Autoritetet në qytetin Horlivka të Ukrainës lindore të kontrolluar nga Rusia kanë instaluar pajisje bllokuese në disa nga autobusët lokalë për t'i mbrojtur ata nga sulmet me dronë, kanë thënë zyrtarët për Reuters.
Të paktën një autobus në qytetin e Donjeckut të kontrolluar nga Rusia, u sulmua nga një dron ukrainas këtë muaj, thonë autoritetet e instaluara nga Rusia, dhe tre persona u plagosën në incident.
Pajisjet funksionojnë duke ndërprerë komunikimin e një droni me operatorin e tij, duke e bërë atë më pak të rrezikshëm.
"Ne nuk mund t'i mbrojmë vetë shoferët e autobusëve dhe pasagjerët, kështu që ne kërkuam ndihmë dhe ata na dhanë katër pajisje bllokuese”, ka thënë Vladimir Mironov, pronar dhe menaxher i një depoje autobusi në Horlivka.
"Ne nuk e dimë se sa efektive do të jenë, por është më së shumti që mund të bëjmë për hir të sigurisë për momentin”, ka shtuar ai.
Horlivka ndodhet afër vijës së frontit dhe autoritetet lokale raportojnë në mënyrë rutinore bombardime dhe sulme me dronë.
Donetsk ka qenë nën kontrollin rus që nga viti 2014, por trupat ukrainase vazhdojnë të mbajnë pozicione në periferi të tij dhe qyteti vihet rregullisht nën sulme.
Donetsk është një nga katër rajonet e Ukrainës lindore dhe jugore që Rusia pushtoi pjesërisht dhe e pretendoi si të sajën në vitin 2022, një veprim i dënuar si i paligjshëm nga shumica e vendeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.