Statuja e një tregtari të skllevërve në Bristol është hequr dhe është hedhur në liman, gjatë ditës së dytë të protestave anti-raciste në Britani të Madhe, njofton BBC.
Rrwzimi i statujws ka ndodhur pasi protestat kryesisht paqësore, në Londër, të shtunën, përfunduan me përleshje me policinë.
Cressida Dick nga policia Metropolitane u ka bërë thirrje protestuesëve të gjejnë një mënyrë tjetër që të bëjnë të dëgjohen.
Mirëpo, mijëra protestues u mblodhën në ditën e dytë jashtë ambasadës së SHBA-së në Londër, para se të shkonin në drejtim të Whitehallit.
Protesta janë mbajtur edhe në Manchester, Wolverhampton, Nottingham, Glasgow e Edinburgh.
Në Bristol, protestuesit kanë përdorur litar për të rrëzuar statujën e bronztë të Edward Colstonit, një tregtar i njohur i skllevërve në shekullin e 17-të.
Colston ishte anëtar i Royal African Company, që besohet se ka transportuar rreth 80 mijë meshkuj, femra dhe fëmijë nga Afrika për në Amerikë.
Ai vdiq në vitin 1721, ndërsa kishte lënë pasurinë e tij në organizata bamirëse dhe trashëgimia e tij ende mund të shihet në rrugët e Bristolit, memorialët dhe ndërtesat.
Pasi statuja u rrëzua, protestuesit pozuan duke vendosur gjurin në qafën e statujës. Statuja më pas u tërhoq nëpër rrugët e Bristolit para se të hidhej në liman. Policia lokale ka thënë se do ta hetojë rastin e rrëzimit të statujës.