Ku ishin Forcat Mbrojtëse të Izraelit, në ato orë kur militantët e Hamasit bridhnin sipas dëshirës rreth komuniteteve pranë Gazës, po pyesin disa.
“Ushtria ka dështuar plotësisht, si një forcë e reagimit të shpejtë”, ka thënë një izraelit, duke treguar se si disa nga vendet në Izrael që u sulmuan, duhej ta kishin mbështetjen e forcave të Mbrojtjes civile, teksa prisnin që ushtria të arrinte.
Duhet kohë për të pasur një përgjigje të plotë, se pse ndodhi kjo vonesë.
Mirëpo, duket sikur befasia, shkalla dhe shpejtësia e sulmit, i kanë mposhtur mbrojtjet të cilat ishin të ndara dhe të papërgatitura për atë me të cilën u përballën.
Inteligjenca izraelite dështoi të zbulonte planifikimin e sulmit nga Hamasi. Grupi duket se ka ndërmarrë një program afatgjatë mashtrimi, për të dhënë përshtypjen se ishte i paaftë për ta nisur një sulm.
Duket se praktikoi siguri të mirë operacionale, me gjasë, duke mos i përdorur as komunikimet elektronike.
Mijëra raketa u lëshuan si mbulim. Mirëpo ka pasur edhe sulme me dronë mbi pajisjet e monitorimit që Izraeli përdor për ta monitoruar murin kufitar.
Më pas, eksplozivët dhe automjetet e rënda krijuan rreth 80 çarje në murin e sigurisë.
U përfshinë gjithashtu edhe paraglajde, pasi rreth 800 deri në 1 mijë burra të armatosur u nisë nga Gaza për të sulmuar shumë vende në Izrael.
Këto taktika të shumta, duket se kanë arritur ta mposhtin mbrojtjen e Izraelit - të paktën për një kohë.
Kjo gamë e aktivitetit çoi në kaos brenda komandës dhe qendrave të kontrollit të Izraelit në mëngjesin e të shtunës, në një ditë feste fetare.
Disa nga luftëtarët e Hamasit shënjestruan komunitetet civile, ndërsa të tjerët shënjestruan poste ushtarake.
Vrimat në murin kufitar mbetën të hapura për një kohë mjaft të gjatë, për të lejuar marrjen e pengjeve në Gaza, përpara se tanket të përdoreshin përfundimisht për t’i mbyllur ato.
Mbrojtja duket se kanë qenë e arnuar - forcat izraelite të sigurisë dhe mbrojtjes muajt e fundit kanë qenë më të përqendruara në Bregun Perëndimor sesa në Gaza, duke lënë potencialisht boshllëqe.
Dhe Hamasi mund të ketë llogaritur edhe në ndarjet në shoqërinë izraelite mbi politikat e kryeministrit, Benjamin Netanyahu.
Aftësitë ushtarake dhe të inteligjencës së Izraelit janë vlerësuar prej kohësh si më të mirat në Lindjen e Mesme dhe një nga më të mirat në botë. Por, Izraeli mund të ketë nënvlerësuar aftësitë e kundërshtarëve të vetë.
Sulmet janë krahasuar me ato të 11 shtatorit në SHBA, kur askush nuk e kishte parashikuar se avionët mund të përdoreshin si armë. Kjo shpesh quhej “dështim i imagjinatës”.
Dhe një dështim i ngjashëm i imagjinatës mund të ketë qenë gjithashtu një nga problemet e Izraelit.
Këto shqetësime sigurisht që do të jenë pjesë e hetimeve afatgjata që do të ndodhin. Megjithatë, në afat të shkurtër, fokusi do të jetë në gjetjen e asaj që duhet bërë më pas.
Përktheu: Blerta Haxhiu