Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të premten është zotuar se do të urdhërojë “menjëherë” një armëpushim në Ukrainë dhe do të fillojë negociatat, nëse Kievi fillon të tërheqë trupat nga katër rajonet e aneksuara nga Moska në vitin 2022 dhe të heqë dorë nga planet për t’u bashkuar me NATO-n.
Një marrëveshje e tillë nuk është diçka e re për Kievin, i cili dëshiron t’i bashkohet aleancës ushtarake dhe ka kërkuar që Rusia të tërheqë trupat e saj nga i gjithë territori i saj. Deklarimet e Putinit nuk janë komentuar nga zyrtarët ukrainas.
“Ne do ta bëjmë atë menjëherë”, tha Putin në një fjalim në Ministrinë e Jashtme ruse në Moskë.
Zotimi e tij erdhi teksa krerët e Grupit të Shtatë (G7) vendeve kryesore të industrializuara u takuan në Itali dhe ndërsa Zvicra përgatitet të presë shumë liderë botërorë këtë fundjavë, por jo atë të Moskës, në përpjekje për të hartuar hapat e parë drejt paqes në Ukrainë.
Putin ka theksuar se propozimi i tij synon një “zgjidhje përfundimtare” të konfliktit në Ukrainë dhe theksoi se Kremlini është gati t’i fillojë negociatat pa u vonuar.
Kërkesat më thelbësore për paqe që renditi lideri rus përfshinin statusin jo-bërthamor të Ukrainës, kufizimet në forcën e saj ushtarake dhe mbrojtjen e interesave të popullsisë rusisht-folëse në vend.
Sipas tij, të gjitha këto duhet të bëhen pjesë e “marrëveshjeve themelore ndërkombëtare” dhe të gjitha sanksionet perëndimore kundër Rusisë duhet të hiqen.
“Ne po bëjmë thirrje për ta kthyer këtë faqe tragjike të historisë dhe për të filluar rivendosjen, hap pas hapi, të rivendosjes së unitetit midis Rusisë dhe Ukrainës dhe në Evropë në përgjithësi”, tha ai.
Fjalimi i Putinit përfaqëson një rast të rrallë në të cilin ai parashtroi qartë kushtet e tij për përfundimin e luftës në Ukrainë, por nuk përfshin ndonjë kërkesë të re.
Kremlini ka njoftuar më parë se Kievi duhet të njohë fitoret e tij territoriale dhe të heqë dorë nga oferta për t’u bashkuar me NATO-n.
Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet që aneksoi ilegalisht në vitin 2022, por Putini këmbënguli të premten që Kievi duhet të tërhiqet plotësisht prej tyre dhe t’ia dorëzojë Moskës brenda kufijve të tyre administrativë.
Putini e quan vjedhje ngrirjen e aseteve ruse, thotë se s’do të mbetet e pandëshkuar
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka quajtur vjedhje, ngrirjen e aseteve ruse nga Perëndimi dhe është zotuar se kjo nuk do të mbetet pandëshkuar.
“Vendet perëndimore tani kanë ngrirë një pjesë të aseteve ruse dhe rezervave të parave dhe tani po mendojnë për një lloj baze ligjore për t’i përvetësuar plotësisht. Por, pavarësisht nga të gjitha intrigat, vjedhja do të mbetet vjedhje dhe nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”, ka deklaruar Putini të premten në një fjalim në Ministrinë e Jashtme ruse.
Putin ka theksuar se “duke vjedhur asetet ruse, Perëndimi do të bëjnë një hap tjetër drejt shkatërrimit të sistemit”, të cilin sipas tij Rusia e ka krijuar dhe i cili për shumë dekada i ka siguruar prosperitet”, raporton AP.
Sipas tij tani është duke u bërë e qartë për të gjitha vendet, kompanitë dhe fondet sovrane se asetet dhe rezervat e tyre nuk janë të sigurta, si në kuptimin ligjor ashtu edhe në atë ekonomik të fjalës.
Putini ka theksuar se “kushdo mund të jetë i radhës për shpronësimin nga SHBA-ja dhe Perëndimi”.
Vërejtjet e tij erdhën si përgjigje ndaj një marrëveshjeje të Grupit të Shtatë vendeve të industrializuara për një pako huaje prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën duke përdorur asetet e ngrira ruse.