Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, presidenti Joe Biden do të marrë shumë mesazhe përkrahjeje. Por ai kurrë nuk do e kishte pritur këtë mesazh.
“Për ne, kush është më i mirë, Bideni apo Trumpi?” ka pyetur Pavel Zarubin, korrespondent i televizionit rus, presidentin Vladimir Putin. “Bideni”, është përgjigjur Putini. “Ai është më me përvojë, është më i parashikueshëm dhe është politikan i formacionit të vjetër”.
Lideri i Kremlinit ka mbrojtur aftësitë e Bidenit për të kryer punën e tij.
“Kur kam takuar Bidenin në Zvicër – e vërtetë, ka qenë vite më parë – disa njerëz thoshin se ai nuk ishte në gjendje të funksiononte. Nuk kam parë të njëjtën gjë si ata. Po, ai i shikonte poshtë letrat e tij. Të them të drejtën, edhe unë kam bërë të njëjtën gjë. Kjo nuk do të thotë asgjë. Sa i përket momentit kur Bideni goditi kokën teksa dilte nga helikopteri, kush mund të thotë se nuk ka goditur kokën e tij ndonjëherë?”
Këto fjalë kanë dalë nga lideri i Kremlinit, të cilin Bideni dikur e ka quajtur “diktator vrasës”, “bandit i pastër” dhe e ka akuzuar se ka “dëshirë për tokë dhe pushtet”.
Ndërsa, Trumpi e ka quajtur Putinin “të zgjuar” dhe “gjeni”. Ai madje ka sugjeruar se do ta “inkurajonte” Rusinë të sulmonte anëtarët e NATO-s, që nuk arrijnë të paguajnë “faturat” si pjesë e aleancës perëndimore ushtarake.
Kështu nëse Putini është fans i Trumpit, përse ka thënë presidenti rus publikisht se preferon Bidenin në vend të Trumpit?
Sikur ai të thoshte se Trumpin do ta përkrahte para Bidenit, kjo sipas BBC-së, do të ishte dhuratë e mrekullueshme për Bidenin.
Armiqtë politikë të Donald Trump do të kishin sulmuar mbështetjen e tillë dhe do të kishin akuzuar ish-presidentin amerikan për bashkëpunim me Kremlinin e se ka lidhje me Rusinë dy vjet pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Tash, përkrahësit e Trumpit mund të drejtojnë komentet për Kremlinin te Bideni dhe t’i përdorin për të larguar akuzat se Trumpi është i zgjedhuri i Kremlinit.