Botë

Putini festë për luftën kur ushtria vazhdoi bombardimet

Duke kërkuar ta portretizojë luftën si të drejtë, Putini e parafrazoi Biblën për trupat ruse: “Nuk ka dashuri më të madhe sesa të japësh shpirtin për miqtë”. Ai vazhdoi të këmbëngulte se veprimet e tij ishin të nevojshme për ta parandaluar “gjenocidin”, pretendim i mohuar kategorikisht nga udhëheqësit anembanë globit

Presidenti rus, Vladimir Putin, u shfaq në tubimin e madh të valëvitjes së flamurit në një stadium të Moskës të premten duke i lavdëruar trupat e vendit të tij në terma biblikë, teksa ka vazhduar bombardimi vdekjeprurës në qytetet e Ukrainës.

“Shpatull më shpatull, ata ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin”, ka theksuar Putini për forcat e Kremlinit në një paraqitje të rrallë publike që nga pushtimi tre javë më parë që e bëri Rusinë një të dëbuar mes shteteve dhe shkaktoi protesta kundër luftës në vend. “S’kemi pasur unitet si ky për një kohë të gjatë”, ka shtuar ai në mesin e brohoritjeve nga turma.

Policia e Moskës ka bërë të ditur se më shumë se 200.000 njerëz ishin brenda dhe rreth stadiumit Luzhinki për festimin që shënon përvjetorin e tretë të aneksimit nga Rusia të Gadishullit të Krimesë, të sekuestruar nga Ukraina.

Duke kërkuar ta portretizojë luftën si të drejtë, Putini e parafrazoi Biblën për trupat ruse: “Nuk ka dashuri më të madhe sesa të japësh shpirtin për miqtë”. Ai vazhdoi të këmbëngulte se veprimet e tij ishin të nevojshme për ta parandaluar “gjenocidin”, pretendim i mohuar kategorikisht nga udhëheqësit anembanë globit.

Video të ndryshme të ngjarjes tregonin turmat që brohorisnin me zë të lartë me thirrjet “Rusia!”.

Image

Terri informativ

Disa kanale të Telegramit, kritike ndaj Kremlinit raportuan se studentët dhe punonjësit e institucioneve shtetërore në një numër rajonesh u urdhëruan nga eprorët e tyre të merrnin pjesë në mitingje e koncerte që shënonin përvjetorin e Krimesë. Këto raporte nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Në vazhdën e pushtimit, Kremlini ka shtypur më fort mospajtimin dhe rrjedhën e informacionit, duke arrestuar mijëra protestues kundër luftës, duke i ndaluar faqet si Facebook dhe Twitter, si dhe duke vendosur dënime të ashpra me burg për atë që konsiderohet të jetë raportim i rremë mbi luftë, të cilës Moska i referohet si “operacion special ushtarak”.

Grupi i të drejtave OVD-Info që i monitoron arrestimet politike, ka raportuar se të paktën shtatë gazetarë të pavarur ishin arrestuar para ose gjatë raportimit të ngjarjeve të përvjetorit në Moskë dhe Shën Petersburg.

Teksa qëndronte në skenë me xhaketë blu e jakë të bardhë, Putini foli për afro pesë minuta. Disa njerëz, duke përfshirë edhe prezantuesit në këtë ngjarje, mbanin bluza ose xhaketa me një “Z” – simboli i parë në tanket ruse dhe në automjetet e tjera ushtarake në Ukrainë, i përqafuar nga ata që mbështetin luftën.

Citimi i Biblës nga Putini dhe i një admirali rus të shekullit të 18-të ka pasqyruar fokusin e tij në rritje vitet e fundit, mbi historinë dhe fenë si forca detyruese në shoqërinë post-sovjetike të Rusisë.

Bombardimi i Ukrainës

Tubimi u mbajt ndërkohë që trupat ruse vazhdonin ta godisnin kryeqytetin ukrainas, Kiev, dhe lëshuan një breshri raketash kundër një instalim riparimi të një avioni në aeroportin në periferi të qytetit perëndimor të Lvivit, afër kufirit polak. Aty raportohet se një person është plagosur.

Imazhet satelitore kanë treguar se sulmi kishte shkatërruar një objekt riparimi dhe dukej se ishin dëmtuar edhe dy ndërtesa të tjera. Një varg avionësh luftarakë dukeshin të paprekur, ama një krater i dukshëm u ul para tyre.

Ukraina kishte njoftuar se ka rrëzuar dy nga gjashtë raketat në breshëri, të cilat erdhën nga Deti i Zi.

Sulmi herët në mëngjes ishte goditja më e afërt deri më tani në qendër të Lvivit, i cili është bërë udhëkryq për njerëzit që ikin nga pjesë të tjera të Ukrainës dhe për të tjerët që hyjnë për të ofruar ndihma, ose për t’u bashkuar me luftën. Lufta ka rritur popullsinë e qytetit me rreth 200.000 njerëz.

Qytet pas qyteti përreth Ukrainës, spitalet, shkollat dhe ndërtesat ku njerëzit kërkonin siguri, janë sulmuar. Punonjësit e shpëtimit vazhdonin të kërkojnë nën rrënojat e një teatri që po përdorej si strehë kur u shpërthye nga sulmi ajror rus të mërkurën në qytetin jugor të Mariupolit.

Ludmyla Denisova, komisionarja për të drejtat e njeriut në Parlamentin ukrainas, ka bërë të ditur se të paktën 130 njerëz i kishin mbijetuar këtij shpërthimi.

“Mirëpo, sipas të dhënave tona, ka ende më shumë se 1.300 njerëz në këto bodrume, në këtë strehë për bomba në fakt”, ka thënë Denisova për televizionin ukrainas. “Lutemi që të jenë gjallë, ama deri tani nuk kemi asnjë informacion për ta”.

Breshëritë herët në mëngjes goditën gjithashtu një ndërtesë banimi në lagjen Podil të Kievit, duke vrarë të paktën një person, sipas shërbimeve të urgjencës, të cilët thanë se 98 persona u evakuuan nga ndërtesa. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka njoftuar se 19 u plagosën nga bombardimet.

Dy të tjerë u vranë kur sulmet goditën ndërtesat e banimit dhe administrative në qytetin lindor të Kramatorskit, sipas guvernatorit rajonal, Pavlo Kyrylenko.

Image

Kriza me refugjatë

Sipas vlerësimeve të OKB-së, luftimet kanë bërë që afro 3.3 milionë njerëz të largohen nga Ukraina. Numri i të vdekurve mbetet i paqartë, megjithëse mijëra civilë dhe ushtarë nga të dyja palët besohet se janë vrarë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë të ditur se mbrojtja e Ukrainës ka rezultuar shumë më e fortë, sesa pritej dhe Rusia “nuk e dinte se çfarë kishim për mbrojtje ose se si u përgatitëm për ta përballuar goditjen”.

Udhëheqësit botërorë kanë kërkuar që Rusia të hetohet për krime të mundshme lufte lidhur me sulmet e saj ndaj civilëve. Organizata Botërore e Shëndetësisë vuri në pah se ka konfirmuar 43 sulme në spitale dhe objekte të tjera të kujdesit shëndetësor, me 12 të vrarë.

Si Ukraina ashtu edhe Rusia raportuan këtë javë për përparim në negociata. Në fillim të kësaj jave, një zyrtar në zyrën e Zelenskyyt, duke folur në kushte anonimiteti për të diskutuar bisedimet e ndjeshme, ka treguar për “Associated Press” se Ukraina ishte e përgatitur të diskutonte një status neutral për vendin në këmbim, pjesërisht, për garancitë detyruese të sigurisë.

Rusia ka kërkuar zotimin e NATO-s për të mos e pranuar kurrë Ukrainën në aleancë ose në forcat e stacionit atje.

Përgatiti: Blerta Haxhiu