Botë

Punëtorët e Lufthansas në grevë, anulohen qindra fluturime në Gjermani

Një pjesë e stafit të Lufthansas ka hyrë në grevë në pesë prej aeroporteve kryesore të Gjermanisë.

Stafi tokësor i kompanisë ka hyrë në grevë 27-orëshe që nga ora 04:00 e të mërkurës, në aeroportet e Berlinit, Dusseldorfit, Frankfurtit, Mynihut dhe Hamburgut, raportoi Associated Press.

Lufthansa ka njoftuar se pavarësisht grevës, pritet që të arrijë të operojë me 10-20 për qind të fluturimeve të planifikuara. Sipas kompanisë, biletat për fluturimet e brendshme gjermane mund të konvertohehen në kuponë hekurudhorë.

Në Frankfurt, kompania ka anuluar 80-90 për qind të rreth 600 nisjeve dhe arritjeve të planifikuara. Më shumë se 400 nisje dhe arritje janë anuluar po ashtu edhe në Aeroportin e Mynihut.

Në Berlin dhe Hamburg janë anuluar të gjitha nisjet me Lufthansa, ashtu sikurse edhe shumica e fluturimeve nga Dusseldorfi. Lufthansa ka njoftuar se më shumë se 100 mijë persona do të duhej të ndryshojnë planet e udhëtimit.