Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë të premten se Rusia nuk ka asgjë kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
“BE-ja nuk është një bllok ushtarako-politik, ndryshe nga NATO, prandaj ne gjithmonë kemi thënë dhe kam thënë gjithmonë se qëndrimi ynë këtu është konsistent, i kuptueshëm, nuk kemi asgjë kundër”, ka thënë Putin gjatë një diskutimi në panel pas fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar i Shën Petersburgut.
“Është vendim sovran i çdo vendi që të anëtarësohet ose të mos anëtarësohet në shoqata ekonomike dhe i takon kësaj shoqate ekonomike të pranojë shtete të reja si anëtarë ose jo. Për aq sa është e leverdishme për BE-në, le të vazhdojë. Nëse do të jetë në dobi apo në dëm të Ukrainës është gjithashtu punë e tyre”, shtoi Putin.
"Ky është biznesi i popullit ukrainas dhe i udhëheqjes aktuale të Ukrainës, por struktura e ekonomisë ukrainase është e tillë që do të kërkojë subvencione shumë të mëdha. Epo, nëse nuk mbroni tregun e brendshëm, Ukraina do të kthehet në një gjysmë koloni, për mendimin tim. Por, në të njëjtën kohë, ajo do të marrë një mbështetje mjaft të konsiderueshme për shpenzimet aktuale. Nuk ka gjasa që kjo të çojë në restaurimin e industrisë së humbur të avionëve, ndërtimit të anijeve dhe industrisë elektronike", shtoi ai.
Përpjekja e Ukrainës për t’u anëtarësuar me Bashkimin Evropian u nxit edhe më shumë të premten në mëngjes, pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se blloku besonte se vendi duhet të konsiderohej zyrtarisht për statusin e kandidatit në vazhdën e pushtimit rus.