Botë

Qeveria e Sllovenisë miraton njohjen e shtetit palestinez, e dërgon çështjen në Parlament

Robert Golob - kryeminister i Sllovenise

Foto: Associated Press

Qeveria e Sllovenisë të enjten ka miratuar një mocion për njohjen e shtetit palestinez dhe ka kërkuar nga Parlamenti që ta bëjë të njëjtën gjë, raporton agjencia “AP”. 

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, tha se Qeveria e ka dërguar në Parlament propozimin për njohjen e shtetit palestinez dhe Parlamenti mund të mblidhet javën e ardhshme për ta vendosur këtë. 

“E gjithë bota duhet të veprojë në drejtim të paqes. Rruga për të arritur paqen është një zgjidhje me dy shtete. Vendimi nuk është i drejtuar ndaj askujt, madje as kundër Izraelit, por është mesazh për paqen”, tha Golob. 

Miratimi parlamentar është i nevojshëm që propozimi të hyjë në fuqi. 

Koalicioni qeverisës i Golobit ka një shumicë prej 90 deputetëve në Parlament dhe votimi duhet të jetë formalitet. 

Vendimi i Qeverisë së Sllovenisë vjen vetëm dy ditë pasi Spanja, Norvegjia dhe Irlanda e njohën një shtet palestinez, veprim që u dënua nga Izraeli. 

Sllovenia së pari nisi procesin e njohjes në fillim të majit, por tha se do të presë derisa situata në luftën Izrael – Hamas të përmirësohet. 

Golob tha këtë javë se e përshpejtoj procesin si reagim ndaj sulmeve të fundit të Izraelit në Rafah, që detyroi mbi 1 milion palestinezë që të ikin. 

Mbi 140 shtete e kanë njohur shtetin palestinez – më tepër se dy të tretat e Kombeve të Bashkuara.