Botë

Protesta masive në prag të përvjetorit të luftimeve në Gaza

protesta gaza

Në shumë qytete të Perëndimit kanë nisur protestat pro-palestineze, në prag të përvjetorit të sulmit të Hamasit në Izrael, pas të cilit forcat izraelite u kundërpërgjigjën duke vrarë rreth 40 mijë palestinezë. Tubimet masive pritet të arrijnë kulmin të hënën, në datën e përvjetorit

Autoritetet policore kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit e dhunshëm në Romë, ndërsa dhjetëra mijëra protestues pro-palestinezë dolën në rrugë në qytetet kryesore evropiane dhe në mbarë globin të shtunën për të bërë thirrje për armëpushim në përvjetorin e parë të sulmeve të Hamasit në Izrael, që më pas i shërbeu këtij shteti për sulme masive në Gaza, të cilat vranë më shumë se 35 mijë civilë.

Tubimet masive ishin planifikuar në disa qytete evropiane nga e shtuna deri të hënën. Ngjarjet pritet të arrijnë kulmin të hënën, në datën e përvjetorit.

Në Romë,  mijëra  njerëz demonstruan në mënyrë paqësore pasditen e së shtunës derisa një grup më i vogël u përpoq të shtynte tubimin drejt qendrës së qytetit, pavarësisht nga ndalesa që u bë prej autoriteteve lokale, nën arsyetimin për shqetësime rreth sigurisë.

Disa protestues, të veshur me të zeza dhe me fytyrë të mbuluar, hodhën shishe dhe letra ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës duke shpërndarë përfundimisht turmën.

Tubimi në Romë ka qenë i qetë. Protestuesit kanë brohoritur “Palestinë e lirë, Liban i lirë”, dhe kanë valëvitur flamujt palestinezë dhe kanë mbajtur pankarta që bënin thirrje për ndalimin e menjëhershëm të konfliktit.

Në Londër, mijëra  protestues u mblodhën në sheshin “Russell” mes një pranie të konsiderueshme policie.

Atmosfera ka qenë e tensionuar. Përleshjet shpërthyen pasi oficerët e policisë i shtynë aktivistët që përpiqeshin ta kalojnë një kordon. Pesëmbëdhjetë persona u arrestuan nën dyshimin për shkelje të rendit publik dhe sulm, bëri të ditur Policia Metropolitane e Londrës.

Në qytetin verior gjerman të Hamburgut, rreth 950 njerëz organizuan një demonstratë paqësore, e të cilët mbajtën në duar flamuj palestinezë dhe libanezë dhe brohoritën “Stop gjenocidit”, njoftoi agjencia e lajmeve DPA.

Disa mijëra protestues u mblodhën në një protestë paqësore në “Republique Plaza” të Parisit në një shfaqje solidariteti me popullin palestinez dhe libanez. Shumë prej tyre valëvitën flamujt palestinezë ndërsa mbanin postera ku kanë shkruar “Ndaloni gjenocidin”, “Palestinë e lirë” dhe “Mos e prek Libanin”.

Demonstruesit pro-palestinezë planifikuan gjithashtu të bashkoheshin në tubime në Uashington, “Times Square” të Nju Jorkut dhe disa qytete të tjera në Shtetet e Bashkuara, si dhe në pjesë të tjera të botës, duke përfshirë Danimarkën, Zvicrën, Afrikën e Jugut dhe Indinë. Në Filipine, dhjetëra aktivistë të krahut të majtë protestuan pranë ambasadës së SHBA-së në Manila, por policia i pengoi të afrohen pranë kompleksit bregdetar.