Ndërsa zgjedhjet në Gjermani dhe Francë po afrojnë, politikanët evropianë janë të vendosur që ta shmangin atë lloj të kundërreagimit populist që e pasoi krizën e refugjatëve në vitin 2015. Mirëpo, ekspertët pretendojnë se ky krahasim nuk është i qëndrueshëm
Edhe para se grupi i parë prej 19 refugjatësh afganë të mbërrinte në Gjermani këtë të mërkurë, porosia që po jehonte përbrenda partisë konservatore të kancelares Angela Merkel ishte e qartë: “2015-a nuk guxon të përsëritet”.
Kështu e nis gazeta amerikane “New York Times” shkrimin mbi hezitimin e disa vendeve evropiane për të pranuar refugjatë në kohën e krizës së re që ka shpërthyer në Afganistanin tani të kontrolluar prej talebanëve.
Armin Laschet, i cili synon që ta pasojë Merkelin si kancelar pas zgjedhjeve të muajit të ardhshëm, e ka specifikuar qartë këtë qëndrim gjatë së hënës. Zyrtari kryesor i partisë i ka përdorur të njëjtat fjalë edhe më pas. Dhe ato i ka përsëritur edhe një ministër qeveritar, ka shkruar gazeta.
Deficit empatie
Rënia e Afganistanit në duart e talebanëve ka shtyrë me mijëra afganë të panikuar në kërkim të shtigjeve për ikje nga vendi. Por ngjarja ka panikuar edhe politikanët evropianë, të cilët janë të tmerruar prej një tjetër vale të zhvendosjes nga azilkërkuesit myslimanë.
Ata, sipas NYT-së, druajnë se emigrantët e rinj do t’i fryjnë stuhisë së lëvizjeve të së djathtës ekstreme dhe populizmit që i riformësuan politikat, pasi të ikurit nga luftërat në Siri dhe Irak kishin mësyrë Evropën më 2015.
Që atëherë gazeta kujton se mbështetja për partitë me qëndrime kundër emigracionit ka rënë, bashkë me numrin e emigrantëve. Mirëpo, teksa zgjedhjet e rëndësishme në Gjermani dhe në Francë po afrojnë, vija që po tërhiqet nga liderët evropianë është e hershme porse e vendosur. Afganët po hasin në një deficit të empatisë në Evropë, e cila mund të bëhet e pakapërcyeshme.
Dhe kjo gjë, vrojton gazeta, po ndodh ani pse Afganistani mund të përbëjë për Evropën një obligim moral dhe përgjegjësi edhe më të madhe sesa gjatë luftërave të tjera, ngase shumë prej vendeve i janë bashkuar pushtimit amerikan përbrenda një force të NATO-s, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
“Ne evropianët kemi qenë në atë vend për 20 vjet, natyrisht se kemi përgjegjësi morale, sidomos ndaj njerëzve që po ikin nga ky regjim i ri taleban”, ka thënë për “New York Times” Jana Puglierin, shefe e Zyrës në Berlin të Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë. “Dhe tani po themi, Afganistani nuk është problem yni”.
Shtetet e Bashkuara po përballen me një mëdyshje të ngjashme – nëse jo edhe më të theksuar – rreth pranimit të azilkërkuesve afganë. Pothuajse çdo kund qeveritë kanë shprehur gatishmëri të përgjithshme për t’i pranuar afganët që punuan përkrah forcave amerikane apo grupeve ndërkombëtare të ndihmës, por ofrojnë fare pak hollësi se si kjo gjë mund të ndodhë, shkruan NYT.
“Po flasim për mijëra, jo qindra e mijëra, që kanë nevojë për ndihmën tonë, janë njerëz që janë në listë ngase kanë punuar për ne”, ka thënë Gerald Knaus, shefi themelues i Iniciativës Evropiane për Stabilitet. Ai ka thënë për gazetën amerikane se është argument i paqëndrueshëm që të nxitet frika për një valë tjetër refugjatësh.
“2015-a nuk do të përsëritet”, ka thënë ai. “Krahasimi me vitin 2015 është sa krejtësisht çorientues aq edhe politikisht i rrezikshëm”.
Megjithëkëtë, situata po krahasohet, duke i reflektuar shqetësimet politike të viteve të fundit. Ishte Gjermania e Merkelit ajo që kishte hapur dyert për më shumë se një milion refugjatë më 2015 dhe 2016. Por, çështja ka ndarë Evropën në dysh, me ç’rast vendet e lindjes së kontinentit kanë kundërshtuar pranimin e të ardhurve dhe kanë ngritur mburoja me tela me gjemba përgjatë kufijve. Kësisoj, sipas gazetës, etnonacionalizmi ka zënë rrënjë të reja.
Frika nga ringjallja e së djathtës ekstreme
Tonet e ndryshuara në Berlin kundruall situatës së fundit veçse kanë bërë jehonë në pjesë të ndryshme të Evropës. Austria, e cila ishte një prej shtigjeve kryesore emigrantësh gjashtë vjet më parë, ka përjashtuar në mënyrë kategorike pranimin e ndonjë refugjati afgan. Greqia ka nxituar të qartësojë se nuk do të bëhet sërish “portë” për refugjatët që mësyjnë Evropën. Ndërsa Franca ka bërë thirrje për “një përgjigje të fuqishme” që do t’i mbante refugjatët sa më afër atdheut të tyre.
Por, ekspertët që kanë folur për NYT-në kanë paralajmëruar se përpjekjet për t’i mbajtur nën frerë partitë populiste mund të nxisin kundërpërgjigje. Nëse ndonjë parti do të përfitojë nga çështja në zgjedhjet gjermane atëherë ajo është “Alternativa për Gjermaninë” e së djathtës ekstreme, ka argumentuar Knaus.
Gjetkë, liderët evropianë druajnë se një tjetër valë e të mbërriturve mund të ringjallë partinë e Le Penit në Francë, ndërsa në Itali si “Ligën” ashtu edhe “Vëllezërit e Italisë” – që të gjitha të linjës ekstreme të së djathtës.
Në Austri, ministri i Brendshëm nuk ka përjashtuar mundësinë e pranimit të refugjatëve por ka lobuar për ngritjen e “qendrave të deportimit” në rajonet përreth Afganistanit.
“Nuk ka ndonjë arsye pse ndonjë afgan duhet të vijë tani në Austri”, ka thënë ministri Karl Nehammer gjatë një videokonference me ministrat e Brendshëm të BE-së.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili përballet me presionin nga Le Peni, ka thënë qartë: “Evropa nuk mund t’i bartë e vetme pasojat e rënies së Afganistanit”, ka shkruar “New York Times”.
Në vend të kësaj, ai ka nxitur BE-në që ta gjenerojë një “përgjigje të vendosur” kundruall çfarëdo fluksi të ri të emigrantëve nga Afganistani, nën të cilin vendet e transitit do të paguheshin për t’i mbajtur refugjatët. Një iniciativë, ka thënë Macroni të hënën, do të duhej ndërtuar mbi parimin “e bashkëpunimit me vendet transitore”, si Turqia, shtetet e Azisë Qendrore dhe Pakistani.
Ky duhet të jetë konsensusi që po ngrihet – ideja e evropianëve që bashkëpunojnë për mbajtjen e refugjatëve në rajonet e tyre.
“Zgjidhja duhet të jetë e përbashkët dhe duhet të jetë një zgjidhje evropiane”, ka thënë ministri grek i Migrimit, Notis Mitarachi. “Qartazi themi se nuk do të bëhemi dhe nuk mund të bëhemi portë drejt Evropës për refugjatët dhe emigrantët që mund të përpiqen të arrijnë në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai për transmetuesin shtetëror ERT.
Për ta arritur këtë, ministrat e Jashtëm të bllokut kanë mbajtur një takim të martën dhe kanë vendosur se Brukseli duhet të angazhohet me talebanët për shkaqe pragmatike, edhe para se Qeveria në Afganistan të formohet.
“Do të na duhet që të bisedojmë me ta me qëllim të angazhimit për dialog, sa më parë që të jetë e nevojshme, ashtu që të shmanget katastrofa humanitare dhe potencialisht edhe ajo me emigrantë”, ka theksuar shefi i BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Komisarja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, ka thënë se blloku do ta “intensifikojë” bashkëpunimin me vendet fqinje të Afganistanit – Pakistanin, Iranin dhe Taxhikistanin, ku veçse janë të strehuar shumë afganë, sikurse edhe në Turqi.
Aeroplani me të evakuuar të parë nga Afganistani ka aterruar në Frankfurt mëngjesin e së mërkurës, ka kujtuar gazeta. 19 refugjatët – tri familje dhe një baba me të bijën e tij – më vonë janë bartur në Hamburg, ku janë përgatitur strehime të përkohshme për 200 refugjatë.
Lascheti, një mbrojtës i vendosur i politikës së Merkelit për refugjatët më 2015, në fillim të javës tha prerazi: “Nuk duhet ta përçojmë sinjalin tani se Gjermania faktikisht mund t’i pranojë të gjithë ata që janë në nevojë”.
Porse në një miting fushate në veri të Gjermanisë gjatë së mërkurës ai në fakt ndryshoi tone.
“Si kancelar do të garantoj se gjithsecili prej atyre në listën me emra dhe atyre që kanë ndihmuar Gjermaninë do të pranohen në Gjermani”, i citon gazeta deklarimet e Laschetit.