Botë

Qeveria e re holandeze do të kërkojë "përjashtim" nga rregullat e BE-së për azilin

Geert Wilders

Geert Wilders

Foto: Associated Press

Qeveria e ardhshme holandeze e udhëhequr nga partia PVV e nacionalistit, Geert Wilders, do të kërkojë të heqë dorë nga rregullat e migracionit të Bashkimit Evropian, me arsyetimin se shteti po përballet me një krizë azili.

Wilders arriti të mërkurën një marrëveshje për të formuar atë që do të jetë qeveria më e djathtë në Holandë në dekada, pothuajse gjashtë muaj pas një fitoreje të madhe zgjedhore, raporton Reuters.

Në planin e saj qeveritar të publikuar herët të enjten, koalicioni katërpartiak thotë se do të synojë "regjimin më të rreptë të azilit" me kontrolle më të forta kufitare dhe rregulla më të ashpra për azilkërkuesit që mbërrijnë në Holandë.

"Një klauzolë e përjashtimit për politikat evropiane të azilit dhe migracionit do t'i dorëzohet Komisionit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë koalicioni në paktin e tij. Është e paqartë nëse një kërkesë e tillë do të pranohet.

Migrimi për motive punësimi gjithashtu do të frenohet dhe pranimi i studentëve të huaj në universitetet holandeze do të bëhet më i rreptë, sipas tyre.

Marrëveshja bashkon PVV-në e Wilders me VVD-në e qendrës së djathtë të kryeministrit në largim Mark Rutte, partinë e re NSC dhe partinë protestuese të fermerëve BBB, në një koalicion me një shumicë të fortë prej 88 vendesh në Dhomën e Ulët prej 150 vendesh.

Është ende e paqartë se kush do të bëhet kryeministër pasi Wilders, i njohur për pikëpamjet e tij të hapura mbi Islamin, në mars u zotua të heqë dorë nga roli në mënyrë që të sillte partnerët e tij të mundshëm të qeverisë në tryezën e bisedimeve.

Wilders ende nuk ka bërë të ditur se kë do të paraqesë për postin e lartë.