Botë

Prokurori i GJND-së s’sheh “përpjekje të vërteta” nga Izraeli për t’i hetuar krimet e luftës në Gaza

Karim Khan

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Karim Khan, ka mbrojtur vendimin e tij për të ngritur akuza për krime lufte ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se Izraeli nuk ka bërë “përpjeke reale” për t’i hetuar vetë akuzat, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Në një intervistë me Reuters, ai është shprehur i vendosur për urdhërarrestin ndaj Netanyahut, pavarësisht se javën e kaluar Dhoma e Përfaqësueseve e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka votuar për të sanksionuar GJND-në në shenjë proteste ndaj vendimit, lëvizje të cilën Khan e ka përshkruar si “të padëshiruar dhe e jo të mirëpritur”. 

GJND-ja ka lëshuar urdhërarrest për kryeministrin izraelit, ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe udhëheqësin e Hamasit Ibrahim Al-Masri, gjatë nëntorit të kaluar nën dyshimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Gaza.

SHBA-ja dhe Izraeli nuk e pranojnë autoritetin e GJND-së. Ashtu si SHBA-ja, edhe Izraeli nuk është anëtar i GJND-së dhe të dy vendet nuk e njohin juridiksionin e saj. Izraeli i ka mohuar akuzat për krime lufte. 

“Ne qëndrojmë si gjykatë e fundit dhe... deri sa ne flasim, ne nuk kemi parë përpjekje reale nga shteti i Izraelit për të vepruar në përputhje me ligjet, që janë hetime në lidhje me të njëjtit të dyshuar për të njëjtin veprim” ka thënë Khan për Reuters. 

“Kjo mund të ndryshojë dhe shpresoj që do të ndodhë”, ka shtuar ai në intervistën e dhënë të enjten, një ditë pasi Izraeli dhe grupi militant palestinez Hamas kanë arritur një marrëveshje për armëpushim në Gaza.

Sipas tij një hetim izraelit do të kishte mundësuar transferimin e çështjes në gjykatat izraelite, nën principet e ashtuquajtura plotësuese. Khan ka theksuar se edhe pas lëshimit të urdhërarresteve, Izraeli mund të demonstrojë vullnetin e tij të hetojë. 

GJND-ja, me 125 vende anëtare, është Gjykata e përhershme botërore që ka juridiksion për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe agresion.

Khan ka thënë se Izraeli ka ekspertizë shumë të mirë ligjore.

“Pyetja që unë kam është se këta gjyqtarë, këta prokurorë, këto instrumente ligjore a janë përdorur si duhet për t'i shqyrtuar akuzat, për ato që ne kemi parë në territoret e pushtuara palestineze, në shtetin e Palestinës? Dhe mendoj se përgjigjja ishte jo”.

Rikthimi i Trumpit

Përkrahja e sanksionimit të GJND-së nga Dhoma e Përfaqësueseve në SHBA me 9 janar shënon mbështetje të madhe për qeverinë e Izraelit në mesin republikanëve të presidentit të zgjedhur Donald Trump. 

GJND-ja ka deklaruar se akti ishte shqetësues dhe paralajmëroi se mund të ndikojë në vjedhjen e drejtësisë dhe shpresës nga viktimat e krimeve. 

Administrata e parë e Trumpit pati sanksionuar GJND-në gjatë hetimit për krime lufte në Afganistan gjatë 2020-tës, duke përfshirë edhe dyshime për tortura nga qytetarët e SHBA-së. Këto sanksione u larguan gjatë presidencës së Joe Bidenit.

Pesë vjet më herët, prokurorit të atëhershëm Fatou Bensouda dhe stafit shtesë iu bllokuan kartelat dhe llogaritë bankare, dhe iu ndalua udhëtimi në SHBA. Sanksionet e radhës nga administrata e Trumpit priten të jenë më të ashpra.