Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të hënën se forcat ruse po avancojnë më shpejt se më parë në Ukrainën lindore, duke pushtuar disa kilometra katrorë në ditë, teksa forcat e Moskës janë përpjekur të depërtojnë nëpër linjën mbrojtëse ukrainase.
Këto deklarime Putini i bëri para nxënësve në lindje të Moskës, duke u shprehur se “Rusia ka rikthyer nën kontroll shumë territore”.
“Nuk kemi pasur zhvillim të tillë të ofensivës në Donbas për një kohë të gjatë”, u ka thënë Putini fëmijëve të shkollës fillore në lindje të Moskës. “Tani jemi duke lëvizur përpara rreth 200 ose 300 metra ... Forcat ruse janë duke i rikthyer nën kontrollin tonë territoret jo për 200-300 metra, por kilometra katrorë”.
Forcat ruse, të cilat kontrollojnë 18 për qind të Ukrainës, kanë qenë duke avancuar në Ukrainën lindore që nga dështimi i kundërofensivës së Kievit për të përparuar në vitin 2023.
Pavarësisht inkursionit madhor ukrainas në rajonin rus Kursk më 6 gusht, ushtria ruse më e madhe në numër gjatë javëve të fundit ka qenë duke depërtuar në Ukrainën lindore për ta arritur qytetin strategjikisht të rëndësishëm, Pokrovsk, raporton Reuters.
Blogerët pro-ushtrisë ruse kanë thënë se forcat ruse po luftojnë në qytetet lindore ukrainase Selydove dhe Ukrainsk.
Duke depërtuar në jug drejt qytetit të Kurakhivka, forcat ruse po përpiqen t’i thyejnë linjat mbrojtëse të Ukrainës duke e rritur ndikimin e tyre mbi rrugën Pokrovsk-Donetsk dhe duke e rrethuar një pjesë të territorit, kanë thënë blogerët rusë.
Rusia është duke u përpjekur t’i largojë forcat ukrainase nga rajoni jugor Kursk pas inkursionit ukrainas, i cili është nisur për t’i bërë presion gjeneralëve rusë që t’i largojnë forcat ruse nga pjesët e tjera të lindjes së Ukrainës.