Botë

"Kërcënimi i Kinës" po shfaqet në zgjedhje prej Britanisë deri në Australi

Dy finalistët që konkurrojnë për t'u bërë kryeministër të ardhshëm të Britanisë, Liz Truss dhe Rishi Sunak, u përplasën në një debat televiziv muajin e kaluar se kush do të ishte më i ashpër ndaj Kinës. Është një devijim i madh nga qasja “sinofile” e kryeministrit në largim, Boris Johnson, e përqendruar te biznesi dhe pjesë e një forcimi të retorikës anti-Kinë në shumë vende perëndimore dhe demokraci të tjera, si Japonia, që po shfaqet në fushatat zgjedhore

Nuk është vetëm ekonomia. Derisa frika e inflacionit dhe recesionit rëndojnë shumë mendjet e votuesve, një çështje tjetër po shfaqet në fushatat politike nga Britania e Madhe deri në Australi, SHBA dhe më gjerë: "Kërcënimi i Kinës".

Dy finalistët që konkurrojnë për t'u bërë kryeministër të ardhshëm të Britanisë, Liz Truss dhe Rishi Sunak, u përplasën në një debat televiziv muajin e kaluar se kush do të ishte më i ashpër ndaj Kinës.

Është një devijim i madh nga qasja “sinofile” e kryeministrit në largim, Boris Johnson, e përqendruar te biznesi dhe pjesë e një forcimi të retorikës anti-Kinë në shumë vende perëndimore dhe demokraci të tjera, si Japonia, që po shfaqet në fushatat zgjedhore.

Shtetet për vite me radhë kanë kërkuar të balancojnë promovimin e tregtisë dhe investimeve me ekonominë e dytë më të madhe në botë, me shqetësimet në lidhje me projeksionin e Kinës për fuqinë ushtarake, spiunazhin dhe të dhënat e saj të të drejtave të njeriut.

Prishja e baraspeshës

Lavjerrësi po lëkundet drejt këtij të fundit, siç dëshmohet në kundërshtimin e SHBA-së, Evropës, Japonisë dhe Australisë ndaj stërvitjeve kërcënuese ushtarake kineze që pasuan vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan javën e kaluar, dhe paralajmërimeve në rritje nga agjencitë e inteligjencës perëndimore rreth përgjimeve dhe ndërhyrjeve të Pekinit.

Ky ndryshim e ka bërë Kinën një objektiv për politikanët që kërkojnë vota, pasi sondazhet e opinionit tregojnë perceptimet publike në shumë demokraci që po kthehen kundër Kinës. Disa kandidatë fajësojnë Kinën për problemet ekonomike në vend, përveç që përbën kërcënim sigurie për fqinjët e saj dhe botën më gjerë.

Kina u shfaq theksueshëm në zgjedhjet australiane në maj, në të cilat konservatorët, të cilët përfundimisht humbën, u përpoqën ta përshkruanin opozitën si të pavullnetshme për t'i bërë ballë Pekinit.

Rivali në rritje i Amerikës në skenën globale pritet gjithashtu të figurojë në zgjedhjet e kongresit amerikan të kësaj vjeshte, veçanërisht në shtetet industriale të mesperëndimit, shumë kohë pasi ish-presidenti Donald Trump përqafoi një qëndrim të ashpër kundër Kinës.

Image
Trussi, sekretarja e Jashtme britanike dhe kandidatja kryesore në garën për udhëheqje të Partisë Konservatore, ka folur për zgjerimin e asaj që ajo e quan një "rrjet lirie" në mënyrë që demokracitë të mund t'u kundërvihen Kinës dhe Rusisë në mënyrë më efektive

Edhe Evropa po lëkundet në raport me Pekinin

Shumë në Evropë po ribalancojnë gjithashtu qasjen e tyre ndaj Kinës, megjithëse kjo nuk u shfaq ndjeshëm në zgjedhjet në Francë këtë vit dhe në Gjermani në vitin 2021.

Andreas Fulda, analist politik i Universitetit të Nottinghamit i specializuar për Kinë, tha se politikanët britanikë "janë më të qartë për Kinën" sesa fqinjët e tyre evropianë.

“Mbretëria e Bashkuar i ka kushtuar vëmendje asaj që po ndodh në Australi dhe në shumë mënyra debati këtu është shumë përpara Evropës kontinentale”, tha ai.

Trussi, sekretarja e Jashtme britanike dhe kandidatja kryesore në garën për udhëheqje të Partisë Konservatore, ka folur për zgjerimin e asaj që ajo e quan një "rrjet lirie" në mënyrë që demokracitë të mund t'u kundërvihen Kinës dhe Rusisë në mënyrë më efektive. Ajo thotë se do të godasë kompanitë kineze të teknologjisë, si pronarin e TikTok-ut, platformës të videove të shkurtra.

Në rolin e saj si kryediplomatja britanike, Trussi ka kritikuar ashpër lëvizjet ushtarake të Kinës pas vizitës së Pelosit në Tajvan, duke akuzuar Pekinin për një "përshkallëzim agresiv dhe të gjerë" që "kërcënon paqen dhe stabilitetin në rajon".

Sunaku, ish-shefi i Thesarit i Britanisë, është zotuar të mbyllë Institutin Konfuçi të financuar pjesërisht nga Kina, që promovon kulturën dhe gjuhën kineze në universitetet e Mbretërisë së Bashkuar, udhëheq një aleancë ndërkombëtare kundër kërcënimeve kibernetike kineze dhe ndihmon kompanitë dhe universitetet britanike kundër spiunimit kinez.

“Kisha një ndjenjë deja vu që sapo u zhvendosa nga Australia”, tha Ben Bland, drejtor i programit Azi-Paqësor në qendrën e mendimit Chatham House në Londër, i cili më parë ka punuar në Institutin Lowy në Sydney. "Ka një atmosferë të ngjashme me disa politikanë që përpiqen të përdorin kërcënimin e Kinës si një mjet politik të brendshëm".

Blandi përshkroi një ndryshim dramatik në mënyrën se si politikanët flasin për Kinën si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në Australi, nga fokusi në tregtinë dhe lidhjet e biznesit pesë vjet më parë në shikimin e Kinës "përmes prizmit të një kërcënimi për sigurinë kombëtare dhe konkurrencën ekonomike".

Rrezik në ngritje

Në zgjedhjet australiane, konservatorët u shkëputën nga një traditë dypartiake për çështjet kritike të sigurisë kombëtare për të akuzuar Partinë Laburiste të qendrës së majtë se ka të ngjarë të qetësojë Pekinin.

Laburistët, fitorja e të cilëve u dha fund nëntë vjetëve të sundimit konservator, mohuan se do të ndryshonin politikën e tyre ndaj Kinës dhe i kanë quajtur stërvitjet ushtarake të Kinës rreth Tajvanit "disproporcionale dhe destabilizuese".

"Kjo nuk është diçka për të cilën thërret vetëm Australia", tha ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong, duke shtuar se i gjithë rajoni ishte i shqetësuar.

Një sondazh i Institutit Lowy, i publikuar në qershor zbuloi se australianët janë gjithnjë e më të shqetësuar për partnerin më të madh tregtar të vendit të tyre. Tri të katërtat e të anketuarve thanë se ishte të paktën disi e mundshme që Kina do të bëhej një kërcënim ushtarak për Australinë në 20 vitet e ardhshme, me 30 pikë përqindjeje që nga viti 2018.

Një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew në të njëjtin muaj zbuloi se pikëpamjet negative të Kinës janë në ose afër niveleve historike në shumë nga 19 vendet e anketuara në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azi.

Marrëdhëniet midis Londrës dhe Pekinit janë acaruar që kur presidentit Xi Jinping iu lejua një vizitë shtetërore në vitin 2015, ku qeveria e Mbretërisë së Bashkuar shpresonte se do të çimentonte marrëveshjet për t'i dhënë Britanisë një shumë të madhe investimesh dhe Kinës më shumë qasje në tregjet evropiane.

Johnsoni, i cili mori pushtetin në vitin 2019, theksoi gjithmonë se ai nuk ishte një "sinofob i gjunjëzuar", por nën presionin e SHBA-së, qeveria e tij përjashtoi firmat kineze nga rrjeti i komunikimit 5G në Mbretërinë e Bashkuar. Britania gjithashtu ka mirëpritur mijëra njerëz nga Hong-Kongu ndërsa Pekini shtrëngon liritë në ish-koloninë britanike.

Paralajmërimi i inteligjencës

Kreu i agjencisë së inteligjencës MI6, Richard Moore, tha muajin e kaluar se Kina e ka kapërcyer terrorizmin si prioritetin e saj kryesor, ndërsa spiunët britanikë përpiqen të kuptojnë kërcënimet që mund të përbëjë vetëbesimi në rritje i Pekinit.

“Ky duket si një moment shumë i madh, pas 11 shtatorit”, tha Moore.

SHBA-ja gjithashtu po zhvendos burimet e inteligjencës në Kinë.

Megjithatë, ekspertët kinezë thonë se pjesa më e madhe e retorikës nga politikanët perëndimorë është thjesht çështje e fushatave politike.

Steve Tsangu, drejtor i Institutit të Kinës në Shkollën e Studimeve Orientale dhe Afrikane në Universitetin e Londrës, tha se asnjë kandidat që kërkon të jetë kryeministri i ardhshëm i Britanisë nuk ka artikuluar një politikë koherente për Kinën. Fituesi do të shpallet më 5 shtator pas votimit të Partisë Konservatore.

"Indikacionet janë se fjalët (e Sunakut) mbi politikën e Kinës nuk bazohen në asnjë lloj strategjie", tha Tsangu. As Trussi nuk ka artikuluar një strategji të duhur për Kinën, pavarësisht se është sekretarja aktuale e Jashtme.

Kina është joshur kundër armiqësisë në rritje.

“Unë do të doja t'ua bëja të qartë disa politikanëve britanikë se komentet e papërgjegjshme për Kinën, duke përfshirë hipotezën e të ashtuquajturit 'kërcënim kinez', nuk mund të zgjidhin problemet e dikujt", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian pas debatit Sunak-Truss.

Amerikanët më të zëshëm

Në Shtetet e Bashkuara, të dyja partitë kryesore politike janë kritikuar kundër Kinës gjatë fushatës, veçanërisht në perëndimin e mesëm, ku importet kineze fajësohen për humbjen e vendeve të punës në prodhim.

Kandidati republikan për Senatin e Pensilvanisë, Mehmet Oz, bëri mijëra reklama televizive këtë pranverë që përmendnin Kinën. Në Ohio, kandidati demokrat i Senatit, Tim Ryan, deklaroi në një reklamë: "Jemi ne kundër Kinës".

Sondazhet sugjerojnë se as Kina, as politika e jashtme në përgjithësi, nuk janë një çështje kryesore për shumicën e votuesve amerikanë. Por strategët politikë besojnë se Kina ka të ngjarë të mbetet një çështje e fuqishme politike në zgjedhjet e nëntorit të Kongresit të SHBA-së, pasi kandidatët kërkojnë të lidhin Kinën me sfidat ekonomike të Amerikës.

Në Azi, ajo ka qenë më e nuancuar.

Votuesit japonezë janë bërë më mbështetës për një ushtri më të fortë pas pushtimit rus të Ukrainës dhe tensioneve në rritje mbi Tajvanin.

Në votimin presidencial në Korenë e Jugut në mars, kandidatët ndryshuan se si të menaxhonin rivalitetin në rritje midis dy partnerëve të rëndësishëm, Kinës dhe SHBA-së.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i cili fitoi ngushtë, u zotua të ndërtonte një aleancë më të fortë me SHBA-në, ndërsa kundërshtari i tij liberal argumentoi për qasje balancuese. Por që nga marrja e detyrës në maj, Yoon ka shmangur mërzitjen e Kinës, një treg i rëndësishëm eksporti.

Ai nuk e takoi Pelosin kur ajo erdhi në Korenë e Jugut nga Tajvani, megjithëse foli me të në telefon dhe qeveria e tij është përmbajtur të kritikojë lëvizjet ushtarake kineze rreth ishullit vetëqeverisës.

Përktheu: Forca Jashari