Botë

Qetësia e ukrainasve para retorikës amerikane

Sipas një zyrtari të lartë të administratës që foli në kushte anonimiteti për t’i diskutuar bisedimet e brendshme, Shtëpia e Bardhë beson se vënia në pah e shqetësimeve rreth veprimeve të mundshme ushtarake do ta largojë Kremlinin nga ndjekja e idesë së pushtimit të Ukrainës

Në llogoret e Ukrainës lindore, përtej linjave nga disa prej 100 mijë trupave ruse të grumbulluara në veri dhe në lindje të vendit, qetësia e Ivan Skuratovskyit ka arritur buzë mpirjes – edhe pasi plumbi i një snajperi së fundmi vrau një nga 50 burrat nën komandën e tij.

Është një lloj gjëje që ka ndodhur herë pas here gjatë tetë vjetëve që ai është vendosur lart e poshtë vijës së frontit 250 milje – një ushtar në një luftë që nuk e imagjinonte kurrë kur u regjistrua në vitin 2013. Ai mërzitet, ama vdekja dhe konflikti janë bërë pjesë e pashmangshme e jetës së tij.

“Lufta më ka bërë presion e ma ka thyer shpirtin”, ka theksuar 30-vjeçari Skurtatovskyi. “Po bëhem më zemërftohtë; dikush do të thoshte zemërvrarë. Kam një sens të ashpër humori. Është një lloj reagimi mbrojtës ndaj situatave ekstreme”.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se kërcënimi i një pushtimi rus në Ukrainë është më serioz se të tjerët që kanë ardhur e kanë shkuar gjatë gati një dekade të luftës nëpër llogore. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë ka paralajmëruar se një pushtim i gjithanshëm mund të ndodhte çdo ditë, kurse presidenti Joe Biden ka theksuar se “do të ishte mençuri” që amerikanët, përveç diplomatëve thelbësorë, të largoheshin nga Ukraina teksa urdhëroi vendosjen e 1700 trupave në Poloninë fqinje.

Mirëpo, edhe pse retorika nga Uashingtoni po rritet, një ndjenjë qetësie po mbizotëron në shtetin e Evropës Lindore mes ushtarëve dhe qytetarëve, që nga të afërmit e tyre në llogore e deri te presidenti Volodymyr Zelenskyy, i cili bëri fushatë me një premtim për t’i dhënë fund konfliktit.

“Ne po mbrojmë vendin tonë dhe jemi në territorin tonë. Durimi ynë mund të ketë ndikim në provokime, kur ne nuk iu përgjigjemi atyre, ama ne sillemi me dinjitet të madh”, ka thënë Zelenskyy të martën në një paraqitje me presidentin francez Emmanuel Macron.

Teksa valë të ukrainasve u larguan nga shtëpitë e tyre gjatë luftimeve të vitit 2014 që panë Rusinë të aneksonte Gadishullin e Krimesë dhe mbështeti separatistët në provincën lindore të Donbasit, deri më tani njerëzit po qëndrojnë të vendosur në zonat më afër lëvizjeve të trupave ruse.

Qetësia e presidentit

Image

Teksa valë të ukrainasve u larguan nga shtëpitë e tyre gjatë luftimeve të vitit 2014, që panë Rusinë të aneksonte Gadishullin e Krimesë dhe mbështeti separatistët në provincën lindore të Donbasit, deri më tani njerëzit po qëndrojnë të vendosur në zonat më afër lëvizjeve të trupave ruse


Qetësia e shprehur nga Zelenskyy dhe të tjerët, i detyrohet pjesërisht, ndoshta faktit që ata kanë pak kontroll mbi situatën përpara tyre.

Ukraina tejkalohet nga Rusia jo vetëm në numrin e trupave, mirëpo edhe në armë e pajisje, sikurse avionët luftarakë të vendosur aty pranë dhe anijet që manovrojnë në brigje. Asgjë që vendet e NATO-s i kanë ofruar Ukrainës – nga armët antitank të dërguara nga Britania, e deri te 5000 helmetat që erdhën nga Gjermania – nuk i afrohet Rusisë.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë në mënyrë eksplicite se asnjë trupë amerikane nuk do të luftojë në Ukrainë.

Macron, nga ana e tij, foli të martën jo për një pushtim të mundshëm, por për një bllokim të tensionuar që mund të vazhdojë për “javët dhe muajt e ardhshëm”.

Zyrtarët amerikanë besojnë se rreziku është shumë më i menjëhershëm – dhe nuk kanë qenë të trembur për të dhënë alarmin.

“Përpjekja jonë është të sigurojmë se po informojmë publikun amerikan dhe komunitetin global për seriozitetin e këtij kërcënimi”, ka theksuar zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, javën e kaluar kur u pyet për ndryshimin në tonin midis Uashingtonit dhe Kievit. “Nuk mund të flas për motivimin apo arsyetimin e komenteve të lidershipit ukrainas”.

Të dy qeveritë ndajnë të njëjtin motivim, shmangin pushtimin, por mund ta shohin veten duke folur me audienca të ndryshme.

Plani amerikan

Image

Shtëpia e Bardhë beson se vënia në pah e shqetësimeve rreth veprimeve të mundshme ushtarake do ta largojë Kremlinin nga ndjekja e idesë së pushtimit të Ukrainës


Sipas një zyrtari të lartë të administratës që foli në kushte anonimiteti për t’i diskutuar bisedimet e brendshme, Shtëpia e Bardhë beson se vënia në pah e shqetësimeve rreth veprimeve të mundshme ushtarake do ta largojë Kremlinin nga ndjekja e idesë së pushtimit të Ukrainës.

Bideni dhe këshilltarët e tij kanë llogaritur se transmetimi publik i këtyre shqetësimeve, si dhe i detajeve të inteligjencës, ndihmon për të kërkuar sanksione te aleatët evropianë në rast se presidenti rus Vladimir Putin urdhëron një pushtim të mëtejshëm të Ukrainës, ka bërë të ditur zyrtari.

Zelenskyy, ndërkohë, po balancon shqetësimet ushtarake kundër frikës se retorika alarmante mund ta shkatërrojë ekonominë e Ukrainës me pothuajse asnjë të shtënë.

Mesazhet e këtij dueli burojnë nga vlerësimet e ndryshme në të dy vendet për qëllimet e Rusisë, ka thënë Daniel Fried, i cili këshilloi administratën e Xhorxh W. Bush për vendet ish-sovjetike dhe shërbeu si ambasador në Poloni.

“Zelenskyy duket se po mendon për një afat më të gjatë”, tha ai. “Ai duket se është i shqetësuar për efektin e një krize të zgjatur në ekonominë ukrainase. Dhe ai mund të ndiejë se Putini ka më pak gjasa të pushtojë sesa të përpiqet të përdorë kërcënimin e pushtimit për të shkatërruar ekonominë ukrainase”, si dhe për të trembur investitorët e huaj.

“Pra, ai dëshiron të portretizojë një ndjenjë se “ne mund ta kalojmë këtë”, tha Fried.

Administrata e Zelenskyyt është gjithashtu shumë e vetëdijshme se opinioni publik ukrainas është i ndarë se si të trajtohet situata, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëshimet ndaj separatistëve pro-rusë në Lindje.

Kujtimet janë ende të papërpunuara: Yuri Maskirenko, njëri nga ata që u detyrua të largohej nga Krimea pas okupimit, është shprehur se ai mendon që Ukraina nuk duhet të negociojë me Rusinë për statusin e Donbasit, ose ndryshe “njerëzit do të dalin në rrugë dhe kjo nuk do të çojë në ndonjë gjë të mirë”.

Nga pikëpamja e tij, Skuratovskyy, i cili kohët e fundit u rikthye me ushtrinë për dy vjet të tjerë, pajtohet me një qasje të fokusuar në diplomaci dhe tha se nuk sheh zgjidhje të armatosur për ngecjen.

“Armët nuk do të zgjidhin ndonjë problem këtu”, ka thënë Skuratovskyy.

Ai flet rregullisht me video-telefonatë nga posti i tij aktual në qytetin Adiivka, provinca Donbas, me gruan e tij, Maryna, në anën tjetër të vendit në qytetin bregdetar të Mykolaiv-it, afër Moldavisë. Maryna ka treguar se momenti i saj më i keq erdhi në vitin 2014, kur ndodhi një shpërthim teksa ai ishte në linjë me të. Shpesh ajo ka menduar se ai nuk mund të arrijë në shtëpi i gjallë.

Mirëpo derisa ajo dhe miqtë në Mykolaiv flasin për mundësinë e luftës, asnjë prej tyre nuk është në panik. Ajo dëshiron që konflikti të përfundojë dhe më në fund të jetë në gjendje të krijojë një shtëpi me burrin e saj.

“Vanya do të ma thoshte nëse diçka do të ndodhte”, është shprehur ajo, duke përdorur një pseudonim të dashur për burrin e saj. "Meqenëse ai nuk e bën, jam e qetë sa i përket kësaj situate”.

Përktheu: Blerta Haxhiu

Image

Ukraina tejkalohet nga Rusia jo vetëm në numrin e trupave, por edhe në armë e pajisje, sikurse avionët luftarakë të vendosur aty pranë dhe anijet që manovrojnë në brigje. Asgjë që vendet e NATO-s i kanë ofruar Ukrainës – nga armët antitank të dërguara nga Britania e deri te 5000 helmetat që erdhën nga Gjermania – nuk i afrohet Rusisë