Putini ka thënë se Perëndimi po bënte gjithçka që mundej për t'i shkaktuar disfatë strategjike Rusisë në Ukrainë, ku Moska është e përfshirë në luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi nisi pushtimin e fqinjës së saj vitin e kaluar në atë që e quajti “operacion special ushtarak”.
Presidenti Vladimir Putin ka thënë të premten se plani i tij për vendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi, diçka që e konfirmoi për herë të parë, ishte përkujtim për Perëndimin se nuk do t’i shkaktojë humbje strategjike Rusisë.
Duke folur në Forumin Ekonomik në Shën Petersburg, Putini ka thënë se kokat bërthamore ruse veçse janë vendosur në Bjellorusi, por ka thënë se tani për tani nuk e sheh të nevojshëm përdorimin e armëve bërthamore.
“Siç e dini ne ishim duke negociuar me aleatin tonë Lukashenkon që një pjesë të këtyre armëve bërthamore t’i vendosnim në territorin e Bjellorusisë dhe kjo ka ndodhur”, ka thënë Putini.
“Kokat e para bërthamore janë dërguar në Bjellorusi, por këto do të jenë vetëm të parat. Krejt plani do të përfundojë në fund të verës ose në fund të vitit”, ka shtuar Putini.
Kjo ishte zhvendosja e parë e kokave bërthamore të Moskës – armë me rreze të shkurtër veprimi që mund të përdoren në luftë – jashtë territorit të Rusisë që prej rënies së Bashkimit Sovjetik. Sipas Putinit, është paralajmërim për Perëndimin që po armatos dhe përkrah Ukrainën.
“Është pikërisht element parandalues me qëllim që të gjithë ata që mendojnë se do të na shkaktojnë disfatën strategjike, të mos e harrojnë këtë rrethanë”, ka thënë Putini, duke përdorur terma diplomatikë.
Lukashenko, kukull e Putinit, ka thënë të martën se shteti i tij ka nisur të marrë armët bërthamore, të cilat, sipas tij, janë tri herë më të fuqishme se bombat amerikane që ranë në Japoni në vitin 1945.
Në muajin mars, lideri rus kishte njoftuar për marrëveshjen që të dërgonte armët bërthamore në Bjellorusi, duke u arsyetuar se edhe SHBA-ja po vendoste armë të njëjta në disa shtete evropiane.
Disfata strategjike
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar vendimin e Putinit, por kanë thënë se nuk kanë ndërmend të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj armëve strategjike bërthamore dhe nuk kanë parë asnjë shenjë se Rusia po përgatitet të përdorë armët bërthamore.
Megjithatë, lëvizja ruse po vëzhgohet nga Washingtoni dhe aleatët si dhe nga Kina, e cila ka paralajmëruar vazhdimisht kundër përdorimit të armëve bërthamore në luftën në Ukrainë.
Putini ka thënë se Perëndimi po bënte gjithçka që mundej për t'i shkaktuar disfatë strategjike Rusisë në Ukrainë, ku Moska është e përfshirë në luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi nisi pushtimin e fqinjës së saj vitin e kaluar në atë që e quajti “operacion special ushtarak”.
Mirëpo, Rusia nuk ka nevojë të përdorë armët bërthamore për momentin, ka insistuar Putini, duke sinjalizuar se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Moskës, e cila parashikon lëvizje të tillë vetëm nëse kërcënohet ekzistenca e shtetit rus.
“Armët bërthamore janë bërë për të garantuar sigurinë tonë në kuptimin më të gjerë të fjalës dhe ekzistencën e shtetit rus, por ne nuk kemi nevojë të tillë (për t'i përdorur ato)”, ka thënë Putini.
Por ai ka shtuar se bisedimet me Perëndimin për të reduktuar arsenalin e madh bërthamor të Rusisë, më i madhi në botë, nuk janë as në fazat fillestare.
“Vetëm duke folur për këtë (përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore) ul pragun bërthamor. Ne kemi më shumë se vendet e NATO-s dhe ata duan të zvogëlojnë numrin tonë”, ka thënë Putini.
Duke tingëlluar sfidues teksa iu drejtua elitës politike dhe të biznesit të vendit të tij, ai ka thënë se kundërofensiva ukrainase kundër forcave ruse në Ukrainë nuk kishte pasur deri më tani ndonjë sukses domethënës. Forcat e Kievit po pësonin humbje të mëdha dhe nuk kishin “asnjë shans” kundër ushtrisë ruse, ka pretenduar ai.
Ukraina së shpejti do të mbesë pa pajisjet e veta ushtarake, duke e bërë atë të varur plotësisht nga pajisjet e ofruara nga Perëndimi, duke minuar aftësinë e saj për të luftuar për kohë të gjatë, ka parashikuar Putini.
Duke kujtuar objektivat e tij të deklaruara në fillim të luftës për të “çmilitarizuar” dhe “denazifikuar” Ukrainën, Putin ka thënë se “sa i përket demilitarizimit, së shpejti Ukraina do të ndalojë së përdoruri pajisjet e veta. Nuk do t’i mbesë asgjë. Gjithçka mbi të cilën ata luftojnë dhe gjithçka që ata përdorin është sjellë nga jashtë. Epo, nuk mund të luftosh kështu për kohë më të gjatë”.
Putini kundër F-16
Analistët e pavarur ushtarakë thonë se Ukraina ka tejkaluar ushtrinë shumë më të madhe të Rusisë në gati 16 muaj luftë, duke e detyruar atë të tërhiqet nga qytetet Kiev, Kharkiv dhe Kherson.
Shefat ushtarakë të Ukrainës kanë deklaruar të premten se trupat ukrainase që po avanconin po përballen me “rezistencë të dobët” nga forcat ruse rreth qytetit Bakhmut, të cilin Rusia e pushtoi muajin e kaluar pas betejës më të gjatë të luftës.
Ukraina ka deklaruar se ka rimarrë shtatë fshatra dhe 100 kilometra katrorë në fazat e hershme të kundërofensive të saj.
Mirëpo, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar të premten se forcat e saj kishin zmbrapsur disa kundërsulme nga ushtria ukrainase në lokacione të ndryshme të vijës së frontit në 24 orët e fundit, duke shkaktuar humbje të rënda në forcat e Kievit.
Putini ka thënë se pajisjet e ofruara nga perëndimi, si tanket Leopard të prodhimit gjerman, po shkatërrohen vazhdimisht dhe nëse Kievi armatoset me aeroplanët luftarakë F-16 të prodhuar nga SHBA-ja edhe ata do të shkatërrohen nga forcat ruse.
"F-16 do të digjen gjithashtu, nuk ka dyshim. Por nëse do të vendosen jashtë Ukrainës dhe do të përdoren në operacione luftarake, ne do të duhet të shikojmë se si të përfshihemi dhe ku të angazhojmë ato asete që përdoren në operacionet luftarake kundër nesh”. Kjo, ka thënë ai, përfaqësonte “rrezik serioz” për të tërhequr NATO-n në konflikt.
Përktheu: Gent Mehmeti