Donald Trumpi beson se në mungesën e tyre, një vend ideal, i zotëruar nga SHBA-ja, “do t’i ngrihet nga hiri” dhe do të bëhet “Riviera e Lindjes së Mesme” duke ofruar mijëra vende pune, mundësi për investime dhe përfundimisht një vend për “njerëzit e botës të jetojnë”.
Sugjerimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, se SHBA-ja mund “ta marrë” dhe “zotërojë” Gazën, duke zhvendosur popullsinë nga territori, nuk është pritur fare mirë.
Komentet erdhën pas armëpushimit në mes Hamasit dhe Izraelit, dhe në mes të pyetjeve për të ardhmen e Gazës pas konfliktit, ka raportuar “BBC”.
Organizata e Kombeve të Bashkuara sugjeron se rreth dy të tretat e ndërtesave në Gazë janë shkatërruar ose dëmtuar pas 15-muajve luftë.
Propozimi i Trumpit sinjalizon ndryshimin më të madh të politikës së SHBA-së në Lindjen e Mesme në dekada, përfundimin e konsensusit të gjerë ndërkombëtar për nevojën që një shtet palestinez – i përbërë nga Gaza dhe Bregu Perëndimor i pushtuar – të ekzistojë krahas Izraelit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se idesë “duhet t’i kushtohet vëmendje”, por sugjerimi është refuzuar nga vendet arabe dhe aleatët e SHBA-së.
Pse e tha Trumpi këtë tani?
Nëse Donald Trumpi ka të drejtë për diçka, ajo është për dështimin me dekada të diplomacisë së SHBA-së për përfundimin e konfliktit në mes Izraelit dhe palestinezëve.
Propozimet për paqe dhe presidentët kanë ardhur dhe kanë shkuar, por problemet janë përkeqësuar. Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe lufta të cilin e nxiti ishin rezultate të tmerrshme.
Trumpi i ka bërë milionat si ndërtues pronash dhe ai ka bërë observim të vlefshëm: nëse Gaza do të rindërtohet, nga fillimi në disa pjesë, nuk ka kuptim që qindra mijëra civilë të strehohen në gërmadha.
Detyra për rindërtimin e Gazës do të jetë madhore. Municione të pashpërthyera dhe grumbuj me gërmadha duhet të largohen. Sistemi i ujit dhe rrymës duhet të riparohen. Shkollat, spitalet dhe dyqanet duhet të rindërtohen.
Gërmadhat e prodhuara janë 17 herë më të mëdha sesa të gjitha konfliktet në mes Izraelit dhe Gazës që nga viti 2008.
I dërguari special i Donald Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka deklaruar se rindërtimi mund të marrë vite dhe derisa ndodh palestinezët do të duhej të shkonin diku.
Gjithsesi, në vend se të kërkohen mënyra të mbajtjes së tyre afër shtëpisë, me gjasë të madhe në kampe në pjesët qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës, Trumpi ka deklaruar se ata duhet të inkurajohen të largohen – përgjithmonë.
Trumpi beson se në mungesën e tyre, një vend ideal, i zotëruar nga SHBA-ja, “do t’i ngrihet nga hiri” dhe do të bëhet “Riviera e Lindjes së Mesme”, duke ofruar mijëra vende pune, mundësi për investime dhe përfundimisht një vend për “njerëzit e botës të jetojnë”.
Pse janë komentet e Trumpit aq kontroverse?
Edhe për një president që gjatë mandatit të parë është angazhuar në përfundimin e politikave të SHBA-së në Lindjen e Mesme, duke përfshirë edhe lëvizjen e Ambasadës së SHBA-së nga Tel-Avivi në Jerusalem, duke e njohur sovranitetin e Izraelit mbi lartësitë e pushtuara Golan, propozimi i tij i tanishëm ishte i jashtëzakonshëm.
Në imagjinatat e tyre më të çmendura, asnjë president i SHBA-së nuk ka menduar se zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez do të përfshinte marrjen e një pjese të territorit palestinez dhe largimin e popullatës së saj.
Është e qartë se nëse bëhet me forcë do të ishte thyerje e madhe e së drejtës ndërkombëtare.
Disa palestinezë do të largoheshin nga Gaza dhe do të rindërtonin jetën e tyre diku tjetër. Që nga tetori i 2023-tës, rreth 150.000 veçse janë larguar.
Por të tjerët nuk munden dhe nuk do të largohen. Arsyet janë se nuk i kanë mundësitë financiare ose janë shumë të lidhur me Gazën – pjesën e tokës që ata e quajnë Palestinë.
Shumë banorë të Gazës janë pasardhës të njerëzve që kanë ikur ose janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë krijimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948, periudhë që palestinezët e quajnë “Nakba”, fjala arabe për katastrofë.
Mendimi i një tjetri do të jetë shumë e dhimbshme për shumë.
Për palestinezët që ëndërrojnë për një shtet të vetin në kufi me Izraelin, humbja e një pjese do të ndihej si “amputim”.
Gaza ka qenë e ndarë fizikisht nga Bregu Perëndimor që nga viti 1948. Raundet e mëhershme të negociatave, si “Vizioni i paqes” i Trumpit i vitit 2020, përfshinte plane për tunele ose hekurudha që do të lidhnin të dy territoret.
Tani Trumpi po u thotë palestinezëve ta dorëzojnë Gazën njëherë e përgjithmonë.
Edhe pse duket se ai nuk po përpiqet për dëbimin me forcë të civilëve – e cila është kundër të drejtës ndërkombëtare – Trumpi është duke i inkurajuar palestinezët të largohen.
Zyrtarët palestinezë veçse kanë akuzuar Izraelin për bllokimin e furnizimeve të dhjetëra mijëra karvanëve që do të ndihmonin palestinezët në Gazë të qëndrojnë në vendet më pak të dëmtuara të territorit derisa rindërtimi ndodh diku tjetër.
Trumpi sugjeroi se vendet arabe do të duhet të pranonin 1.8 milionë refugjatë nga Gaza, por u prit me indinjatë kjo, kryesisht nga Egjipti dhe Jordania.
Të dyja kanë probleme mjaftueshëm pa nevojë për shtimin e barrës.
Si është gjendja e tanishme e Gazës?
Gaza ishte e pushtuar nga Egjipti për 19 vjet para se të pushtohej nga Izraeli gjatë luftës gjashtëditore të vitit 1967.
Akoma konsiderohet e pushtuar nga Izraeli sipas të drejtës ndërkombëtare, të cilën Izraeli e konteston. Izraeli deklaron se pushtimi ka përfunduar në vitin 2005, kur në mënyrë të njëanshme largoi kolonitë hebraike dhe tërhoqi ushtrinë.
Rreth tri të katërtat e anëtarëve të OKB-së e njohin Gazën si pjesë të shtetit sovran të Palestinës, por SHBA-ja nuk e njeh.
E shkëputur nga pjesa tjetër e botës nga muret me gjemba dhe bllokadës detare nga Izraeli, asnjëherë nuk është ndier si vend i pavarur.
Asgjë dhe askush nuk lëviz brenda apo jashtë pa lejen e Izraelit, dhe aeroporti ndërkombëtar – i hapur me shumë bujë në vitin 1998 – ishte shkatërruar nga Izraeli në vitin 2001 gjatë kryengritjes së dytë palestineze.
Izraeli dhe Egjipti kanë vendosur bllokadë ndaj Gazës, duke cituar arsye sigurie, pasi Hamasi i fitoi zgjedhjet palestineze në vitin 2006 dhe largoi kundërshtarët e tij nga territori pas luftimeve të mëdha gjatë vitit pasues.
Shumë më herët se lufta e fundit, palestinezët e kanë quajtur Gazën si një burg të hapur.
A mund ta marrë Trumpi Gazën?
Nuk ka nevojë të thuhet që SHBA-ja nuk ka asnjë kërkesë ligjore ndaj territorit dhe nuk është akoma e qartë se si Trumpi mendon të vendosë rregullin amerikan aty.
Si pretendimet blof për kontrollimin e Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë, nuk është e qartë akoma nëse Trumpi vërtet e ka në mendje këtë apo nëse komentet janë një hapje për diçka tjetër, kërkesa të jashtëzakonshme si pozicionim për negociata të vështira për të ardhmen e Gazës.
Disa plane janë diskutuar për qeverisjen e pasluftës në Gazë.
Në dhjetor, dy palët palestineze, Hamasi dhe Fatahu, u morën vesh për krijimin e një komiteti të përbashkët për mbikëqyrjen e administrimit – një marrëveshje që deri tani nuk ka sjellë asgjë.
Herëve të kaluara diskutimet janë fokusuar në krijimin e një force paqeruajtëse ndërkombëtare, sipas mundësive me trupa nga vendet arabe.
Muajin e kaluar “Reuters” ka raportuar se Emiratet e Bashkuara Arabe, SHBA-ja dhe Izraeli kanë diskutuar formimin e një administrate të përkohshme në Gazë deri në riformimin e Autoritetit Palestinez (PA), i cili veçse ka nën kontroll pjesë të territorit në pjesë të Bregut Perëndimor dhe është i gatshëm të marrë të gjithë kontrollin.
Gjithsesi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, më herët ka insistuar publikisht se PA nuk do të ketë rol në administrimin e Gazës së pasluftës.
Trupat amerikane veçse janë në Gazë, një kompani e sigurisë nga SHBA-ja ka punësuar rreth 100 ish-pjesëtarë të forcave speciale të SHBA-së, si staf në një pikë kontrolli jetik në jug të qytetit të Gazës dhe kontrollimin e veturave për armë të palestinezëve që po kthehen. Edhe forcat egjiptiane janë parë në të njëjtin vend.
Kjo mund të jetë shenjat e para të një tentative të zgjeruar ndërkombëtare, ndoshta të udhëhequr nga SHBA-ja në Gaza.
Por nuk është pushtim nga SHBA-ja, pasi do të përfshinte forcë më madhe ushtarake, dhe Trumpi herët ka premtuar se do ta shmangë këtë.
A do të ketë implikime në armëpushimin në mes Izraelit dhe Hamasit
Negociatat për fazën e dytë të armëpushimit dyjavësh midis Izraelit dhe Hamasit sapo kanë filluar, por është e vështirë të shihet se si deklaratat e papritura të Trumpit do të ndikojnë në përparimin e tyre.
Nëse Hamasi ndihet së në fund të procesit do të jetë shpopullimi i Gazës, jo vetëm nga Hamasi por nga të gjithë palestinezët, mund të arrijë në përfundimin se nuk ka asgjë për të folur dhe të mbajë pengjet e mbetura që i ka kapur më 7 tetor të 2023-tës.
Kritikët e Netanyahut e kanë akuzuar atë për arsyetime për të shkatërruar armëpushimin dhe rikthimin e luftës. Ata janë të destinuar të arrijnë në përfundimin se me këto komente Trumpi është një bashkëpunëtor i gatshëm.
Në anën tjetër, përkrahësit e kryeministrit izraelit nga ekstremi i djathtë kanë shprehur kënaqësi me planin e kontrollit nga SHBA-ja, potencialisht duke e ulur rrezikun e dorëheqjeve në qeveri dhe duke siguruar të ardhmen e afërt politike të Netanyahut.
Në atë kuptim Trumpi i ka dhënë një mbështetje të madhe për të vazhduar me armëpushimin.
Çfarë ka thënë Trumpi për Bregun Perëndimor?
Në pyetjen se a duhet SHBA-ja ta njohë sovranitetin e Izraelit mbi Bregun Perëndimor të pushtuar, Trumpi ka thënë se ai akoma nuk është pozicionuar porse do të njoftonte pas katër javësh.
Ky pretendim ka shkaktuar alarm në mesin e palestinezëve, për të cilët një njoftim i tillë do të shihej si një tjetër “gozhdë në arkivol” për zgjidhjen me dy shtete.
Njohja e legjitimitetit të kolonive izraelite në Bregun Perëndimor do të kishte pasoja të mëdha. Pjesa tjetër e botës i sheh si të paligjshme nën të drejtën ndërkombëtare, edhe pse Izraeli e konteston këtë.
Gjatë raundeve të kaluara në bisedimet për paqe, negociuesit kanë parë se Izraeli do të mbajë kolonitë e mëdha si pjesë e marrëveshjes përfundimtare, me shumë gjasë në këmbim të pjesëve të vogla të territorit Izraelit.
Në vitin 2020, Trumpi ka zhvilluar akordet e Abrahamit, që siguruan normalizimin e marrëdhënieve në mes Izraelit dhe dy vendeve arabe, Emiratet dhe Bahrejni.
Emiratet e nënshkruan marrëveshjen me pranimin se Izraeli nuk do të aneksonte pjesë të Bregut Perëndimor, një mirëkuptim që tani mund të jetë i rrezikuar. (Përgatiti Shkelzen Dema)