Botë

Prokuroria kërkon 7 vjet burgim për Sarkozyn

Nicolas Sarkozy

Prokurorët francez të enjten kanë kërkuar dënim prej shtatë vjetësh burgim dhe 300,000 euro gjobë për ish-presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy nën dyshime se ka marrë miliona euro nga ish-diktatori i Libisë, Muammar Gaddafi për t’i ndihmuar në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2007.

Sarkozy ka qenë në gjyq që nga janari nën dyshimet për “mbulim të përvetësimit të fondeve publike, korrupsion pasiv, financim ilegal të fushatës”.

Prokurori financiar, Sebastien de La Touanne, i ka përshkruar akuzat ndaj Sarkozys dhe 12 të dyshuarve të tjerë si “korrupsion të intensitetit të lartë”.

De La Touanne ka thënë se Sarkozy ka kryer “një pakt korrupsioni me një nga diktatorët më të padëshiruar të 30 vjetëve të fundit”.

Po ashtu prokurorët kanë kërkuar një ndalim pesëvjeçar për post publik dhe shfrytëzimin e disa privilegjeve.

Jashtë gjykatës, avokatët e Sarkozys kanë deklaruar se dënimet e kërkuara ishin shumë të ashpra dhe të pabaza.

“Ai është i pafajshëm”, ka deklaruar avokati Christophe Ingrain.

Sarkozy ka deklaruar përmes rrjetit social Facebook, se çështja ishte e motivuar politikisht dhe se ai do të luftojë për të vërtetën dhe se beson në dijen e gjykatës.

Prokurorët kanë kërkuar nga një dhe gjashtë vjet burgim dhe gjoba që arrin deri në 150,000 euro për ish dorën e djathtë të Sarkozys, Claude Gueant, ish-ministrin Brice Hortefeux dhe ish-udhëheqësin e financave të fushatës së Sarkozys, Eric Woerth.