Botë

Putin: Nuk shohim gatishmëri nga Ukraina për të negociuar

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Rusia është gati për negociata me përfaqësuesit e Ukrainës, por nuk sheh ndonjë dëshirë nga pala ukrainase për të zgjidhur çështjet ligjore, ka thënë të martën presidenti rus, Vladimir Putin.

“Nëse ka dëshirë për të negociuar dhe për të gjetur një zgjidhje kompromisi, le t'i zhvillojë kushdo këto negociata”, ka deklaruar Putin, raporton AP.

"Por nga pikëpamja e nënshkrimit të dokumenteve, këtu, natyrisht, gjithçka duhet të jetë e tillë që avokatët të konfirmojnë legjitimitetin e atyre njerëzve që do të autorizohen nga shteti ukrainas për të nënshkruar këto marrëveshje”, ka shtuar ai. 

Presidenti rus ka deklaruar më parë se çdo marrëveshje paqeje duhet të respektojë "realitetet në terren".

Ai ka theksuar në qershor se Ukraina duhet gjithashtu të heqë dorë nga kërkesa e saj për t’iu bashkuar NATO-s dhe të tërheqë plotësisht forcat e saj nga Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson. 

Moska gjithashtu dëshiron që Perëndimi të heqë sanksionet e tij që kanë kufizuar qasjen e Moskës në tregjet globale dhe i kanë dhënë një goditje të rëndë ekonomisë ruse.

"Formula fillestare e paqes" e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky kërkonte tërheqjen e plotë të Rusisë nga të gjitha territoret e pushtuara, por ai më vonë e zbuti pozicionin e tij.

Zelensky ka theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, jo një ndalim të përkohshëm të armiqësive që do t'i mundësonte Rusisë vetëm të plotësonte arsenalin e saj.

Ai ka kërkuar dislokimin e trupave perëndimore në Ukrainë si paqeruajtës.

Putini ka refuzuar në mënyrë të ngjashme një armëpushim të përkohshëm, duke theksuar se trupat ruse po bëjnë një ofensivë dhe çdo ndërprerje e luftimeve do t'i lejonte Ukrainës të marrë përforcime dhe furnizime.