur nga një forcë e fuqishme në shtëpinë e saj në Floridë në vitin 2021. Ajo kishte ndjerë dhimbje të madhe në veshin e saj të djathtë, i kishte rënë të fikët dhe pastaj ka pasur vazhdimisht probleme me memorie dhe përqendrim.