Lufta në Gaza ka nxitur protesta të shumta në universitetet amerikane, raporton BBC.
Dhjetëra studentë janë arrestuar në protestat e mbajtura në Universitetin Yale të Connecticutit, ndërsa në Universitetin Columbia janë anuluar ligjëratat.
Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në kolegje të tjera të larta në të gjithë vendin, përfshirë në New York.
Demonstratat dhe debatet e nxehta rreth luftës Izrael-Gaza dhe liria e fjalës kanë tronditur kampuset e universiteteve të SHBA-së që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, i cili nxiti luftën e Izraelit në Gaza.
Në SHBA, studentët thonë se ka pasur rritje të incidenteve antisemitike dhe islamofobike që atëherë.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i ka dënuar protestat dhe i ka cilësuar ato si antisemitike duke thënë se studentët nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh me palestinezët.
Disa orë më parë, rreth 50 protestues u arrestuan në Universitetin Yale në New Haven, ku autoritetet thanë se qindra njerëz ishin mbledhur, shumë prej të cilëve kanë refuzuar kërkesat për t’u larguar.
Protestues pranë Universiteti Columbia kanë shprehur mbështetje për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit.
Kongresmenja demokrate, Kathy Manning, e cila vizitoi Universitetin Columbia të hënën, ka thënë se kishte parë protestues që bënin thirrje për shkatërrimin e Izraelit.
Anëtarët e grupeve të protestës që kanë dhënë deklarata publike kanë mohuar antisemitizmin, duke argumentuar se kritikat e tyre janë të rezervuara për shtetin izraelit dhe mbështetësit e tij.
Në një deklaratë të dhënë të dielën, studentët e Univeristetit Columbia për Drejtësi në Palestinë kanë thënë se ata refuzojnë me vendosmëri çdo formë të urrejtjes.
Ka pasur edhe demonstrata më të gjera në SHBA për ngjarjet në Lindjen e Mesme.
Së fundmi protestuesit pro-palestinezë bllokuan rrugët kryesore në të gjithë vendin, duke kufizuar hyrjen në aeroporte duke përfshirë O'Hare International të Çikagos dhe Seattle-Tacoma International, si dhe urën Golden Gate në San Francisko dhe Brooklyn Bridge në New York.