Një raketë ruse tokë-ajër shkaktoi rrëzimin e aeroplanit “Azerbaijan Airlines” në Kazakistan të mërkurën paradite, kanë konfirmuar burimet e qeverisë së Azerbajxhanit për “Euronews”.
38 pasagjerë vdiqën të mërkurën pasi fluturimi 8432 u rrëzua teksa tentoi të bënte ulje emergjente pranë qytetit Aktau të Kazakitanit. 29 mbijetuan.
Sipas burimeve, raketa qëlloi aeroplanin kur po fluturonte mbi Groznyn.
Aeroplani i dëmtuar nuk u lejua të ulej në asnjë aeroport rus pavarësisht kërkesave të pilotëve për ulje emergjente dhe u urdhërua të fluturonte përtej Detit Kaspik drejt Aktaut në Kazakistan.
Sipas të dhënave, sistemet e navigimit GPS të aeroplanit u bllokuan gjatë gjithë shtegut të fluturimit mbi det.
Raketa u hodh nga një sistem i mbrojtjes ajrore Pantsir-S, raportoi gazeta ndërkombëtare me bazë në Baku, AnewZ, duke cituar burime të qeverisë së Azerbajxhanit.
Sipas burimeve ruse, në kohën kur aeroplani po kalonte mbi territorin e Çeçenisë, forcat ruse të mbrojtjes ajrore po tentonin në mënyrë aktive të rrëzonin dronët e Ukrainës.
Kreu i Këshillit të Sigurimit të Republikës së Çeçenisë, Khamzat Kadyrov, konfirmoi se sulmi me dron në Grozny ndodhi të mërkurën në mëngjes, duke theksuar se nuk pati viktima apo dëme.
Nëse këto të dhëna paraprake konfirmohen, kjo do të ishte hera e dytë në një dekadë që forcat ruse shkatërrojnë aeroplan komercial, pas rrëzimit të MH17 në Ukrainë. Kësaj radhe, mes viktimave janë edhe vetë qytetarët rusë, si dhe ata nga vendet fqinje.
Hetimi i mëtejshëm për rrëzimin e aeroplanit të djeshëm pritet të zbulojë rrethanat e goditjes së raketës, mosautorizimin për ulje në një aeroport në Rusi dhe udhëzimin për të kaluar detin me një aeroplan të dëmtuar.