Botë

“Pse po luftojnë gjithmonë në vendin tonë”?

Liban - Abed Al Kadiri

Foto: New York Times

Shumë libanezë që u larguan nga vendi në valë të njëpasnjëshme emigrimi po ndiejnë nevojën që të kthehen dhe të japin kontributin e tyre në rimëkëmbjen e atdheut. Por, përballja me pasojat e luftës shkatërruese midis Izraelit dhe Hezbollahut po del të jetë tejet e vështirë për ta

Ndërkohë që lufta midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah u intensifikua shtatorin e kaluar, Abed Al Kadiri qëndronte ulur para televizorit në studion e artit ku ai punonte në Kuvajt. 
Al Kadiri shikonte sesi Bejruti, kryeqyteti libanez dhe qyteti i fëmijërisë së tij, po shkatërrohej nga bombardimet izraelite. Ai ishte i shqetësuar për atë që anëtarët e familjes së tij, duke përfshirë nënën, djalin 13-vjeçar, si dhe miqtë e tij, po përjetonin atje. Ai filloi të kishte makthe dhe sulme paniku dhe nuk mund të flinte.

I vendosur për të mbështetur familjen dhe për të dhënë kontribut në rindërtimin e vendit të tij, Al Kadiri vendosi të kthehej në shtëpi.

“Libani po kalonte në një fazë apokaliptike”, tha Al Kadiri, 40 vjeç. “Kthimi ishte alternativa e vetme më e mirë”.

Diaspora e madhe dhe me ndikim e Libanit, që vlerësohet të jetë gati tri herë më e madhe se popullsia e vendit prej 5.7 milionë banorësh, është rikthyer, duke shpresuar që të ofrojë mbështetje fizike dhe financiare për vendin e shkatërruar nga një prej luftërave më të përgjakshme në dekada.

Sfidat janë të mëdha. Mërgimtarët po kthehen në një vend të shkatërruar, ekonomia e të cilit ka qenë në krizë prej vitesh dhe që prej kohësh është përballur me tensionet sektare, grindjet politike dhe ndërhyrjet e huaja. Trajektorja e Libanit mbetet thellësisht e pasigurt pas një konflikti që ka të ngjarë të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë brenda vendit dhe në të gjithë Lindjen e Mesme.

Por shumë prej mërgimtarëve thonë se mendonin se nuk kishin zgjidhje, edhe pse marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut e nënshkruar në nëntor mbetet e brishtë.
“Ndihesha sikur vendi ynë po na thërriste, se prania jonë fizike ishte e rëndësishme”, tha Zeina Kays, 48 vjeçe, eksperte komunikimi që u largua nga Libani në vitin 2004 për në Doha, Katar, ku ajo ka jetuar dhe punuar që atëherë. Ajo u kthye në Liban në muajin tetor.

Në Doha, tregon Kays, ajo shikonte në televizor sesi familjet e zhvendosura nga Bejruti riktheheshin në qytete dhe qyteza anembanë Libanit. Në kohën kur numri i vdekjeve dhe shkalla e shkatërrimit u përshkallëzua, ajo thotë se ndjeu “një dëshirë” për t’u kthyer dhe për të ofruar ndihmën e saj. 
Kays thotë se është kthyer tashmë në vendin e saj përgjithmonë, në zonën Koura, rreth 48 kilometra në veri të Bejrutit, ku ajo dhe burri i saj kanë një shtëpi. Atje, me ndihmën e miqve dhe familjes, ajo udhëhoqi një fushatë për të siguruar furnizime të ndryshme përfshirë batanije, ilaçe, ushqime, vegla dhe rroba për dhjetëra familje të zhvendosura në qytetin e saj të lindjes dhe fshatrat përreth.
“Kjo luftë demonstroi patriotizmin, solidaritetin dhe unitetin që ekziston midis të gjithë popullit libanez, pavarësisht nga rajoni apo feja e tyre”, tha ajo në një intervistë.
“Libani meriton një vizion më të qartë dhe një të ardhme më të mirë”, shtoi Kays.

“Ne përsëri kthehemi”

Lufta goditi përsëri Libanin pas sulmit të 7 tetorit 2023, të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit. Në shenjë solidariteti me Hamasin, Hezbollahu filloi të shënjestronte Izraelin, duke nisur një seri sulmesh kokë më kokë përgjatë kufirit izraelito-libanez. Konflikti, i cili u përshkallëzua në fund të shtatorit, la mijëra të vrarë dhe të plagosur dhe detyroi rreth 1.3 milionë banorë që të zhvendoseshin, sipas zyrtarëve libanezë dhe Kombeve të Bashkuara.

Fshatra dhe lagje të tëra, veçanërisht në jug, u goditën fort pasi Izraeli kreu sulme ajrore intensive. Hezbollahu, forcë dominuese politike dhe ushtarake që mbështetet nga Irani, u dobësua rëndë pasi liderët e tij kryesorë u vranë dhe aleati i tij në Sirinë fqinje, Bashar al-Assad, u rrëzua nga pushteti.
Lufta përkeqësoi problemet në rritje me të cilat përballet tashmë Libani.

Kriza ekonomike, që filloi në vitin 2019 dhe u rëndua nga bllokimet e pandemisë Covid-19, u rendit nga Banka Botërore në vitin 2021 si ndër krizat më të vështira financiare kombëtare që nga mesi i shekullit të 19-të. Akuzat për korrupsion çuan në protesta të mëdha antiqeveritare. Më pas, një shpërthim në portin e Bejrutit në vitin 2020 shkatërroi pjesë të kryeqytetit dhe la të vrarë qindra persona. Për dy vjet Libani kishte qeveri të përkohshme dhe presidenti e kryeministri i ri u zgjodhën vetëm në janar.
“Këto vitet e fundit në Liban ishin me të vërtetë kaotike”, tha Al Kadiri, artisti që u largua nga Bejruti për herë të dytë pas shpërthimit të portit në vitin 2020.

Ai fillimisht u nis nga Libani për në Kuvajt gjatë luftës së vitit 2006 midis Izraelit dhe Hezbollahut. Por u kthye në vendlindje në vitin 2014 dhe hapi një studio e cila e rilidhi me qytetin. Ai vendosi të largohej përsëri kur shpërthimi i portit shkatërroi njërën prej galerive ku ai kishte ekspozuar punën e tij. Pas fillimit të një iniciative në Bejrut të titulluar “Sot do të doja të isha një pemë” për të ofruar ndihmë në rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga shpërthimi, ai shkoi në Paris, me shpresën për të gjetur punë dhe për të mbështetur familjen e tij.

Ai sapo kishte mbërritur në Kuvajt nga Parisi për të hapur një ekspozitë kur lufta e fundit përshkallëzoi.
Tani ai është kthyer sërish në Bejrut. “E ardhmja mund të jetë e errët, shqetësuese dhe e frikshme, por ne jemi këtu”, tha ai. “Edhe nëse largohemi, ne përsëri kthehemi”.

“Ne synojmë vetëm paqen”

Libanezët filluan ta linin atdheun e tyre duke filluar nga fundi i shekullit të 19-të, kur ishte nën Perandorinë Osmane, dhe vazhduan të emigronin gjatë sundimit francez dhe pas pavarësisë në vitet 1940. Ata ikën si pasojë e tensioneve sektare, krizave ekonomike, urisë gjatë Luftës së Parë Botërore, vrasjeve të motivuara politikisht dhe luftës civile nga 1975-a deri në vitin 1990.
Në vende si Australia, Brazili, Nigeria dhe Shtetet e Bashkuara, ata dhe pasardhësit e tyre kanë krijuar jetë të reja. Mes tyre është avokatja Amal Clooney dhe tregtari i kthyer në filozof, Nassim Nicholas Taleb.

Shumica prej mërgimtarëve ruajnë marrëdhënie të ngushta me vendlindjen: në vitin 2023, diaspora dërgoi rreth 6 miliardë dollarë remitenca, ose rreth 27.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Libanit, sipas Bankës Botërore.

Kur lufta shpërtheu vitin e kaluar, diaspora libaneze u mobilizua për të mbledhur para dhe ndihma të tjera.

Shumë mërgimtarë thonë se po e vëzhgojnë qeverinë e re sesi planifikon të rimëkëmbë ekonominë, të zbatojë armëpushimin e brishtë midis Izraelit dhe Hezbollahut dhe të stabilizojë kombin përpara se të vendosin nëse do të kthehen.

Një tjetër aspekt, sipas Konrad Kanaan, avokat 31-vjeçar me bazë në Francë, i cili vizitoi Bejrutin së fundmi, është ndryshimi i gjeopolitikës së rajonit dhe se si kjo mund të ndikojë në të ardhmen e Libanit.

Në shtëpinë e Kanaanit, në lagjen “Achrafieh” në Bejrut, u zhvillua një bisedë tejet interesante për Sirinë dhe Gazën. Njëra prej familjareve të Kanaanit citoi dy herë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe tha se ishte tejet kureshtare për të kuptuar se si do të dukej vizioni i tij për një “Lindje të Mesme të re”. Një tjetër anëtar i familjes foli për agoninë dhe pakënaqësinë emocionale të krijuara nga luftërat e përsëritura.

Të gjithë e pranuan se asnjëri prej tyre nuk kishte një ide të qartë për të ardhmen.
Shumë libanezë pyesin gjithashtu se çfarë do të ndodhë me Hezbollahun, si do të zhvillohen marrëdhëniet e grupit me Iranin dhe nëse militantët do të tërhiqen nga Libani jugor ashtu siç është rënë dakord në marrëveshjen e armëpushimit me Izraelin. Derisa shkalla e zemërimit me Izraelin është e lartë në mesin e libanezëve, shumë e kanë kritikuar hapur Hezbollahun për sulmin ndaj Izraelit me urdhër të Iranit.

“Ne e duam atdheun tonë, por ai na u mor nga iranianët”, tha Rabie Kanaan, 35-vjeçar nga Australia, i cili erdhi të vizitonte familjen në Bejrut (dhe nuk ka lidhje me zotin Kanaan, avokat). Rabie Kanaan është me origjinë nga Tibnin, qytet në Libanin jugor që u godit nga sulmet ajrore izraelite gjatë luftës. Ai tha se shtëpia e familjes së tij u rrënua dhe tani nuk është në gjendje që ta sjellë vajzën e tij 8-vjeçare për të vizituar kodrat e gjelbëruara ku ai u rrit.

“Ajo gjithmonë më pyet: ‘Babi, pse po luftojnë gjithmonë në vendin tonë?’”, tha Kanaan. Ai thotë se përpiqet ta kundërshtojë këtë nocion, duke i thënë “si njerëz të zakonshëm, ne synojmë vetëm paqen”.