Armatimi

Radari ushtarak francez që po kërkohet nga e gjithë bota

Radar ushtarak

Testimi i radarëve në Limours. Foto "Politico"

Rreth 50 kilometra në jug të Parisit, një fabrikë ia ka mësyrë dyfishimit të prodhimit të një prej pajisjeve më të shitura ushtarake të Francës, radarët e mbikëqyrjes ajrore “Ground Master”. Është rezultat i presionit të presidentit Emmanuel Macron për të shtuar prodhimin e mbrojtjes si përgjigje ndaj luftës në Ukrainë dhe nevojës për të përditësuar ushtritë evropiane.

Gjatë fjalimit vjetor para forcave të armatosura, Macroni ka listuar “Thales”, zhvilluesin e sistemit të radarëve, në mesin e kompanive të mbrojtjes që kanë rritur ndjeshëm sasinë e prodhimit në dy vjetët e fundit. 

Por fabrika e “Thalesit” në Limours, qytezë e vogël me rreth 6500 banorë, po përballet me kërkesa të jashtëzakonshme në Evropë dhe po sfidohet me nevojën për zgjerim të fabrikës e punësimit të më shumë njerëzve.

“Që linjat e prodhimit të përballen me rritjen e kërkesës, ne po dyfishojmë stafin dhe jemi në proces të punës në dy ndërrime në vend të njërit që të sigurohemi që të kemi më shumë prodhim në Limours”, ka thënë Yves Descourvieres, që udhëheq prodhimin e radarëve mbikëqyrës.

Këta radarë janë të dizajnuar për të detektuar kërcënimet nga ajri dhe t’i identifikojnë helikopterët, luftaraket tjera e raketat. Po ashtu kanë kapacitetin t’i dallojnë dronët nga zogjtë. Nga Limoursi, radari “GM 400 Alpha” (30 milionë eurosh) mund të mbikëqyrë territor 500 kilometra larg. “GM 200” ka distancë më të shkurtër të mbikëqyrjes.  

“Thales” – kompani e kontrolluar nga shteti dhe prodhuesi i aeroplanëve të luftës “Dassault Aviaton” – është lider në prodhimin e radarëve në Evropë dhe e treta në botë pas “Lockheed Martin” dhe “Raytheon” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo kompani ka shitur 200 radarë të ngjashëm në 32 shtete të botës që nga 2008-a. Prej tyre 40 i ka shitur vetëm më 2023. Ukraina po ashtu ka blerë një sistem “GM 200” vitin e shkuar.

Që kur ka nisur lufta në Ukrainë, Qeveria e Francës ka kërkuar nga kompanitë të prodhojnë armatim më shumë, më shpejt dhe më lirë. Por kjo është e komplikuar, ka shkruar “Politico”. “Është proces i vazhdueshëm. Deri tash, prodhonim rreth 10 radarë në vit, tani caku është 20 në vit”, ka thënë Descourvieres.

Kompania ka shtuar linja prodhimi për t’iu përshtatur kërkesave. Një prej sfidave kryesore është konsideruar punësimi, për shkak se kërkohen inxhinierë me ekspertizë në radio-frekuenca. 

Këta radarë po kërkohen nga e gjithë bota. Klientët e kompanisë franceze përfshijnë edhe shtete të largëta si Indonezia që vitin e shkuar ka blerë 13 “GM Alpha”, Maroku, e shtete më afër në Evropë si Holanda. “Thales” ka fabrika edhe në Danimarkë, Finlandë e Estoni. Muajve të fundit këso sisteme i janë shitur edhe Armenisë e Moldovës.