Botë

Putini do të bëjë udhëtimet e para jashtë vendit që prej fillimit të luftës në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin do të vizitojë dy shtete të vogla ish-sovjetike në Azinë qendrore këtë javë, sipas televizionit shtetëror rus.

Ky do të jetë udhëtimi i parë i njohur i liderit rus jashtë vendit që kur urdhëroi pushtimin e Ukrainës, shkruan Sky News të dielën,

Pavel Zarubin, korrespondenti i televizionit shtetëror Rossiya 1 në Kremlin, tha se Putini do të vizitojë Taxhikistanin dhe Turkmenistanin dhe më pas do të takohet me presidentin indonezian Joko Widodo për bisedime në Moskë.

Në Dushanbe, Putin do të takohet me presidentin e Taxhikistanit, Imomali Rakhmon, një aleat i ngushtë rus dhe sundimtari më jetëgjatë i një shteti ish-sovjetik.

Në Ashgabat, ai do të marrë pjesë në një samit të vendeve të Kaspikut, duke përfshirë liderët e Azerbajxhanit, Kazakistanit, Iranit dhe Turkmenistanit, tha zoti Zarubin.

Putin gjithashtu planifikon të vizitojë qytetin Grodno të Bjellorusisë për të marrë pjesë në një forum me presidentin bjellorus Alexander Lukashenko, njoftoi agjencia e lajmeve RIA.

Udhëtimi i fundit i njohur i Putinit jashtë Rusisë ishte një vizitë në Pekin në fillim të shkurtit.

Gjatë vizitës, ai dhe presidenti kinez Xi Jinping zbuluan një traktat miqësie “pa kufij” disa orë përpara se të dy të merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore.