Stili i jetesës si “soft girl” ka qenë një “mikrotrend” në mediet sociale në pjesë të ndryshme të botës që nga fundi i viteve 2010. Por në Suedi, me pesë dekada politikash të krijuara për të promovuar familjet me të ardhura të dyfishta, popullariteti i fundit i konceptit ka shkaktuar habi dhe ndarje
Suedia ka një reputacion global për mbrojtjen e barazisë gjinore, por ajo që nxit dilema është se përse të rejat po përqafojnë një trend të mediave sociale që promovon lënien e punës.
Vilma Larsson, 25 vjeçe, më parë kishte punuar në një dyqan ushqimesh, një shtëpi kujdesi dhe në një fabrikë. Por ajo e la punën një vit më parë për t'u bërë një grua që qëndron në shtëpi, dhe thotë se nuk ka qenë kurrë më e lumtur.
“Jeta ime është më ‘e butë’. Unë nuk jam duke luftuar. Nuk jam shumë e stresuar”, thotë ajo.
I dashuri i saj është një financier që punon nga distanca, dhe ndërsa ai i kalon ditët duke qëndruar para laptopit, ajo është në palestër, për kafe ose duke gatuar. Ata janë rritur në qytete të vogla në Suedinë qendrore, por tani udhëtojnë shumë dhe po e kalojnë dimrin në Qipro.
“Çdo muaj më jep një pagë nga paratë e tij që ka fituar. Por nëse më duhen më shumë, i kërkoj sërish. Ose nëse kam nevojë për më pak, thjesht kursej pjesën tjetër,” shpjegon Larsson.
Ajo ndan stilin e saj të jetesës në Instagram, YouTube dhe TikTok, ku ka grumbulluar 11,000 ndjekës. Disa nga postimet e saj kanë pasur pothuajse 400,000 pëlqime, megjithëse ajo thotë se nuk po krijon të ardhura nga përmbajtja e saj.
Në postimet e saj, ajo përdor hashtags "hemmaflickvän" dhe "hemmafru" (suedisht për të dashurën dhe shtëpiaken, që rri në shtëpi) dhe e përshkruan veten si një “soft girl”. Kjo është një mënyrë e jetesës e njohur në rrjetet sociale, e bazuar qëllimshëm në një pamje të lezetshme. Të qenit “soft girl” gjithashtu mund të përfshijë një personalitet të butë, të ëmbël dhe të ndjeshëm.
Stili i jetesës si “soft girl” ka qenë një “mikrotrend” në mediet sociale në pjesë të ndryshme të botës që nga fundi i viteve 2010. Por në Suedi, me pesë dekada politikash të krijuara për të promovuar familjet me të ardhura të dyfishta, popullariteti i fundit i konceptit ka shkaktuar habi dhe ndarje.
Rezultatet e sondazheve
“Ungdomsbarometern” - sondazhi më i madh vjetor i të rinjve në Suedi, vuri për herë të parë në qendër të vëmendjes kombëtare suedezet që përqafonin trendin e “soft girl”, një vit më parë, pasi u bë një zgjedhje popullore, ku 15 deri në 24-vjeçareve iu kërkua të parashikonin tendencat për vitin 2024.
Një studim tjetër i lëshuar nga “Ungdomsbaromatern” këtë gusht thotë se madje po bëhej një aspiratë mes nxënëseve më të reja, teksa 14% të 7-14-vjeçareve identifikoheshin si “soft girl”.
Vilma thotë se vuri re që nëna, motra dhe gjyshja ishin të stresuara nga puna.
“Kjo ka të bëjë me animin nga ky ideali ‘vajza shefe’ që e kemi parë prej shumë vitesh, ku ka kërkesa shumë, shumë të larta për sukses në çdo aspekt të jetës”, shpjegon Johanna Göransson, studiuese për “Ungdomsbarometern”.
Nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e “soft girl” të reja që lënë fare punën dhe jetojnë me partnerët e tyre ashtu si Larsson, dhe Göransson thotë se ka të ngjarë që të bëhet fjalë për një përqindje të vogël.
Por megjithatë çështja është bërë pikë kryesore bisedash në Suedi, duke filluar nga artikujt e opinionit në gazetat e përgjithshme, tek diskutimet në panel në Almedalen – një ngjarje e madhe politike vjetore ndërpartiake, dhe në televizionin publik suedez.
Gudrun Schyman, bashkëthemeluesja dhe ish-udhëheqësja e partisë feministe të Suedisë “Feministiskt”, thotë se ajo ka marrë pjesë në debatet e fundit mbi këtë çështje. Ajo beson se fakti që gratë jetojnë nga pasuria e partnerit të tyre është “shumë i rrezikshëm” dhe “një hap prapa” për barazinë gjinore.
Schyman argumenton se të rinjtë suedezë janë ndikuar nga Qeveria e koalicionit të krahut të djathtë të vendit, e cila bashkëpunon me partinë nacionaliste “Demokratët e Suedisë”, si dhe nga “zhvillimi më i gjerë” i populizmit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo gjithashtu mendon se ka mungesë ndërgjegjësimi për jetën në Suedi, pasi shteti ka krijuar politika për të promovuar barazinë gjinore, të tilla si kujdesi për fëmijët me subvencionim të madh dhe leja e përbashkët prindërore.
“Gratë e reja sot nuk mbartin historinë se si gratë duhej të luftonin për të drejtat e tyre, të drejtën për të punuar, të drejtën për të pasur rrogë dhe të drejtën për pavarësi ekonomike”, thotë Schyman.
Johanna Göransson thotë se disa gra suedeze duan të shpëtojnë nga presioni për të qenë të suksesshme në punë.
Në anën tjetër të spektrit politik, Partia Demokratike Suedeze ka qenë pozitive ndaj trendit të “soft girl”.
"Unë mendoj se njerëzit duhet të vendosin për jetën e tyre”, thotë Denice Westerberg, zëdhënëse kombëtare për krahun rinor të partisë.
“Dhe nëse e keni atë mundësi ekonomike për ta bërë këtë, pra të jetuarit nga të ardhurat e partnerit, atëherë kjo është e mirë për ty”, thotë ajo.
“Ne ende jetojmë në një vend me të gjitha mundësitë për të pasur një karrierë. Ne ende i kemi të gjitha të drejtat, por kemi edhe të drejtën të zgjedhim të jetojmë më tradicionalisht”, shton ajo.
Përveç debateve ideologjike, diskutimet janë fokusuar në faktorët socialë dhe kulturorë që mund të ndikojnë që gratë e reja të lënë punën, ose të paktën të aspirojnë për një mënyrë jetese “më të butë”.
Reputacioni i Suedisë
Suedia ka një reputacion ndërkombëtar për bilancin në zhvillimin e punës. Shumica e punonjësve marrin gjashtë javë pushim në vit dhe më pak se 1% e tyre punojnë më shumë se 50 orë në javë.
Megjithatë, hulumtimi i “Ungdomsbaromatern” sugjeron rritje të niveleve të stresit te të rinjtë dhe Göransson beson se tendenca e “soft girl” mund të jetë një zgjatje e tendencave të fundit globale të punës, si “lënia e qetë e punës”, e cila inkurajon punonjësit të mos e teprojnë duke lodhur veten.
Ndërkohë, grupmosha e Gjeneratës Z (ata të lindur midis 1997 dhe 2012) po krijon dhe po ndikohet nga përmbajtje të medieve sociale që feston për kohën e lirë dhe jo për objektivat e karrierës.
“Puna në të vërtetë nuk paraqitet aq shumë, dhe nëse shikoni përmbajtjen e stilit të jetesës në mediet sociale sot, ka të bëjë shumë më tepër me stërvitjen dhe mirëqenien”, shpjegon Göransson.
“Dhe nëse kjo është pamja që kanë të rinjtë se si duket një jetë normale, atëherë, sigurisht, që ata nuk do të jenë aq të emocionuar për të kaluar tetë orë në një zyrë në ditë”, shton ajo.
Por ndoshta pika më e madhe e diskutimit është nëse trendi është një përgjigje ndaj kufizimeve të politikave pioniere të barazisë gjinore të Suedisë.
Krahas Sllovenisë, Suedia ka përqindjen më të lartë të nënave që punojnë në Evropë, megjithatë statistikat e Qeverisë sugjerojnë se gratë në çiftet heteroseksuale ende bëjnë një pjesë më të madhe të punëve të shtëpisë dhe kujdesit ndaj fëmijëve në krahasim me burrat.
Ato gjithashtu marrin 70% të pushimit të lindjes të financuar nga shteti dhe kanë më shumë gjasa të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të stresit. Ndërkohë, megjithëse hendeku i të ardhurave midis burrave dhe grave mbetet më i ulët se mesatarja e BE-së prej 12.7%, ai ka ngecur në rreth 10% që nga viti 2019.
Larsson, e cila dëshiron të ketë fëmijë në të ardhmen, thotë se vendimi i saj për t'u bërë një e dashur që qëndron në shtëpi është pjesërisht për shkak të shikimit të grave të moshuara që luftojnë për të mbajtur edhe karrierën edhe jetën shtëpiake.
"Unë mendoj se shumë gra ndihen të djegura nga puna e tyre. Dhe unë mendoj vetëm për nënën time dhe nënën e saj, gjyshen time, dhe motrën time, të gjitha. Ato janë gjithmonë shumë të stresuara”, shprehet ajo.
Në Agjencinë Suedeze për Barazinë Gjinore të financuar nga shteti, Peter Wickström, kreu i departamentit për analizën dhe monitorimin e politikave, beson gjithashtu se tendenca e “soft girl” mund të shihet si një “reagim racional” ndaj “kërkesave” të përjetuara nga gratë e reja.
Shoka Ahrman, një ekonomiste në një nga fondet më të mëdha të pensioneve të Suedisë, SPP, thotë se nuk beson se do të ketë ndonjë ndikim në ekonominë e vendit lënia e punës nga gratë suedeze.
Megjithatë, ajo po punon për të rritur ndërgjegjësimin e grave suedeze se largimi nga fuqia punëtore (si dhe puna me kohë të pjesshme) mund të ndikojë në financat e tyre personale, duke nisur nga kursimet dhe pensionet, deri te nivelet e pagave nëse kthehen në punë.
Ahrman shpreson se debatet aktuale të “soft girl” do të shërbejnë si një thirrje zgjimi si për politikanët ashtu edhe për bizneset, se ka ende punë për të bërë për të trajtuar pabarazitë strukturore të vazhdueshme në Suedi.