Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka shpallur të shtunën armëpushimin e Pashkëve në luftën në Ukrainë, duke nisur nga mbrëmja e sotme e deri në mesnatën e së dielës.
“Sot deri në mesnatën e së dielës, pala ruse shpall armëpushimin e Pashkëve”, ka thënë Putini në një koment televiziv teksa ka folur me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov. “Urdhëroj që të gjitha veprimet ushtarake të ndalen për këtë periudhë”.
Putini ka shtuar se pret që edhe pala ukrainase të veprojë njëjtë.
“Në të njëjtën kohë, trupat tona duhet të përgatiten për përgjigje në rast të shkeljeve të mundshme të armëpushimit dhe provokimeve nga armiqtë”, ka shtuar ai.
Përveç njoftimit për armëpushimin 30-orësh të Pashkëve, presidenti rus, Vladimir Putin, gjithashtu ka akuzuar Ukrainën se nuk i ka respektuar kushtet e marrëveshjes së armëpushimit mbi infrastrukturën energjetike, raporton BBC.
“E dimë se regjimi i Kievit e ka shkelur marrëveshjen e mos-sulmimit të infrastrukturës energjetike më shumë se 100 herë”, ka thënë Putin.
Të dyja palët u pajtuan në fund të muajit mars për të ndaluar sulmet në infrastrukturën kritike energjetike për një afat 30-ditor Si Rusia ashtu dhe Ukraina kanë hedhur akuza ndaj njëra-tjetrës për injorim të marrëveshjes në shumë raste.
Zelensky thotë se Rusia s’po i ndal sulmet pavarësisht “armëpushimit të Pashkëve”
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia po vazhdon sulmet ushtarake në Ukrainë, pavarësisht shpalljes së një “armëpushimi të Pashkëve”.
“Tek po flasim, sipas raporteve të shtabit të përgjithshëm, operacionet ushtarake sulmuese ruse po vazhdojnë në disa sektorë të frontit dhe artileria ruse nuk është ndalur”, ka shkruar ai mbrëmjen e së shtunës vonë në “X”. “Prandaj, nuk duhet t’u besohet fjalëve që vijnë nga Moska”.
Ai ka përsëritur që Rusia ka refuzuar muajin e shkuar propozimin amerikan për armëpushim të përgjithshëm 30-ditor.
Zelensky ka shtuar se nëse Moska do të pranonte armëpushim pakushte, Ukraina do të propozonte zgjatjen e tij përtej 20 prillit.
Ukraina për armëpushimin: Putinit s’i besohet
Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrii Sybiha, ka thënë se Kievi mbetet i përkushtuar për armëpushimin 30-ditor. Në një shkrim në X, ai ka bërë thirrje që shtetet të mbesin vigjilente dhe të garantojnë që forcat ruse do të mbajnë armëpushimin.
“Putini tashmë ka bërë deklarata për gatishmërinë e supozuar për një armëpushim. 30 orë në vend të 30 ditëve. Fatkeqësisht, kemi histori të gjatë të deklaratave të tij që s’përkojnë me veprimet. E dimë se fjalëve të tij s’mund t’u besohet dhe ne po presim veprime e jo fjalë”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se Rusia e ka në tavolinë që prej marsit propozimin për armëpushim të plotë dhe pakushte 30-ditor.
“Duam që forcat ruse të ndalin armët në të gjitha drejtimet. Po ashtu u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve tanë dhe komnitetit ndërkombëtar të jenë vigjilentë. Vetëm veprat e jo fjalët e tregojnë të vërtetën: Kjo luftë u nis dhe vazhdon vetëm për shkak të Rusisë”, ka thënë tutje Sybiha.