Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia ka sulmuar Ukrainën me 90 raketa dhe 100 dronë gjatë natës të së mërkurës, në përgjigje të sulmeve të Ukrainës me raketa amerikane dhe britanike javën e kaluar.
"Kemi kryer një goditje gjithëpërfshirëse duke përdorur 90 raketa dhe 100 dronë. U goditën 17 objektiva. E përsëris edhe një herë se këto sulme nga ana jonë u zhvilluan edhe në përgjigje ndaj sulmeve të pandërprera në territorin rus nga raketat amerikane ATACMS. Siç është thënë shumë herë, do të ketë gjithmonë një përgjigje nga ana jonë", ka thënë Putin.
Putini ka deklaruar të enjten se Rusia është duke i zgjedhur caqet në Ukrainë që mund të përfshijnë qendra vendimmarrëse në Kiev, raporton BBC.
"Aktualisht, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Ruse janë duke përzgjedhur objektiva për goditje në territorin ukrainas. Këto mund të jenë objekte ushtarake, ndërmarrje të industrisë së mbrojtjes ose qendra vendimmarrëse në Kiev. Për më tepër, regjimi i Kievit ka tentuar vazhdimisht të godasë objektet e rëndësishme shtetërore ruse në Shën Petersburg dhe Moskë dhe këto përpjekje vazhdojnë”, ka shtuar ai.
Ai ka shtuar se Rusia ka lëshuar 100 raketa dhe 466 dronë në Ukrainë gjatë dy ditëve të fundit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë të njëjtat shifra në një deklaratë që bëri të enjten duke thënë se municione të rënda janë përdorur posaçërisht kundër infrastrukturës civile.
Ukraina përdori armët e Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së për të goditur territorin rus për herë të parë javën e kaluar, gjë që shkaktoi sulme hakmarrëse nga Rusia.
LEXO EDHE:
Rusia prodhon 10 herë më shumë raketa se NATO-ja, thotë Putini
Presidenti rus, Vladimir Putin ka dhënë të enjten detaje për prodhimin e armëve të Rusisë.
Duke folur nga një samit në Kazakistan, Putini ka deklaruar se vendi i tij prodhon 10 herë më shumë raketa se të gjitha vendet e NATO-s dhe shtoi se në vitin 2025 prodhimi i tyre i raketave me rreze të gjatë do të rritet me 25-30%, raporton BBC.
Presidenti rus ka thënë gjithashtu se Rusia ka të gatshme për përdorim disa sisteme të tjera të ngjashme me Oreshnik, raketën e re balistike që përdori për të sulmuar Ukrainën javën e kaluar.
Në rast të përdorimit masiv të raketave Oreshnik në një goditje, fuqia e saj do të jetë e krahasueshme me përdorimin e armëve bërthamore, pohoi ai, duke shtuar se ata planifikojnë të vazhdojnë testet luftarake për raketën në përgjigje të "veprimeve të armikut".