Botë

“Qantas Airways” do të paguajë 79 milionë dollarë për shitjen e biletave të fluturimeve të anuluara

Qantas Airways

"Qantas Airways" ka rënë dakord që të paguajë gjobën prej 79 milionë dollarëve, si kompensim për shitjen e biletave të mijëra fluturimeve të anuluara, ka njoftuar të hënën kompania ajrore me bazë në Australi.

Komisioni i Konkurrencës dhe Konsumatorit i Australisë paditi kompaninë ajrore në Gjykatën Federale vitin e kaluar. Komisioni pretendon se “Qantas” mashtroi duke shitur bileta për më shumë se 8 mijë fluturime nga maji i 2021-ës deri në korrik të vitit 2022, të cilat tashmë ishin anuluar.

“Qantas” ra dakord që t’i paguante qeverisë australiane gjobën prej 66 milionë dollarëve ndërsa 13 milionë dollarë të tjerë për më shumë se 86 mijë klientët e prekur, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

“Qantas” ka pranuar gjithashtu se kishte vazhduar me shitjen e biletave të fluturimeve të anuluara deri në gusht të vitit të kaluar, më shumë se sa ka pretenduar rregullatori në gjykatë.