Botë

Raporti për shëndet mendor e fizik, “kriter” i ri për president të SHBA-së

Donald Trump - Kamala Harris

Kur kanë mbetur më pak se një muaj deri në zgjedhjet presidenciale në SHBA, kandidatja demokrate, Kamala Harris, ka publikuar një raport të mjekut ku përshkruhet në detaje gjendja e saj shëndetësore. Mjeku i Harrisit ka konfirmuar se ajo është në gjendje të duhur fizike dhe mendore për t’i kryer detyrat si udhëheqëse e shtetit. Ekipi i Harrisit ka vendosur ta publikojë raportin pas hezitimit të kundërkandidatit republikan, Donald Trump, që ta bëjë të njëjtën gjë

Zëvendëspresidentja, njëherësh kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, ka publikuar një letër nga mjeku i saj, e cila thotë se ajo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe të përshtatshme për të ushtruar detyrën në poste të larta.

Mjeku i zëvendëspresidentes, Joshua Simmons, ka thënë se Harris ka mënyrë jetese aktive dhe dietë shumë të shëndetshme, pavarësisht orarit të ngjeshur. Ai po ashtu ka vënë në dukje se ajo vuan nga alergjia, nuk pi duhan dhe pi alkool vetëm me masë.

“Ajo zotëron elasticitetin fizik dhe mendor që kërkohet për të kryer me sukses detyrat e presidencës, duke përfshirë ato si shefe ekzekutive dhe komandante e përgjithshme”, ka shkruar doktori, në letrën e publikuar të shtunën.

Harrisi 59-vjeçare kandidon kundër republikanit 78 vjeçar Donald Trump, për Shtëpinë e Bardhë. Publikimi i raportit të saj mjekësor është përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndaj refuzimit të Trumpit për ta bërë këtë, sipas një këshilltari të Harrisit.

Ekipi që udhëheq fushatën e Harrisit është i etur për të nxjerrë në pah moshën e ish-presidentit që kur ai mbeti kandidati më i moshuar në garë, pasi presidenti Joe Biden, 81 vjeç, u tërhoq nga gara pas performancës së dobët gjatë debatit të parë me Trumpin.

Ekipi i Harrisit shpreson se dallimi në moshë dhe mprehtësia mendore e saj krahasuar me moshën më të shtyrë të Trumpit, së bashku me dallimet në transparencë midis të dyve, do të ndihmojë të bindë votuesit e pavendosur se ajo është më e përshtatshme për postin në Zyrën Ovale.

Një mjek i Shtëpisë së Bardhë pati thënë në vitin 2018 kur Trumpi ishte në detyrë, se ai ishte në përgjithësi në shëndet të shkëlqyer atëherë, por duhej të humbtee peshë dhe të fillonte një rutinë të përditshme ushtrimesh.

Simmons ka thënë po ashtu se alergjitë e Harrisit ishin menaxhuar mirë me medikamente pa recetë dhe me recetë.

“Harris ka qenë në imunoterapi për tri vjetët e fundit, duke përmirësuar në mënyrë dramatike simptomat e saj të alergjisë dhe duke reduktuar nevojën për ilaçe, përveç sprejit të hundës”, ka thënë Simmons.

Në raport po ashtu theksohet se nëna e Harrisit ka pasur problem me kancer të zorrës së trashë.
Ndërkohë, Harris, sipas raportit, ka qenë e kujdesshme në procedurat parandaluese duke kryer me rregull kolonoskopinë dhe mamografitë vjetore. 

Zgjedhjet në SHBA mbahen më 5 nëntor. Gara është bërë më e ashpër ditëve të fundit. Sipas sondazheve, Harrisi prin me fare pak pikë të përqindjes para Trumpit.