Botë

Puerto Riko padit për korrupsion 30 ish-zyrtarë, dëmtuan shtetin me 30 milionë dollarë

Puerto Riko

Puerto Riko

Departamenti i Drejtësisë i Porto Rikos njoftoi të martën se po padit të paktën 30 ish-zyrtarë të qeverisë, të akuzuar për korrupsion, për të rikuperuar më shumë se 30 milionë dollarë në fondet publike.

Mes të paditurve janë tre ish-ligjvënës, duke përfshirë María Milagros Charbonier, e cila u dënua në maj me tetë vjet burgim federal pasi u shpall fajtore për vjedhje dhe një skemë ryshfeti, raporton AP.

“Ne do të rikuperojmë paratë e popullit portorikan dhe do të kërkojmë një shumë që është trefishi i dëmit të shkaktuar nga ata që kanë përvetësuar fondet publike në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Domingo Emanuelli, sekretari i Drejtësisë.

Të paditur janë gjithashtu tetë ish-kryebashkiakë, përfshirë Felix Delgado i Catano dhe Angel Perez i Guaynabo. Delgado u dënua me një vit burgim federal në mars pasi u deklarua fajtor për marrjen e ryshfetit në këmbim të dhënies së kontratave komunale në vlerë prej miliona dollarësh. Perez u dënua me më shumë se pesë vjet burgim federal në shkurt pasi u shpall fajtor për ryshfet dhe zhvatje.

Departamenti i Drejtësisë i Porto Rikos ishte akuzuar prej kohësh se nuk po godiste mjaftueshëm korrupsionin e përhapur qeveritar në ishull.

“Për herë të parë në ishull, Departamenti i Drejtësisë portorikane paditi më shumë se 30 të dënuar për korrupsion, me qëllim të rikuperimit të fondeve publike dhe kërkimit të dëmshpërblimit për dëmet që i shkaktuan popullit portorikan”, ka deklaruar Emanuelli.

Departamenti paditi gjithashtu dy kompani: J. R. Asphalt, Inc. dhe Waste Collection Corp. Autoritetet federale i kanë akuzuar më parë se janë të lidhur me rastet e korrupsionit të qeverisë.