Coober Pedy nuk është vendbanimi i parë në botë, madje as më i madhi, nëntokësor. Njerëzit janë tërhequr nën tokë për të përballuar klimat sfiduese për mijëra vjet, nga paraardhësit e njerëzve që lanë veglat e punës në një shpellë të Afrikës së Jugut gati dy milionë vjet më parë e deri te Neanderalët që krijuan grumbuj të pashpjegueshëm të stalagmiteve në një shpellë franceze gjatë epokës së akullnajave para 176 mijë vjetësh.
Gjatë rrugës së gjatë drejt pjesës qendrore të Australisë, nja 848 kilometra në veri të Adelaides, mund të shihen disa piramida enigmatike prej rëre. Përreth tyre gjithçka është e shkretë- rërë e pafundme dhe shkurre që shihen herë pas here.
Mirëpo, sapo vazhdohet udhëtimi në autostradë, shfaqen edhe më shumë piramida të tilla misterioze – grumbuj të dheut, të shpërndara vende-vende si monumente të harruara prej kohës. Herë pas here shihen tubat e bardhë që dalin nga toka.
Këto janë shenjat e para të Coober Pedy, qytetit të minierave të opalit që ka popullsi prej 2 mijë e 500 banorësh.
Shumë prej majave të vogla janë mbetje e dekadave të mihjes, por gjithashtu janë prova të një tjetër specialiteti vendas – jetesën në nëntokë.
Në këtë cep të botës, 60 për qind e popullsisë banon në shtëpi të ndërtuara në shkëmbinj ranor të pasur me hekur. Në disa lagje, shenjat e vetme të banimit janë boshtet e ventilimit që ngjiten lart dhe dheu i tepruar që është hedhur pranë hyrjeve.
Në dimër, kjo mënyrë shpellare e jetesës mund të duket thjesht e çuditshme. Mirëpo në një ditë vere, Coober Pedy – e përkthyer nga termi indigjen i Australisë që do të thotë “burrë i bardhë në vrimë” – nuk ka nevojë për shpjegim: Vazhdimisht përballet me temperaturë deri në 52 gradë celsius. Është aq nxehtë sa zogjtë bien nga qielli teksa pajisjet elektronike duhet të ruhen në frigorifer, shkaku i temperaturave ekstreme.
Sivjet, strategjia duket më parashikuese se kurrë më parë. Në muajin korrik, qyteti Chongquing në jugperëndim të Kinës, hapi strehimoren e sulmeve ajrore të ndërtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore shkaku i frikës nga bombardimet e Japonisë, për të strehuar qytetarët nga një kërcënim krejt tjetër: dhjetë ditë të temperaturave që kanë arritur mbi 35 gradë celsius. Shumë të tjerë kanë qëndruar në restorantet në formë të shpellave, të cilat janë fort të popullarizuara në qytet. Ndërkaq, vala e të nxehtit tre mujor në SHBA ka vazhduar me temperatura, të cilave nuk u kanë rezistuar as kaktuset – dhe zjarret kanë bërë shkrumb e hi disa zona të Evropës jugore. Dhe çfarë mund të mësohet nga banorët e Coober Pedyt?
Histori e gjatë
Coober Pedy nuk është vendbanimi i parë në botë, madje as më i madhi, nëntokësor. Njerëzit janë tërhequr nën tokë për të përballuar klimat sfiduese për mijëra vjet, nga paraardhësit e njerëzve që lanë veglat e punës në një shpellë të Afrikës së Jugut gati dy milionë vjet më parë e deri te Neanderalët që krijuan grumbuj të pashpjegueshëm të stalagmiteve në një shpellë franceze gjatë epokës së akullnajave para 176 mijë vjetësh. Edhe shimpanzetë janë vërejtur duke u freskuar në shpella, për t’i përballuar nxehtësisë ekstreme në juglindje të Senegalit.
Shembull tjetër është edhe Cappadocia, qytet i lashtë në qendër të Turqisë. Rajoni ndodhet në pllajën e thatë dhe është i njohur për gjeologjinë mahnitëse, me peizazh majash të skalitura, oxhaqe dhe kunja shkëmbore, si mbretëritë e përrallave. Mirëpo, është në mesin e vendeve njëmend të mahnitshme.
Sipas gojëdhënave, gjithçka ka nisur me zhdukjen e disa pulave. Në vitin 1963, një burrë po kërkonte në bodrumin e shtëpisë së tij, pasi pulat vazhdonin të zhdukeshin. Shpejt e kuptoi se ato po fshiheshin në një vrimë që ai aksidentalisht e kishte hapur dhe pasi e hapi mirë, i përcolli pulat. Nga aty, gjërat u bënë edhe më misterioze. Ai kishte zbuluar një shteg sekret – shteg të pjerrët nëntokësore që të çonte në labirint dhe korridore të shumta. Kjo ishte një nga shumë hyrjet e qytetit të humbur të Derinkuy.
Derinkuyu është vetëm një nga qindra banesat e shpellave dhe disa qytete nëntokësore në zonë, dhe mendohet se është ndërtuar rreth shekullit VIII para Krishtit. Ishte pothuajse vazhdimisht i banuar për mijëvjeçarë – me boshtet e veta të ventilimit, puset, stallat, kishat, depot dhe një rrjet të gjerë shtëpish nëntokësore – dhe u dyfishua si strehë emergjente për deri në 20 mijë njerëz, në rast pushtimi.
Ashtu si në Coober Pedy, jeta nëntokësore u ndihmoi banorëve të rajonit që të përballojnë klimën kontinentale që luhatet mes verës së nxehtë dhe të thatë dhe dimrit të acartë me shumë borë. Teksa jashtë temperaturat mund të arrijnë deri në 30 gradë celsius, në nëntokë temperaturat gjithmonë janë 13 gradë celsius.
Edhe tani, shpellat e krijuara nga njeriu në rajon janë të njohura për aftësitë e tyre pasive të ftohjes - teknikë ndërtimi që përfshin përdorimin e zgjedhjeve të projektimit në vend të energjisë për të reduktuar fitimin dhe humbjen e nxehtësisë. Sot, galeritë dhe pasazhet e lashta të Cappadocias janë të mbushura me mijëra ton patate, limonë, lakra dhe produkte të tjera që përndryshe do të duhej të mbaheshin në frigorifer. Shpellat e tilla janë aq të kërkuara, sa kanë nisur të ndërtohen të reja.
Zgjidhje efektive
Më tej përgjatë rrugës për në Coober Pedy ndodhet qyteti kryesor. Në shikim të parë, mund të ngatërrohet me vendbanim të zakonshëm - rrugët janë me pluhur, dhe ka restorante, bare, supermarkete dhe pika karburanti. Në një kreshtë me pamje nga e gjithë kjo është pema e vetme e qytetit, një skulpturë prej metali. Coober Pedy është çuditërisht bosh. Ndërtesat janë të ndara dhe diçka nuk shkon shumë me gjithçka përreth.
Në Coober Pedy, ndërtesat nëntokësore duhet të jenë të paktën katër metra të thella, për të parandaluar shembjen e çatisë së tyre - dhe nën këtë sasi shkëmbi, është gjithmonë temperatura e butë prej 23 gradë celsius. Ndërsa banorët mbi tokë duhet të durojnë verërat e nxehta si në furrë dhe netët e ftohta të dimrit, ku temperatura ulet rregullisht në 2-3 gradë celsius, shtëpitë nëntokësore mbeten në temperaturë të përkryer të dhomës, 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit.
Përveç rehatisë, avantazh kryesor i jetesës nëntokësore janë paratë. Coober Pedy gjeneron të gjithë energjinë e tij elektrike – 70% e së cilës mundësohet nga era dhe dielli – por përdorimi i ajrit të kondicionuar shpesh është tepër i shtrenjtë. “Për të jetuar mbi tokë, ju paguani një pasuri absolute për ngrohjen dhe ftohjen, kur shpesh është mbi 50 gradë celsius në verë”, thotë banori Jason Wright
Nga ana tjetër, shumë shtëpi nëntokësore në Coober Pedy janë relativisht me çmim të përballueshëm. Në ankandin e fundit, një shtëpi mesatare me tri dhoma gjumi është shitur për 40 mijë dollarë. Megjithëse shumë nga këto prona ishin jashtëzakonisht elementare ose kishin nevojë për rinovim, ka hendek të madh midis këtyre vlerësimeve dhe atyre në qytetin më të afërt të madh, Adelaide, ku çmimi mesatar i shtëpisë është 700 mijë dollarë australianë. Përfitimet e tjera përfshijnë zero insekte – “kur arrini te dera, mizat ikin nga ju, nuk duan të vijnë në errësirë dhe në të ftohtë”, thotë Wright – dhe mungesën e ndotjes së zërit dhe dritës.
Për çudi, stili i jetesës nëntokësore mund të sigurojë gjithashtu njëfarë mbrojtjeje kundër tërmeteve, të cilat Wright i përshkruan si prodhimin e zhurmës vibruese që ngrihet në një kreshendo, pastaj rrotullohet në anën tjetër të gropës. “Ne kemi pasur dy tërmete që kur kam jetuar këtu dhe as që jam trembur”, thotë ai. (Megjithatë, sa të sigurta janë strukturat nëntokësore gjatë aktivitetit sizmik varet tërësisht nga sa të mëdha, komplekse dhe të thella janë ndërtuar ato)
Strukturë ideale
Pyetja është, a mund t'i ndihmojnë shtëpitë nëntokësore njerëzit që të përballojnë efektet e ndryshimeve klimatike nëpër vendet e tjera? Dhe përse këto forma të shtëpive nuk janë të zakonshme?
Ka disa arsye pse bërja e gropave në Coober Pedy është praktikisht unike. I pari është shkëmbi – “Është shumë i butë, mund të groposh me një thikë xhepi ose me thonj”, thotë Barry Lewis, i cili punon në qendrën e informacionit turistik.
Në vitet ‘60 dhe ‘70, banorët e Coober Pedy zgjeruan shtëpitë e tyre në të njëjtën mënyrë që krijuan minierat e opalit - duke përdorur eksplozivë, kazma dhe lopata. Disa nuk bënin shumë gërmime, shumë vendas që përdornin boshtet e braktisura të minierave si pikënisje. Sot ato shpesh gërmohen me pajisje industriale të tuneleve. “Një makinë e mirë për tunele mund të gropojë rreth gjashtë metra kub shkëmb në orë, kështu që ju mund të bëni një gropë në më pak se një muaj”, thotë Wright.
Megjithatë, është ende e mundur të gërmohet me dorë – kështu që kur banorët kanë nevojë për më shumë hapësirë, ata ndonjëherë thjesht fillojnë të gropojnë. Dhe si një zonë e minierës së opalit, nuk është e padëgjuar që një projekt rinovimi të fitojë para. Një burrë zbuloi një diamant të madh në muri kur po vendoste një dush dhe një hotel lokal zbuloi opale me vlerë 1.5 milion dollarë australianë gjatë zgjerimit të hapësirave.
Përktheu: Gent Mehmeti