Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar rekrutimin e 133 mijë trupave të rinj në fazën e re tw rekrutimit që fillon më 1 tetor dhe vazhdon deri në fund të vitit, sipas një dekreti të publikuar nga Kremlini.
Dekreti, i botuar nga gazeta ruse e shtetit “Rossiyskaya Gazeta”, bën thirrje për rekrutim të qytetarëve “të moshave 18 deri 30 vjeç, të cilët nuk janë në rezerva dhe që i nënshtrohen rekrutimit në përputhje me Ligjin Federal ... në një shumë prej 133 mijë njerëzish”.
Kreu i zyrës së rekrutimit të Rusisë, Vladimir Tsimlyansky ka thënë se kushtet për t’u rekrutuar mbeten të njëjta: Shërbim 12 mujor në njësitë ushtarake në Rusi.
“Dua të theksoj se rekrutëve nuk do t‘u kërkohet të marrin pjesë në operacionin ushtarak special në rajonet e reja”, ka cituar Tsimlyanskyn gazeta “Rossiyskaya”.
Rusia e quan luftën në Ukrainë, të cilën e ka filluar në shkurt të vitit 2022, operacion ushtarak special. Kievi dhe aleatët e tij e quajnë përpjekje të paprovokuar e imperialiste për t’ia rrëmbyer tokën.
Në një lëvizje të dënuar nga shumica e vendeve të Perëndimit, Rusia ka aneksuar pjesë të Ukrainës juglindore në fund të vitit 2022, duke i quajtur tokat “rajone të reja”, raporton Reuters.
Duke përmendur kërcënimet në rritje në kufijtë perëndimorë të Rusisë, Putini në shtator ka urdhëruar që ushtrisë ruse t’i shtohen edhe 180 mijë trupa në një total prej 1.5 milionë ushtarakëve aktivë, një lëvizje që do t’ia bënte ushtrinë të dytën më të madhen në botë pas asaj të Kinës.