Botë

Raporti i fundit i Pentagonit zbulon qindra pamje të reja të UFO-ve

ufo

Raporti i fundit i Pentagonit mbi UFO-t ka zbuluar qindra pamje të reja të fenomeneve ajrore të paidentifikuara dhe të pashpjegueshme, por nuk ka indikacione që sugjerojnë një origjinë jashtëtokësore.

Raporti përfshin qindra raste të balonave, zogjve dhe satelitëve të keqidentifikuar.

Ndërsa nuk ka gjasa të zgjidhë ndonjë debat mbi ekzistencën e jetës jashtëtokësore, raporti pasqyron interesin e shtuar të publikut për këtë temë dhe përpjekjet e qeverisë për të dhënë disa përgjigje.

Përpjekjet për të studiuar dhe identifikuar objektet misterioze janë fokusuar në kërcënimet potenciale për sigurinë kombëtare dhe jo aspektet fantashkencore. Pentagoni më 2022 ka krijuar zyrën për gjurmimin e tyre.

757 raste janë përfshirë në analizën e Pentagonit nga e gjithë bota të cilat ishin raportuar tek autoritetet amerikane nga 1 maji 2023 deri më 1 qershor 2024.

Për afër 300 prej tyre u gjet shpjegim. Shumica e objekteve të paidentifikuara ishin balona, zogj, avionë, dronë ose satelitë.

Qindra raste të tjera mbesin të pashpjegueshme.