Moskë

Putini do të zhvillojë vizitë në Kinë muajin tjetër

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka bërë të ditur të enjten se planifikon një vizitë në Kinë në maj.
Ky pritet të jetë udhëtimi i tij i parë jashtë shtetit që kur i është zgjatur mandati edhe për gjashtë vjet të tjera si president, raporton AP.

Putini i bëri të ditura planet e vizitës në një kongres të Unionit Rus të Industrialistëve dhe Sipërmarrësve në Moskë. Ai nuk ka treguar se kur saktë do të ndodhte vizita dhe nuk ka dhënë detaje të tjera.

Inaugurimi i Putinit është shtyrë për më 7 maj, kanë bërë të ditur ligjvënësit rusë këtë javë. Muajin e kaluar, lideri rus 71-vjeçar siguroi mandatin e tij të pestë në pozitë, në një votim pa opozitë reale, duke zgjatur kështu sundimin e tij 24-vjeçar.

Izolimi në rritje ekonomik dhe diplomatik i Rusisë për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës e ka bërë atë gjithnjë e më të varur nga Kina, ish-rivali i saj për udhëheqjen e bllokut komunist gjatë Luftës së Ftohtë. 

Sipas një vlerësimi të fundit të SHBA-së, Kina ka rritur shitjet në Rusi të mjeteve të makinerisë, mikroelektronikës dhe teknologjive të tjera që Moska nga ana e saj po përdor për të prodhuar raketa, tanke, avionë dhe armë të tjera për përdorim në konflikt.