Nga 6 qershori deri më 9 qershor në 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të votohet për përbërjen e re të Parlamentit Evropian. Këto zgjedhje do të formësojnë drejtimin e BE-së gjatë pesë vjetëve të ardhshëm
Evropianët në 27 shtete do të votojnë në qershor në zgjedhjet që do të kenë ndikim të gjerë në Bashkimin Evropian, por edhe përtej tij. Rreth 400 milionë votues nga Finlanda në veri e deri te Qipro në jug, Irlanda në perëndim e Bullgaria në lindje, kanë të drejtë vote.
Do të votohet për përbërjen e radhës të Parlamentit Evropian, lidhjen direkte mes evropianëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian.
Pse kanë rëndësi këto zgjedhje
Votimi i evropianëve do të formësojë drejtimin e BE-së gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, në çështjet si ndryshimet klimatike dhe migrimi, zgjerimi apo rritja e nacionalizmit.
Partitë e së djathtës dhe të së djathtës ekstreme janë rritur dukshëm nëpër Evropë, dhe kjo zhvendosje nga e djathta ka të ngjarë të reflektohet edhe në Parlamentin e ardhshëm Evropian.
Parlamenti, me seli në Bruksel dhe Strasburg, kalon ligjet që prek jetët e qytetarëve të BE-së dhe ka për detyrë ta miratojë buxhetin vjetor, që këtë vit arriti në 189 miliardë euro.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve po ashtu ka ndikim se kush do të jetë president i ardhshëm i Komisionit Evropian.
Si funksionon
Votimi nis të enjten, më 6 qershor në Holandë, pasuar nga Irlanda dhe Malta më 7 qershor dhe Letonia e Sllovakia më 8 qershor të shtunën. Shumë shtete anëtare të BE-së do të votojnë të dielën, më 9 qershor.
Shumica e votimeve përfundohen brenda një dite, ndonëse çekët do të kenë mundësi të votojnë të premten e të shtunën dhe italianët të shtunën e të dielën. Belgët nuk do të votojnë vetëm në zgjedhjet evropiane të dielën e 9 qershorit, por edhe në zgjedhjet nacionale dhe lokale.
Në shumicën e shteteve të BE-së duhet të jeni 18-vjeçar për të votuar, por nëse jeni 16-vjeçar mund të votoni në Gjermani, Austri, Belgjikë e Maltë, ndërsa në Greqi mosha minimale është 17-vjeçare. Në disa shtete, përfshirë Luksemburgun dhe Bullgarinë, votimi është i detyrueshëm.
Përbërja vendoset nga përfaqësimi proporcional, kështu që çdo votë ka rëndësi, megjithëse disa vende kanë një prag minimal elektoral deri 5 për qind. Pjesëmarrja mesatare në vitin 2019 ishte 50.7 për qind.
Deri në fund të 9 qershorit do të jetë e qartë se cilat parti kanë fituar 720 ulëset e Parlamentit Evropian. Janë 15 ulëse më tepër se në vitin 2019. Britania e Madhe kishte marrë pjesë në zgjedhjet e kaluara evropiane para se të largohej nga BE-ja, dhe disa nga ulëset e saj janë rishpërndarë ose mbahen si rezervë nëse BE-ja zgjerohet.
Numri i eurodeputetëve që ka çdo shtet është në përpjesëtim me popullatën. Gjermania, vendi më i madh i BE-së sa i përket popullatës, ka 96. Malta, Luksemburgu dhe Qiproja kanë numrin minimal, nga gjashtë eurodeputetë.
Sa i rëndësishëm është Parlamenti Evropian
Si i vetmi institucion i BE-së i zgjedhur drejtpërdrejt nga votuesit e 27 vendeve anëtare, Parlamenti Evropian lidh qytetarët evropianë me dy institucione të tjera të mëdha: degën ekzekutive të BE-së – Komisionin Evropian – dhe Këshillin, i cili përbëhet nga ministra të qeverive të BE-së.
Parlamenti Evropian formëson drejtimin e ligjeve dhe politikave të BE-së, duke amendamentuar e kaluar ligje dhe duke vendosur për marrëveshjet dhe zgjerimin. Ai duhet të miratojë buxhetin vjetor të BE-së dhe mund t’i kërkojë Komisionit të propozojë legjislacionin.
Eurodeputetët mbikëqyrin punën e Komisionit dhe Këshillit. Ata ndajnë përgjegjësinë me Këshillin për miratimin e ligjeve të paraqitura nga Komisioni.
Shumica e eurodeputetëve ulen në grupe politike që variojnë nga e majta në të djathtë, në vend se të ulen sipas kombësisë.
Cilat janë grupet kryesore politike
Tradicionalisht dy grupet më të mëdha janë ajo e qendrës së djathtë - Partia Popullore Evropiane (EPP) - dhe e qendrës së majtë - Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), por grupet e tjera janë rritur dukshëm.
Grupi liberal “Renew Europe” dhe Aleanca e Lirë e të Gjelbërve/Evropianë ishin grupet e tjera më të mëdha në Parlamentin e kaluar, por dy grupe të së djathtës kanë synime për të bërë përparim të madh.
Janë Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR) dhe grupi Identiteti dhe Demokracia (ID).
Dy grupe më të vogla gjithashtu luajnë një rol kyç. Njëri është grupimi më i vogël i krahut të majtë GUE/NGL, tjetri janë eurodeputetët që nuk janë të lidhur me asnjë grup – nga anëtarët e partisë nacionaliste të Hungarisë, Fidesz deri te një pjesë e vogël e separatistëve nga rajoni i Katalonjës në Spanjë.
Çfarë duhet pasur parasysh në këto zgjedhje
Megjithëse qëllimi kryesor i zgjedhjeve të qershorit është të vendoset për përbërjen e re të Parlamentit, votuesit shpesh përdorin rastin për t’iu dërguar një mesazh të qartë qeverive të shteteve të tyre.
Nga Italia deri në Francë, nga Austria deri në Belgjikë, nga Gjermania deri në Holandë dhe më gjerë, partitë në ekstremin e djathtë po synojnë përparime të dukshme.
Sondazhet sugjerojnë se dy grupet e së djathtës, ECR dhe ID, mund ta kalojnë qendrën e majtë dhe të bëhen forca e dytë më e madhe në Parlamentin Evropian.
Deri më tash qendra e djathtë ka pasur tendencë të punojë së bashku me qendrën e majtë, por EPP mund të jetë nën presion për të kërkuar aleatë të rinj nëse qendra e majtë performon keq.
Një lëvizje nga e djathta mund të vërë frena në planet për ligjet e reja për klimën dhe mund të ndikojë në legjislacionin social ose ekonomik. Përkrahja e fortë e BE-së për ndihmën financiare dhe ushtarake për Ukrainën mund të preket po ashtu.
Zgjedhja e presidentit të ri të Komisionit
Një nga detyrat e para të eurodeputetëve të rinj është të zgjidhet presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian. Presidentja aktuale, Ursula von der Leyen, po synon të marrë edhe një mandat.
Grupimet politike në BE mund të përdorin një sistem të “kandidatëve kryesorë” – siç bënë në vitin 2014.
Sipas këtij parimi, secili grup propozon një kandidat presidencial përpara zgjedhjeve dhe grupi me më së shumti vende në Parlament ka për ta pasur mandatin për ta zgjedhur presidentin e Komisionit Evropian.
Por, pesë vjet më parë, liderët kombëtarë të BE-së vendosën për Von der Leyenin, edhe pse ajo nuk ishte kandidate. Ata mund të heqin dorë nga “kandidatët kryesorë” edhe kësaj radhe.