Botë

Putini takohet me Assadin, bisedojnë për situatën në Lindjen e Mesme

Bashar al Assad dhe Vladimir Putin

Bashar al Assad dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pritur në Moskë presidentin sirian, Bashar al Assad, për të diskutuar çështje që prekin vendet e tyre, sipas autoritetet ruse të enjten.

Kremlini ka bërë të ditur se takimi i Putinit dhe Asadit u zhvillua të mërkurën, raporton AP.

“Më intereson shumë mendimi juaj se si po zhvillohet situata në rajon në tërësi”, ka thënë Putini në lidhje me çështjet aktuale me të cilat përballet Lindja e Mesme.

“Fatkeqësisht, ka një tendencë drejt përshkallëzimit, ne mund ta shohim këtë. Kjo vlen edhe drejtpërdrejt për Sirinë”, ka shtuar ai.

Putin dhe Assad u takuan për herë të fundit në mars të vitit 2023 në Kremlin, në përvjetorin e kryengritjes 12-vjeçare të Sirisë, e kthyer në luftë civile.

Në atë takim, Putini kishte theksuar rolin e ushtrisë ruse në stabilizimin e vendit.

Rusia ka zhvilluar një fushatë ushtarake në Siri që nga shtatori i vitit 2015, duke u bashkuar me Iranin për të lejuar qeverinë e Asadit të luftojë grupet e armatosura të opozitës dhe të rimarrë kontrollin mbi pjesën më të madhe të vendit.

Ndërsa Rusia tani përqendron pjesën më të madhe të burimeve të saj ushtarake në Ukrainë, ajo ka ruajtur një bazë ushtarake në Siri dhe mban trupa në bazat e saj atje.