Botë

Pushtimi rus i Ukrainës

Presidenti Joe Biden ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë Rusisë sanksione të reja të ashpra për ta ndëshkuar shtetin rus për pushtimin masiv të Ukrainës, duke iu drejtuar homologut rus, Vladimir Putin, me fjalë të ashpra. Ndërkohë nga terreni është raportuar për dhjetëra ukrainas të vrarë, përfshirë edhe civilë në mbrojtje nga pushtuesit rusë.

“Putini është agresor. Putini e deshi luftën. Dhe tani ai dhe vendi i tij do t’i bartin pasojat”, ka deklaruar Biden në paraqitjen e parë pas fillimit të sulmeve ushtarake ruse në shtetin fqinj. Lideri amerikan ka thënë se sanksionet e reja “do të kenë kosto të ashpër për ekonominë ruse menjëherë dhe në planin afatgjatë”.

Trupa shtesë në krahun lindor të NATO-s

Sanksionet e reja përfshijnë bllokimin e eksporteve në teknologji, që sipas Bidenit do të kenë ndikim kritik në aftësinë e Rusisë për avancimin e sektorit hapësinor dhe ushtarak rus. Sanksione janë vënë edhe kundër “miliarderëve të korruptuar” dhe familjeve të tyre, të afërta me Kremlinin. Sanksionet nuk janë kufizuar vetëm në Rusi. Do të ndëshkohen edhe individë në Bjellorusi, përfshirë ministrin e Mbrojtjes së këtij vendi që lehtësoi invadimin rus nga territori i tij.

Bideni ka bërë të ditur se do të dërgohen trupa dhe armatim shtesë tokësor dhe ajror në krahun lindor të NATO-s, megjithëse ka bërë të qartë se NATO-ja nuk do të përfshihet në konfliktin në Ukrainë.

“Forcat tona nuk janë dhe nuk do të përfshihen në konflikt”, ka theksuar ai. “Forcat tona nuk do të shkojnë në Evropë që luftojnë në Ukrainë, por t’i mbrojnë aleatët tanë të NATO-s dhe për t’i siguruar ata aleatë në lindje”.

Ai është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë çdo pëllëmbë të territorit të shteteve anëtare.

Macron flet në telefon me Putinin

Putini ka folur në telefon me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe se ai i ka dhënë një shpjegim “shterues” për arsyet e pushtimit të Ukrainës, ka njoftuar Kremlini. Biseda telefonike është zhvilluar me kërkesë të Macronit. Presidenca franceze ka njoftuar se Macroni i ka kërkuar homologut rus që t’i ndalë operacionet ushtarake. Macroni është munduar ditëve të fundit të frenojë Putinin me nismat e tij diplomatike dhe vizitën në Moskë. Lideri i Ukrainës, Volodymir Zelensky, ka thënë se “një perde e re e hekurt” po vihet dhe se Rusia po izolohet nga “bota e civilizuar” pas pushtimit të shtetit fqinj. Veshur me uniformë ushtarake, Zelensky, i është adresuar kombit ukrainas derisa po vazhdon operacioni rus në të gjitha frontet, duke iu afruar kryeqytetit Kiev.

Ende nuk dihet për numrin e saktë të të vrarëve, përfshirë edhe shumë civilë. Kombet e Bashkuara thonë se tashmë më shumë se 100 mijë ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre. Mijëra kanë kaluar në Moldavi dhe Rumani.

“Çfarë kemi dëgjuar sot nuk janë shpërthime raketash, luftime dhe zhurma avionësh. Ky është tingulli i perdes së re të hekurt, që është vënë dhe po e mbyll Rusinë prej botës së civilizuar”, ka deklaruar Zelensky, në një video-adresim. “Detyra jonë është që perdja e hekurt të mos bjerë në territorin ukrainas”, ka shtuar ai.

Perdja e Hekurt i referohet ndarjes ndërmjet Lindjes komuniste prej Perëndimit kapitalist të Evropës prej fundit të Luftës së Dytë Botërore deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë.

Ukrainasit nën mëshirën e Putinit

Image

Bota i ka lënë ukrainasit nën mëshirën e Putinit, i cili po e pushton Ukrainën nga toka, deti dhe ajri me 150 mijë trupat e tij ushtarake. Vetëm dy ditë pasi njohu pavarësinë e rajoneve separatiste, Donjeck dhe Luhansk, lideri rus ka urdhëruar futjen e trupave ushtarake në shtetin fqinj.

Ukrainasit janë zotuar se do të mbrohen, pavarësisht raporteve ruse se ka shkatërruar brenda pak orësh sistemin e mbrojtjes ajrore të Ushtrisë ukrainase. Të dyja palët raportojnë për dhjetëra të vrarë në radhët e kundërshtarit. Rusia e nisi luftën pavarësisht mohimit të deritanishëm të raporteve amerikane se Moska nisi në fund të vitit të kaluar planifikimin e pushtimit të Ukrainës, e cila nuk pranoi të hiqte dorë nga ambicia për anëtarësim në NATO dhe t’i nënshtrohej Rusisë së Putinit që dëshiron kthimin e perandorisë së dikurshme ruse.

Presidenti ukrainas ka thënë se Putini sulmoi tradhtisht, duke e krahasuar agresionin rus me pushtimin e Ukrainës nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Presidenti amerikan, Joe Biden, duke njoftuar se ka biseduar me telefon me homologun Volodimir Zhelenski, ka thënë se Putini do të japë llogari për sulmin kundër një shteti sovran si Ukraina. Elitave ruse, të afërta me Kremlinin, tashmë u janë vënë sanksione të ashpra nga Perëndimi.

“NATO-ja dhe BE-ja qëndrojnë të bashkuar”

Liderët e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s kanë mbajtur konferencë të përbashkët pas vendimit për sanksione të reja kundër Moskës zyrtare.

“Ne dëshirojmë ta shkyçim industrinë e Rusisë nga teknologjitë, të cilët i duhen fort sot për të ndërtuar të ardhmen. Masat tona do ta dobësojnë teknologjinë e Rusisë, pozicionin e saj teknologjik në shumë fusha kritike, prej të cilave elitat ruse sot fitojnë shumicën e parave”, ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Pushtimin e kanë dënuar edhe liderët e tjerë perëndimorë. NATO-ja ka mbledhur ambasadorët e shteteve anëtare pasi disa prej shteteve që kufizohen me Ukrainën kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe kanë aktivizuar nenin 4 që mundëson kundërpërgjigje të përbashkët ushtarake.

“NATO-ja dhe BE-ja qëndrojnë të bashkuara. Ne dënojmë shkeljen e rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane. Unë mirëpres aksionet e koordinuara të shpallura nga Bashkimi Evropian, aleatët dhe partnerët e NATO-s. Ky është mesazh i fuqishëm uniteti dhe demonstron se sa e vetmuar dhe e izoluar është Rusia”, ka deklaruar Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s

 “Jemi zgjuar në një botë ndryshe”

Gjermania ka vlerësuar se Evropa po përballet me orët më të errëta në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore. “Jemi zgjuar në një botë tjetër”, ka vlerësuar ministrja e Jashtme e ekonomisë më të madhe evropiane, Annalena Baerbock. Edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka quajtur pushtimin rus si të papranueshëm. Por reagime krejt ndryshe ka pasur Kina, e cila ka dënuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për ofrimin e ndihmës Ukrainës. Vladimir Putin i ka hedhur poshtë të gjitha deklaratat dhe sanksionet e Perëndimit. Ai ka paralajmëruar gjithashtu se vendet e tjera që mund të përpiqen të përzihen se përfshirja e tyre do të sillte “pasoja që nuk i keni asnjëherë më parë”.

Në analizat e mediave ndërkombëtare, thuhet se Putini jo vetëm që po rrezikon paqen evropiane si asnjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe po mundohet të vendosë një rend të ri botëror.

Kolonat e gjata kanë krijuar kaos në Kiev në përpjekje për të dalë nga kryeqyteti pas bombardimeve të para ruse. Grupe të mëdha njerëzish janë mbledhur edhe në stacionet e trenit nga frika e bombardimeve të reja.

Në tregjet financiare, Rubla ruse ka pësuar rënie prej 7.5 për qind kundrejt dollarit, derisa çmimi i naftës është ngritur për gjashtë dollarë në barel.

Zhvendosje masive

Image

Grupe të mëdha njerëzish janë mbledhur në stacionet e trenit nga frika e bombardimeve të reja. Kryetari i Kievit, Vitaly Klitchko, i ka këshilluar kryeqytetasit që të qëndrojnë në shtëpi, por u ka thënë që të përgatitin plaçkat dhe dokumentet e domosdoshme nëse është nevoja që të zhvendosen. Pas shpërthimeve të para në Kiev, njerëzit janë dëgjuar dukë bërtitur në rrugë. Në orët e para të mëngjesit, njerëzit kanë ikur me makina ose në këmbë me rrugët e stërngarkuara të Kievit nga sulmet e Ushtrisë ruse. Ukrainasit kanë nisur të kalojnë kufirin ndërmjet vendit të tyre dhe Moldavisë, pasi Rusia ka nisur pushtimin masiv e ish-republikës sovjetike. Kremlini po bombardon aeroporte e baza ushtarake në Ukrainë. Por dëshmitë tregojnë se Rusia nuk po i kursen edhe qytetet më të mëdha ukrainase. Një grua që ka kaluar kufirin me Moldavinë në qytetin e Odesës, ka thënë se bombardimet e kanë zgjuar nga gjumi. Prandaj ajo ka vendosur të largohet. Moldavia, që nuk është shtet anëtar i NATO-s, e që kufizohet me një vijë kufitare me Ukrainën, ka krijuar dy qendra të përkohshme humanitare për menaxhimin e fluksit eventual të refugjatëve nga Ukraina. Moldavia mund të ofrojë strehim e ndihmë emergjente për refugjatët vetëm për 72 orët e para në këto qendra.

Putini arreston protestuesit anti-pushtim

Qindra protestues janë mbledhur në Londër të enjten, duke i kërkuar Britanisë së Madhe dhe demokracive të tjera që të marrin aksione konkrete kundër Rusisë. Ukrainasit që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar janë mbledhur para selisë së kryeministrit Boris Johnson. Protestat janë organizuar pas nisjes së pushtimit masiv të Ukrainës nga 150 mijë trupat ruse.

Protesta kundër luftës janë mbajtur edhe në Romë, ku komuniteti ukrainas i Italisë ka organizuar demonstrata kundër bombardimeve dhe sulmeve ruse. Rreth 500 ukrainas kanë thënë se janë të frikësuar për familjarët dhe farefisin e tyre në ish-republikën sovjetike. Ata kanë thënë se bashkatdhetarët e tyre në vendlindje po jetojnë me frikë. Protestuesit kanë theksuar se ukrainasit dëshirojnë të jetojnë në paqe, porse Putini e nisi luftën.

Dhunë ka pasur edhe në sheshet e Moskës, pasi qindra kundërshtarë të luftës demonstruan, por menjëherë nisën arrestimet nga policia ruse që nuk lejon kurrfarë pakënaqësie publike. Dhjetëra demonstrues kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj Putinit edhe në Stamboll. Protestat e ukrainasve të Turqisë janë mbajtur para Konsullatës ruse në Stamboll.