Botë

“Heronjtë”, që iu kundërvunë Trumpit, u përballën me kërcënime

Seanca dëgjimore u përshkua gjatë gjithë kohës me rrëfimet e sulmeve personale me të cilat u përballën zyrtarët shtetërorë dhe lokalë. Kryetari i Dhomës Republikane të Arizonës, Rusty Bowers, tha se iu nënshtrua një fushate shpifjeje publike duke përfshirë protesta të pamëshirshme para shtëpisë së tij dhe kërcënimin nga një burrë me pistoletë që përqeshte familjen dhe fqinjët e tij

Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve i 6 Janarit dëgjoi dëshminë rrëqethëse dhe me përlotje dëshmitarësh të martën për presionin e pamëshirshëm të Donald Trumpit për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Dëshmitarët thanë se u përballën me kërcënime të përhapura për sulmin ndaj "shtyllës kurrizore të demokracisë sonë". Me kërcënime u përballën edhe punonjësit e zgjedhjeve dhe zyrtarët lokalë që kundërshtuan kërkesat e presidentit të mposhtur, pavarësisht nga rreziqet personale.

Ndërmjet dy zjarreve

Paneli që po heton sulmin e 6 Janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së u përqendrua në përpjekjet e Trumpit për të zhbërë fitoren e Joe Bidenit në zona lokale duke u mbështetur në mënyrë të përsëritur te zyrtarët publikë në shtetet kyç të fushëbetejës, me propozime tronditëse për të refuzuar plotësisht fletëvotimet ose për të dorëzuar zgjedhësit alternativë për numërimin përfundimtar në Kongres.

Presioni i profilit të lartë, i përshkruar si potencialisht i paligjshëm, u ushqye nga pretendimet e rreme të presidentit për kurdisje rezultatesh që, paneli thotë, u përhapën në mënyrë të rrezikshme në shtete dhe përfundimisht çoi drejtpërdrejt në kryengritjen vdekjeprurëse në Kapitol.

“Një grusht zyrtarësh zgjedhorë në disa shtete kyç qëndruan midis Donald Trumpit dhe përmbysjes së demokracisë amerikane”, tha kryetari Bennie Thompson, duke i vlerësuar ata si heronj dhe “shtylla kurrizore e demokracisë sonë”.

Image
Paneli këmbënguli se gënjeshtrat e Trumpit për zgjedhjet kërcënojnë demokracinë edhe sot e kësaj dite, pasi zyrtarët lokalë përballen me kërcënime të vazhdueshme derisa mundohen të kryejnë punët e tyre

Seanca dëgjimore u përshkua gjatë gjithë kohës me rrëfimet e sulmeve personale me të cilat u përballën zyrtarët shtetërorë dhe lokalë.

Kryetari i Dhomës Republikane të Arizonës, Rusty Bowers, tha se iu nënshtrua një fushate shpifjeje publike, duke përfshirë protesta të pamëshirshme para shtëpisë së tij dhe kërcënimin nga një burrë me pistoletë që përqeshte familjen dhe fqinjët e tij.

Njollosja publike

Zyrtarët në Michigan, Pensilvani dhe shtete të tjera treguan histori të ngjashme për përhapjen publike të numrave të tyre të celularëve dhe adresave të shtëpisë pasi ata refuzuan kërkesat e Trumpit.

Në një moment tronditës, dy punonjëse zgjedhore në Gjeorgji, një nënë dhe bijë, dëshmuan se jetonin me frikën e thënies së emrave të tyre me zë të lartë pasi Trumpi i akuzoi gabimisht për mashtrim të votuesve.

"Kishte shumë kërcënime që dëshironin vdekjen time", tha Wandrea ArShaye "Shaye" Moss, ish-punonjëse e zgjedhjeve shtetërore.

Seanca dëgjimore, e katërta nga paneli këtë muaj, po mbahet pas hetimit njëvjeçar të përpjekjes së paprecedente të Trumpit për të mbetur në pushtet, një skemë e përhapur që kryetari i komitetit të 6 Janarit e ka krahasuar me një "tentativë grusht shteti". Paneli këmbënguli se gënjeshtrat e Trumpit për zgjedhjet kërcënojnë demokracinë edhe sot e kësaj dite, pasi zyrtarët lokalë përballen me kërcënime të vazhdueshme derisa mundohen të kryejnë punët e tyre.

Nënkryetarja e Komitetit, republikania Liz Cheney, iu lut amerikanëve që t'u kushtojnë vëmendje provave të paraqitura, duke deklaruar: "Ne nuk mund ta lejojmë Amerikën të bëhet komb i teorive të konspiracionit dhe dhunës së banditëve".

“Numrat nuk gënjejnë”

Një dëshmitar kyç ishte sekretari republikan i Gjeorgjisë, Brad Raffensperger, i cili dëshmoi në lidhje me telefonatën e Trumpit, duke i kërkuar atij të “gjente 11.780” vota që mund të përmbytnin fitoren e Bidenit në këtë shtet.

Ndërsa komiteti nuk mund ta akuzojë Trumpin për asnjë krim, Departamenti i Drejtësisë po vëzhgon nga afër punën e panelit.

Trumpi mbrojti veten në mediat sociale duke e përshkruar thirrjen e tij telefonike me Raffensperger si "të përsosur”, ngjashëm me mënyrën se si ai e përshkroi telefonatën e vitit 2020 me presidentin e Ukrainës, Volodomyr Zelenskyy, që rezultoi me përpjekjen e parë për shkarkimin e tij.

Dëshmia publike nga Raffenspergeri erdhi disa javë pasi ai u paraqit para një jurie speciale të madhe në Gjeorgji që hetonte nëse Trumpi dhe të tjerët u përpoqën ilegalisht të ndërhynin në zgjedhjet e shtetit të vitit 2020. Raffenspergeri mundi një sfidues të mbështetur nga Trumpi në zgjedhjet paraprake të muajit të kaluar.

Ai dhe Gabe Sterling, shefi i tij i operacioneve, detajuan përpjekjet e tyre të mundimshme për të numëruar votat e Gjeorgjisë, duke u futur në "vrimën e miut", tha ai, duke hetuar një pretendim të rremë pas tjetrit për mashtrim. Pas rinumërimit me dorë të 5 milionë votave, fitorja e Bidenit mbeti e pandryshuar.

"Numrat nuk gënjejnë", tha Raffensperger, duke shtuar se rreth 28.000 votues të Gjeorgjisë thjesht e anashkaluan garën presidenciale, por votuan kundër të tjerëve. "Në fund të ditës presidenti Trump nuk ia doli".

“Presidenti më kërkoi të shkelja ligjin”

Bowers, kryetari i Dhomës së Arizonës, i cili gjithashtu u shfaq personalisht, dëshmoi për atë që filloi me një telefonatë të Trumpit të dielën pasi u kthye nga kisha. Presidenti i mposhtur paraqiti një propozim që shteti të zëvendësojë zgjedhësit për Bidenin me të tjerë që favorizojnë Trumpin.

Unë thashë: “Shiko, ju po më kërkoni të bëj diçka që është në kundërshtim me betimin tim”, dëshmoi Bowers.

Bowersi insistoi të shihte provat e Trumpit për kurdisjen e zgjedhjeve. Ai tha se ekipi i Trumpit nuk i provoi kurrë akuzat e paqarta. Ai kujtoi se avokati i Trumpit, Rudy Giuliani, i tha më vonë: "Ne kemi shumë teori, thjesht nuk kemi prova".

Trumpi donte që Bowersi të mbante një seancë dëgjimore në Kapitolin e shtetit, por udhëheqësi republikan tha se kishte tashmë një atmosferë "cirku" mbi zgjedhjet. Paneli tregoi video-xhirimet e protestuesve të Arizonës duke përfshirë figurë kyç Jacob Chansley me kapelë me brirë, i cili u arrestua më vonë në trazirat e Kapitolit të 6 Janarit 2021.

Megjithatë, Trumpi e shtyu zyrtarin e Arizonës duke i thënë se priste një përgjigje më të mirë nga një koleg republikan.

Por Bowersi tha se për shkak të bindjes së tij, duke përfshirë besimin se Kushtetuta e SHBA-së është e frymëzuar hyjnisht, ajo që presidenti po i kërkonte të bënte ishte "e huaj për vetë qenien time".

Bowersi e quajti përpjekjen e Trumpit një "parodi tragjike".

Shënjestër e presidentit

Me dëshminë personale, Moss, e cila kishte punuar për departamentin e zgjedhjeve të kontesë Fulton të Gjeorgjisë që nga viti 2012, dhe nëna e saj, Ruby Freeman, punonjëse e përkohshme zgjedhore që foli më herët në panel, mbërthyen audiencën me rrëfimet e tyre për pasojat nga fushata shpifëse e Trumpit dhe Giulianit.

"A e dini se si ndiheni kur presidenti i Shteteve të Bashkuara ju shënjestëron?" – pyeti Freeman. “Presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet të përfaqësojë çdo amerikan, jo të synojë një. Por ai më vuri në shënjestër”.

Komiteti i përzgjedhur përshkroi skemën e përpunuar të "zgjedhësve të rremë" të Trumpit që kërkonte të kishte përfaqësues në shtatë fushëbeteja, Arizona, Gjorgjia, Michigan, Pensilvania, Wisconsin, Nevada dhe New Mexico, deklaroi se ai, jo Bideni, kishte fituar shtetet e tyre.

Disa republikanë në Kongres iu përmbajtën skemës në prag të 6 Janarit.

Komiteti shfaqi një mesazh me tekst nga një ndihmës i senatorit Ron Johnson, republikan i Wisoncinit, për një ndihmës të zëvendëspresidentit Mike Pence, mëngjesin e 6 Janarit duke thënë se Johnsoni dëshironte t'i jepte Pencet një "listë alternative të zgjedhësve për Mississipi dhe Wisconsin ”.

"Mos ia jep atë", u përgjigj ndihmësi i Pences, Chris Hodgson. Dhe Johnsoni nuk e bëri, tha një zëdhënëse të martën.

Profesori konservator i së drejtës, John Eastman, avokat i Trumpit, i shtyu elektorët e rremë në javët pas zgjedhjeve. Ideja ishte të sfidohej fitorja e Bidenit kur Kongresi u mblodh më 6 janar me Pencen që kryesonte në atë që zakonisht është një rol ceremonial për të certifikuar zgjedhjet. Trumpi dërgoi mijëra mbështetës të tij në Kapitol për të "luftuar si ferri", ndërsa i bëri presion Pencet që të zhvlerësonte fletëvotimet. Përpjekja përfundimisht dështoi në mes të trazirave vdekjeprurëse, pasi Pence refuzoi kërkesat e Trumpit që ai të mos njihte legjitimitetin e elektorëve.

Përktheu: Forca Jashari