Botë

Protesta kundër Netanyahut edhe në aeroportin e Izraelit

Protestat kundër planeve të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për dobësimin e Gjykatës Supreme kanë vazhduar në aeroportin ndërkombëtar Ben Gurion në Tel-Aviv.

Protestuesit me automjete kanë bllokuar përkohësisht hyrjen e aeroportit dhe janë shprehur kundër vizitës së Netanyahut në Gjermani.

Ai të enjten pritet të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ndërkaq është paralajmëruar protestë e madhe e izraelitëve edhe në Berlin.

Kryeministri izraelit gjatë javëve të ardhshme pritet ta vizitojë edhe Britaninë e Madhe.

Plani i Netanyahut për të dobësuar Gjykatën Supreme ka zhytur Izraelin në një prej krizave më të thella shtetërore.

Përveç protestave të mëdha që janë mbajtur në të gjitha qytetet, kundër këtij plani janë shprehur edhe liderët e bizneseve dhe njohësit e juridikut që kanë thënë se është plan shumë i rrezikshëm i kryeministrit.

Kjo krizë ka prekur edhe ushtrinë izraelite, në të cilën disa rangje janë shprehur kundër planit të qeverisë për dobësimin e Gjykatës Supreme.