Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se është i gatshëm ta diskutojë për luftën në Ukrainë me Donald Trumpin dhe ka sugjeruar se do të ishte ide e mirë që ata dy të takoheshin.
Në komentet e tij të para, qëkur Trumpi paralajmëroi se do t’i shkaktojë dëme ekonomike Rusisë nëse ajo nuk i jep fund luftës në Ukrainë, Putini pati ton dukshëm favorizues ndaj presidentit amerikan.
“Ne u besojmë deklaratave të presidentit aktual për gatishmërinë e tij për të punuar së bashku. Jemi gjithmonë të hapur për këtë dhe të gatshëm për negociata”, i ka thënë Putini një gazetari të televizionit shtetëror rus. “Do të ishte më mirë që ne të takoheshim, bazuar në realitetet e sotme, për të biseduar qetësisht”.
Putini ka vazhduar duke e përshkruar marrëdhënien e tij me Trumpin si “biznesore, pragmatike dhe në mirëbesim”.
Putini ka theksuar gjithashtu se çështja e negociatave me Ukrainën është e ndërlikuar nga fakti se presidenti i saj, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar një dekret që e pengon të zhvillojë bisedime me Putinin.
Në ditët e para që nga inaugurimi i tij, Trumpi ka bërë vazhdimisht thirrje për zgjidhje të shpejtë të luftës në Ukrainë, që tani po i afrohet vitit të tretë të saj, dhe ka shprehur gatishmërinë për të takuar Putinin “menjëherë”.
Përpjekjet fillestare të Trumpit për ta bindur Putinin për të negociuar janë përforcuar nga kërcënimet për të përshkallëzuar presionin mbi ekonominë tashmë të lodhur të Rusisë, duke përfshirë vendosjen e sanksioneve dhe tarifave, nëse Moska nuk arrin të “bëjë marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të enjten në mbrëmje, Trumpi i ka bërë thirrje gjithashtu OPEC-ut të ulë çmimet globale të naftës për të goditur një rrjedhë jetike të të ardhurave për Kremlinin.
“Tani për tani çmimi është mjaft i lartë, sa ajo luftë do të vazhdojë”, u shpreh ai, duke iu referuar pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia dhe duke vënë në dukje se çmimi i lartë i naftës po ndihmon për të mbështetur përpjekjet e Putinit për luftë.
Të ardhurat nga nafta dhe gazi kanë qenë burimi më i rëndësishëm i parave të gatshme për Kremlinin.
Të premten, Putin i ka nënvlerësuar kërcënimet ekonomike të Trumpit, duke thënë se çmimet “tepër” të ulëta të naftës ishin të këqija si për ekonominë amerikane ashtu edhe për atë ruse.
Qasja fillestare e Trumpit është pritur me përgjigje kryesisht të përmbajtur në Moskë, ku zyrtarët po zgjedhin me kujdes fjalët e tyre në lidhje me Trumpin, ndërsa mbajnë qëndrim të vendosur mbi kërkesat e tyre për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ne nuk shohim asgjë të re këtu”, ka thënë sekretari për media i presidentit të Rusisë, Dmitry Peskov, të enjten kur u pyet për ultimatumet ekonomike të Trumpit.
Megjithatë, kërcënimet e Trumpit duket se kanë shkaktuar zhgënjim në mesin e elitës së Moskës.
Një burim në institucionin e politikës së jashtme ruse ka thënë se “Putini nuk i pëlqen kërcënimet publike”. “Ai dëshiron të flasë me të si i barabartë. Është e qartë se çdo marrëveshje do të marrë pak kohë”, ka thënë burimi.
Disa vëzhgues besojnë se udhëheqësi rus mund ta shohë me skepticizëm paralajmërimin ekonomik të Trumpit.
Gjatë gjithë luftës, Putin ka shprehur besimin se ekonomia e Rusisë u ka rezistuar sanksioneve perëndimore më mirë sesa pritej nga shumica e ekonomistëve, brenda dhe jashtë Rusisë.
Pavarësisht këtyre dënimeve, shumë pjesëtarë në elitën e Rusisë besojnë se aftësia e vendit për të përballuar të paktën një vit tjetër konflikti do të thotë se Putini nuk ka gjasa të lejojë ekonominë të ndikojë në vendimet e tij.
Alexandra Prokopenko, ish-zyrtare në Bankën Qendrore Ruse dhe eksperte për ekonominë ruse, shkroi në një artikull të fundit për “Foreign Affairs” se “problemet ekonomike që po ndodhin nuk ka gjasa të mposhtin forcat që e mbajnë Putinin të vendosur për të vazhduar luftën në Ukrainë”.
E në fushën e betejës, Rusia ka bërë përparime graduale, por të qëndrueshme në Ukrainën lindore, pavarësisht viktimave të shumta. Kievi po përballet me krizë personeli, duke bërë që administrata amerikane t’i kërkojë publikisht Ukrainës që ta ulë moshën e mobilizimit ushtarak nga 25 në 18 vjeç.
Presidenti rus përshkroi për herë të fundit pozicionin e tij për bisedimet e paqes në dhjetor, gjatë konferencës së tij vjetore të fundvitit, duke kërkuar që Perëndimi t’i heqë të gjitha sanksionet ndaj Rusisë dhe që Ukraina të tërhiqet nga rajonet e Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhzhias.
Ai gjithashtu këmbënguli që Ukraina të braktiste aspiratat e saj për NATO-n, të bëhet shtet përgjithmonë neutral dhe të zvogëlojë në mënyrë drastike forcat ushtarake.
Mbetet e paqartë se sa do të lëshojë pe Putini për këto kërkesa.
Një burim i informuar mbi diskutimet e nivelit të lartë të Kremlinit rreth taktikave të mundshme të negociatave sugjeroi se Moska ishte kurioze për propozimet e mundshme nga SHBA-ja, por mund të kishte pak interes për nënshkrimin e një marrëveshjeje. Burimi sugjeroi se Moska mund të vazhdojë bisedimet për të zgjatur luftimet duke ndryshuar kushtet e saj për paqen.