Belgorodi ka qenë zona e lëshimit të shumë raketave dhe predhave drejt Ukrainës dhe pikë kyç për forcat pushtuese të Rusisë. Në vitin 2023, pas një viti të sulmeve mbi qytetet dhe qytezat e saj, Ukraina ka ndryshuar taktikën dhe ka zgjeruar operacionet e saj brenda territorit rus, duke e vendosur rajonin e Belgorodit në mes të sulmeve
Rrugë të shkretuara, dyqane të mbyllura dhe restorante të qeta. Ndërtesat e dëmtuara dhe krateret nga goditjet e raketave nëpër rrugë. Shigjeta nëpër muret e shtëpive që e tregojnë rrugën drejt strehimoreve kundër bombave dhe stoqeve me furnizime emergjente.
Qyteti i dikurshëm i qetë i Belgorodit, rreth 25 milje në veri të kufirit të Rusisë me Ukrainën, është shndërruar në qytet fantazmë. Qetësia e tepërt e tij e ndërprerë nga zhurmat e sirenave që paralajmërojnë për sulm me raketa – kujtues që lufta me Ukrainën fqinje është duke u afruar gjithnjë e më shumë.
Raportimet nga rajoni janë komplikuar për shkak të kufizimit të mediave dhe kontrollit të qeverisë mbi lirinë e shtypit. Shumë rusë janë të frikësuar të flasin lirshëm për shkak të frikës nga ndjekja penale.
Pavarësisht kësaj, banorët e Belgorodit kanë ndarë luftën e tyre për të vazhduar drejt të ardhmes së pasigurt të qytetit, ku jeta e përditshme ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të 2022-s.
Belgorodi ka qenë zona e lëshimit të shumë raketave dhe predhave drejt Ukrainës dhe pikë kyçe për forcat pushtuese të Rusisë. Në vitin 2023, pas një viti të sulmeve mbi qytetet dhe qytezat e saj, Ukraina ka ndryshuar taktikën dhe ka zgjeruar operacionet e saj brenda territorit rus, duke e vendosur rajonin e Belgorodit në mes të sulmeve.
Gjatë javëve të fundit, rajoni i Belgorodit ka qenë gati përditë subjekt i sulmeve me predha dhe dronë. Autoritetet ruse fajësojnë Ukrainën dhe raportojnë se kanë ndaluar sulmet, derisa gjithashtu pranojnë dëmet dhe humbjet e shkaktuara nga ata. Rajoni i Belgorodit ka përballuar sulmet kryesore të luftës, në krahasim me rajonet më të largëta ruse, të cilat në përgjithësi nuk janë prekur nga sulmet.
Guvernatori i rajonit të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, ka thënë më 23 mars se 24 njerëz janë vrarë dhe 152 të tjerë janë plagosur vetëm brenda dy javëve.
“Belgorodi i alarmuar”
Në kulm të sulmeve në Belgorod, Timur Khaliullin, organist 36-vjeçar i Filarmonisë së Belgorodit, ka bërë një xhiro me rroshullat e tij nëpër qendrën e shkretuar të qytetit për t’u treguar të tjerëve si dukej ai, në një video të titulluar “Belgorodi i alarmuar”.
Aty, Khaliullin tregon dyert e mbyllura të dyqaneve dhe restoranteve dhe shigjetat drejt strehimoreve, kutitë e emergjencës dhe bodrumet ku rezidentët mund të strehohen.
Teksa arrin në qendër dhe i vendos rroshullat, sirenat fillojnë të dëgjohen. “A e dëgjoni? Kaq e frikshme është zhurma e sirenave. Është alarm për sulme ajrore. Kjo do të thotë se do të ketë sulme tani, unë duhet të strehohem diku”, thotë Khaliullini prapa kamerës.
Ai strehohet në një nga kutitë e zbrazëta të betonit, të pozicionuara përgjatë sheshit, secila e shënjuar me fjalën “Strehimore”. Ekranet e vendosura rreth sheshit i udhëzojnë banorët se si të strehohen saktësisht gjatë sulmeve, ofrojnë udhëzime të dhënies së ndihmës së shpejtë dhe në disa shkruhen edhe fraza me përmbajtje patriotike. Një nga mesazhet thotë: “Vazhdon beteja për Rusinë. Fitorja do të jetë e jona!”
Ndërsa ndalen sirenat, Khaliullini vazhdon shëtitjen e tij, duke filmuar rrugët e zbrazura dhe njerëz duke pritur në stacion të autobusit. Sipas vendasve, ata që udhëtojnë me transport publik shpesh kalojnë orë të tëra duke pritur në stacione për sirenat që tregojnë se gjithçka është në rregull, duke i lejuar autobusët të rikthehen në punë dhe të vazhdojë jeta në qytet – deri në kërcënimin tjetër raketor.
Qyteti nuk është dukur gjithmonë kështu. Duke përshkruar qytetin e saj Belgorod të para luftës, 25-vjeçarja vullnetare Natalia Izotova ka pikturuar një pikturë të bukur. “Është qytet jugor i vogël dhe komod me shumë pemë dhe gjelbërim, ku bëhet shumë nxehtë gjatë verës”, ka thënë ajo. “Është vend aq i qetë dhe i vogël ku të gjithë jetojnë jetën e tyre dhe përpiqen të ndryshojnë diçka për të mirë në çfarëdo mënyre që munden”.
E lindur dhe e rritur në Belgorod, Izotova ka thënë se pa marrë parasysh “frikën e tmerrshme” që e kalon ajo sa herë dëgjon sirenat, ajo heziton të largohet dhe është e lidhur me punën e saj në një qendër bamirësie vendore që ndihmon njerëzit me aftësi të kufizuara. “Ti jeton në një vend shumë të madh të keqkuptimit dhe frikës. Në të njëjtën kohë, nuk dëshiron të largohesh nga qyteti. Por Belgorodi që e mbani mend ju, nuk ekziston më”.
Tani që qyteti është zbrazur, pak njerëz guxojnë të dalin jashtë përveç kur kanë nevojë, ka thënë ajo. “Ata akoma përpiqen të dalin në rrugë, por është duke u bërë i zymtë. Qyteti është duke u bërë si qytet fantazmë”.

Bombardimet vdekjeprurëse
Në mes të marsit, mes sulmeve të përshkallëzuara ukrainase dhe me sirenat paralajmëruese që dëgjohen katër deri pesë herë në ditë, Gladkov, guvernatori rajonal, ka shpallur mbylljen e qendrave tregtare dhe shkollave dhe anulimin e orëve mësimore për dy ditë nëpër disa rajone, duke e përfshirë qytetin e Belgorodit.
Videot nga Belgorodi kanë treguar skena kaosi teksa njerëzit kanë vozitur në mes të tymit dhe makinave të djegura, si dhe ndërtesat e dëmtuara dhe banorët duke u larguar me gjërat e tyre, në mes të zhurmës së eksplodimeve dhe sirenave të sulmeve ajrore.
Trotuari i sheshit kryesor ka shenja të dëmit nga predhat – kujtim i predhës që ka rënë më 30 dhjetor gjatë sulmit më shkatërrues. Janë vendosur lodra dhe lule në shkallë në kujtim të viktimave.
Pas një sulmi ajror të madh në Ukrainë nga Rusia më 29 dhjetor, Kievi i ishte kundërpërgjigjur një ditë më vonë duke shënjestruar rajonin e Belgorodit. Të paktën 25 njerëz janë vrarë, duke përfshirë tre fëmijë dhe 113 të tjerë janë plagosur, ka thënë Gladkovi, duke e bërë këtë sulmin më vdekjeprurës brenda Rusisë që nga fillimi i luftës.
“Kjo është dita më e zymtë që kemi pasur kohëve të fundit”, ka thënë Elizaveta, 24-vjeçare, e cila ka kërkuar të identifikohet vetëm me emrin se saj për shkaqe sigurie. Ajo ka qenë në mesin e dëshmitarëve të sulmit të 30 dhjetorit.
Ndërsa ishte duke dalë nga puna në një dyqan të pijeve afër qendrës së qytetit, ajo ka dëgjuar eksplodime. Në fillim, të gjithë kishin menduar se ishin zhurmat e zakonshme të operacioneve të mbrojtjes ajrore.
“Dhe pastaj kam parë gjithçka: Gjithçka kishe marrë zjarr, ishte mbuluar nga tymi, autobusët kishin ndaluar dhe taksitë nuk ishin duke lëvizur, sepse rrugët ishin bllokuar totalisht”, ka treguar ajo. “Në një pikë, qyteti kishte vdekur, askush nuk e kishte pritur këtë. Shumë njerëz kanë vdekur, i tërë qyteti ka vajtuar dhe vazhdon të vajtojë deri më sot”.
Jeta atje nuk ka qenë e njëjtë që atëherë, ka thënë ajo. Dyqani i saj ka pasur më pak konsumatorë, meqë shumë njerëz janë të frikësuar të dalin nga shtëpitë e tyre.
“Qyteti i pajetë”
Si shumë të tjerë në Belgorod, Elizaveta e ka familjen në Kharkiv, përtej kufirit, me të cilët ajo nuk ka folur që kur janë ndarë në muajt e parë të luftës. Kharkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është prekur nga rritja e sulmeve ruse gjatë kohëve të fundit.
“Këtu në Belgorod, shumë nga ne kemi të afërm në të dy anët e kufirit. Njerëzit nga Belgorodi shpeshherë e kanë vizituar Kharkivin dhe e kundërta. Është vërtetë dëshpëruese të shohësh përçarje të tillë mes njerëzve, që dikur kanë qenë aq të lidhur bashkë”, ka thënë Elizaveta.
“Unë kam mall për rikthimin në normalitet, ku njerëzit ndihen më pak të frikësuar dhe rimarrin një ndjenjë sigurie. Qyteti është i pajetë: kur del në rrugë në çfarëdo ore nuk e sheh askënd ose asnjë automjet, duket sikur je në një ishull të shkretuar”, ka shtuar ajo.
Vasily, menaxher 27-vjeçar i burimeve njerëzore, i cili ka kërkuar të identifikohet vetëm me emër për arsye të njëjta, ka përshkruar një ndjenjë të ankthit që i ndjek bashkëbanorët çdo herë që dalin nga shtëpia, frika nga sulmet me predha ose raketa duke ua rënduar mendjen.
Në fund të marsit, ndërprerjet e shkaktuara nga sulmet ishin bërë aq të parashikueshme saqë vendosja e alarmit të mëngjesit është dukur e panevojshme.
“Nuk ke nevojë as të vendosësh alarm më sepse sikur të jetë e kurdisur, në orën tetë të mëngjesit, ne dëgjojmë alarmin e ndonjë sulmi me predhë, lëshim tjetër i raketës, operacione të mbrojtjes ajrore ose operacione të tjera të lidhura me luftën”, ka thënë Vasily.
Plaçkitjet mes kaosit
Ndërsa situata është përkeqësuar, shërbimet esenciale kanë filluar të përkeqësohen. Dyqanet dhe restorantet kanë mbyllur dyert dhe dërgesat e ushqimit janë bërë gjithnjë e më të rralla. I përballur me realitetin se janë duke jetuar në një zonë konflikti, Vasily, si shumë banorë të tjerë, ka menduar të largohet nga qyteti, por ka vendosur të qëndrojë sepse gruaja e tij është e regjistruar në universitetin vendor.
“Një numër i madh i njerëzve në Belgorod janë duke zgjedhur të lëvizin më larg rajonit ose të dalin jashtë tij, në thelb, kudo çoftë larg kufirit ku mund të jenë më pak të rrezikuar”, ka thënë Vasily.
Ndërsa autoritetet kanë urdhëruar evakuimin gjeneral, Gladkovi ka thënë më 30 mars që 5.000 fëmijë ishin evakuuar në rajone më të sigurta, duke përfshirë St. Petersburgun, Bryanskun dhe Makhachkalan. Në total, autoritetet kanë planifikuar të zhvendosin rreth 9.000 fëmijë në rajone tjera për shkak të bombardimeve të vazhdueshme, kanë raportuar media e shtetit.
Zonat e shkretuara kanë dëshmuar përshkallëzim të krimit. Në fillim të prillit, kreu i distriktit Grayvoron në rajonin e Belgorodit ka alarmuar për rritjen e rasteve të plaçkitjes, me numrin më të madh të rasteve të tilla të raportuara në vendbanimet kufitare të distriktit.
Autoritetet janë përpjekur që atëherë të rikthejnë në kohë territoret përgjatë kufirit për Ditën e Fitores më 9 maj, kur Rusia përkujton fitoren ndaj Gjermanisë Naziste në vitin 1945.
Në ndërkohë, fshatrat kufitare në rajonin Belgorod mbeten të braktisura dhe të rrënuara dhe autoritetet nuk duken se janë në nxitim për t’i inkurajuar banorët të rikthehen në shtëpitë e tyre.
Ndërsa lufta vazhdon, ata që kanë mbetur në Belgorod bëhen më pak optimistë për të ardhmen.
“Duke e konsideruar se Rusia është duke luftuar në atë mënyrë që ajo që mbetet pas është toka e djegur, kam frikë të madhe se vetëm tokë e djegur mund të mbetet nga territori përreth Belgorodit gjithashtu”, ka thënë Vasily.
Izotova ka shprehur një ndjenjë të ngjashme, duke e përshkruar ndjenjën dërrmuese të braktisjes që e ka mbuluar që nga sulmi i 30 dhjetorit – ndjenjë e cila është rritur në javët e fundit.
Në një nga deklaratat e fundit për rajonin e Belgorodit, presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur “mirënjohje” dhe “admirim” për guximin e banorëve dhe u ka premtuar mbështetje atyre dhe rajoneve tjera kufitare.
Pavarësisht kësaj sigurie, sipas Izotovës, shumë banorë të Belgorodit akoma ndihen të neglizhuar nga mediat, autoritetet dhe popullsia e gjerë ruse, e cila duket të mos i kushtojë vëmendje luftës.
Sfidat me të cilat është përballur Belgorodi duket të jenë anashkaluar, ka thënë Izotova, çka ka bërë që edhe ata që e kundërshtojnë luftën të mendojnë se nuk duhet të ketë simpati vetëm për viktimat ukrainase.
“Ndërsa vazhdon të ketë panik, frikë dhe pasiguri, njerëzit janë akoma duke u përpjekur të ofrojnë ndihmë. Mendoj se qëllimi ynë kryesor tani është të ndihmojmë ata që përballen me vështirësi – si ukrainasit ashtu edhe viktimat e konfliktit brenda Rusisë”, ka thënë ajo.
“Është e rëndësishme të mos rrimë të heshtur ose të drejtojmë vëmendjen te krahasimet e vuajtjeve, por më tepër ta pranojmë realitetin e luftës dhe ta mbajmë mend se kush e nxiti atë. Rusia është e rrënjosur në pikëllim të përhershëm, duke e përjetuar atë nga brenda, ndërkohë që ua imponon edhe të tjerëve”, ka shtuar Izotova.