Botë

Pushtimi i Ukrainës reformoi aleancat, por nxiti frikën

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pohuar se Ukraina është një “pjesë integrale” e historisë ruse që nuk ka arritur kurrë “shtetësinë reale” - qëndrim që i bën jehonë pozicionit të presidentit kinez, Xi Jinping, ndaj Tajvanit, ishull i vetëqeverisur që Pekini e pretendon si të tijin.

Gati një vit pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës fushëbeteja ka ndërruar dhe rezistenca e fuqishme ka detyruar Moskën që të tërhiqet nga qëllimet e veta ushtarake. Mirëpo pasojat diplomatike të kësaj lufte e kanë lëkundur krejt botën.

Luftimet kanë reformuar aleancat botërore, kanë ringjallur shqetësimet e dikurshme dhe i kanë dhënë ajër të pastër NATO-s e lidhjeve mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pushtimi e çoi Moskën afër Pekinit dhe shteteve paria të Iranit dhe Koresë së Veriut. Gjithashtu ka ngritur dyshime për sovranitetin, sigurinë dhe përdorimin e fuqisë ushtarake, teksa ka shtuar frikën për pushtimin kinez të Tajvanit.

“Lufta nënvizon marrëdhënien e ndërsjellë midis diplomacisë dhe përdorimit të forcës në një mënyrë që nuk është menduar ashtu për shumë e shumë vjet”, ka thënë Ian Lesser, nënkryetar i organizatës gjermane “Marshall Fund”.

Kur forcat ruse pushtuan më 24 shkurt, “shënoi fundin e plotë të botës së pas Luftës së Ftohtë”, ka thënë kryeministri japonez, Fumio Kishida, muajin e kaluar në një fjalim në Universitetin Johns Hopkins. “Ka dalë në dritë se vetëm globalizimi dhe ndërvarësia nuk mund të shërbejnë si garantues për paqen dhe zhvillimin në të gjithë globin”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pohuar se Ukraina është një “pjesë integrale” e historisë ruse që nuk ka arritur kurrë “shtetësinë reale” - qëndrim që i bën jehonë pozicionit të presidentit kinez, Xi Jinping, ndaj Tajvanit, ishull i vetëqeverisur që Pekini e pretendon si të tijin.

Kriza me Tajvanin

Rreth gjashtë muaj pas pushtimit të Ukrainës, Kina publikoi një letër për Tajvanin, duke thënë se ishulli “ka qenë pjesë integrale e territorit të Kinës që nga kohërat e lashta”. Në letër shkruhej se Pekini kërkon “ribashkim paqësor”, por “nuk do të heqë dorë nga përdorimi i forcës”.

Planet e Kinës për Tajvanin datojnë shumë përpara luftës në Ukrainë, por Kina rriti presionin e saj gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë përdorimin e raketave balistike mbi ishull dhe në ujërat japoneze në gusht, në përgjigje të vizitës së kryetares së atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Taipei.

Nëse Rusia lejohet të ketë sukses në Ukrainë, mund të inkurajojë vende si Kina, me vizionet e saj për një rend ndërkombëtar “që ndryshojnë nga yni dhe që ne nuk mund ta pranojmë kurrë”, ka thënë kryeministri japonez Kishida.

Ai është zotuar se do të përdorë Presidencën japoneze të G7-s këtë vit për të forcuar “unitetin e vendeve me të njëjtin mendim” kundër agresionit rus.

“Nëse e lëmë këtë ndryshim të njëanshëm të status quo-së me forcë, të kalojë pa u kundërshtuar, do të ndodhë kudo në botë, përfshirë Azinë”, ka thënë ai.

Një pushtim kinez i Tajvanit do të ishte shumë më i ndërlikuar sesa sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, ka thënë Euan Graham, ekspert me bazë në Singapor me Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

“Performanca e dobët e Rusisë në fushën e betejës në Ukrainë duhet t'i japë pauzë çdo lideri ushtarak apo të lartë politik në Kinë për aventurë në një shkallë shumë më ambicioze me Tajvanin”, ka thënë Graham.

Por frika është reale. Presidenti i Tajvanit, Tsai Ing-wen, zgjati shërbimin e detyrueshëm ushtarak të vendit në një njoftim të dhjetorit që i referohej luftës në Ukrainë.

“Ata kanë nxjerrë mësimin nga Ukraina se ju duhet të keni një rezervë më të madhe ushtarake nëse ka një konflikt”, ka shtuar Graham.

Koreja e Veriut, e cila ka kërcënuar të përdorë në mënyrë parandaluese armët bërthamore në një gamë të gjerë skenarësh, ishte tashmë një shqetësim rajonal. Por sugjerimi i Rusisë se mund të përdorë armë bërthamore në Ukrainë nxiti shqetësime të reja.

Koreja e Jugut, e cila është nën mbrojtjen e “ombrellës bërthamore” amerikane, vitin e kaluar zgjeroi stërvitjet me ushtrinë amerikane që ishte zvogëluar nën administratën Trump. Koreja e Jugut po kërkon gjithashtu garanci më të forta se Washingtoni do të përdorë me shpejtësi aftësitë bërthamore përballë një sulmi bërthamor të Koresë së Veriut.

Frika nga Koreja e Veriut

Koreja e Veriut ka mbështetur fuqishëm Rusinë fqinje. Në fund të vitit të kaluar, SHBA-ja akuzoi Phenianin për furnizimin e Rusisë me predha artilerie.

Irani gjithashtu ka ndihmuar Rusinë ushtarakisht, duke siguruar dronët me bomba që përdor Moska për të goditur termocentralet dhe vendet civile në të gjithë Ukrainën.

Ndërsa aleatët perëndimorë kanë bashkëpunuar ngushtë në përgjigjet e tyre ndaj luftës, një sfidë e madhe diplomatike ka qenë të bindë pjesën tjetër të botës për rëndësinë e pushtimit.

Vetëm një pjesë e vogël e vendeve në Azi kanë ndërmarrë veprime të ashpra kundër Moskës dhe shumë kanë abstenuar nga rezoluta e Kombeve të Bashkuara që dënon sulmin.

Vetëm disa javë para pushtimit, Kina deklaroi miqësinë “pa kufij” me Rusinë. Ajo ka refuzuar të kritikojë luftën dhe është afruar më shumë me Rusinë, duke blerë më shumë nga nafta dhe gazi i saj dhe duke ndihmuar Moskën të kompensojë sanksionet perëndimore.

Por ka shenja të “linjave të ndërlikuara të gabimeve” në marrëdhëniet Kinë-Rusi, ka thënë Jude Blanchette, analist në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, në një telefonatë me gazetarët.

Gjatë bisedimeve të shtatorit në Uzbekistan, presidenti kinez ngriti “shqetësime” të paspecifikuara me Putinin mbi pushtimin, megjithëse në të njëjtën kohë premtoi “mbështetje të fortë” për “interesat thelbësore” të Rusisë.

“Unë mendoj se nëse Xi Jinping mund të këpuste gishtat, do të donte të shihte përfundimin e luftës, por në një mënyrë që Rusia të dalë nga kjo me Putinin në pushtet dhe Rusinë që vazhdon të jetë partnere e fortë strategjike”, ka thënë Blanchette.

India, e cila varet shumë nga Rusia për pajisje ushtarake, gjithashtu abstenoi nga rezoluta e OKB-së dhe ka vazhduar të blejë naftë ruse.

Por ndërsa rivali rajonal Kina po afrohet më shumë me Rusinë, India është zhvendosur në heshtje drejt SHBA-së, veçanërisht brenda katër vendeve Quad që përfshijnë gjithashtu Japoninë dhe Australinë, ka thënë Viraj Solanki, ekspert me qendër në Londër me grupin e ekspertëve IISS.

Në Evropë, pushtimi ka rigjallëruar NATO-n pas breshërisë së kritikave nga Donald Trump gjatë presidencës së tij që e nxiti presidentin francez, Emmanuel Macron, të deklaronte se aleanca kishte përjetuar “vdekje truri”.

Vendet anëtare të NATO-s dhe aleatët janë mbledhur për të mbështetur Ukrainën, me disa politika të ndryshuara që ndalonin eksportin e armëve në vendet në konflikt. Ndoshta më e çuditshmja, Gjermania hodhi poshtë tabutë e pas Luftës së Dytë Botërore dhe siguroi tanke luftarake “Leopard”.

Lufta nxiti gjithashtu Finlandën dhe Suedinë të kërkonin anëtarësimin në NATO. Anëtarësimi i këtyre dy shteteve pritet të miratohet sivjet.

Përktheu: Gent Mehmeti