Botë

Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron për krizë urie në Gaza

Uria në Gaza

Gaza veriore është duke përjetuar  “uri të plotë” e cila po përhapet me shpejtësi në të gjithë territorin pas gati shtatë muajsh lufte, paralajmëroi Programi Botëror i Ushqimit në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ndërsa negociatorët takohen në Kajro me shpresën për të rënë dakord për një armëpushim në konfliktin që shpërtheu në territor.

Vërejtjet kanë sjellë në fokus të qartë shkallën e katastrofës humanitare që po shpaloset.

“Sa herë që keni konflikte të tilla, përballemi me urinë”,  ka theksuar drejtoresha ekzekutive e WFP-së, Cindy McCain për “Meet the Press” të NBC-së në një klip të publikuar përpara intervistës që transmetohej të dielën. 
“Ajo që mund t’ju shpjegoj është se ka zi buke - uri të plotë në veri dhe po shkon drejt jugut”.

Ndërsa vërejtjet e McCainit nuk përbëjnë një deklaratë zyrtare të urisë, ajo tha se ato bazoheshin në atë që stafi i WFP-së ka parë në terren, raporton CNN.

“Është tmerr”,  tha ajo për situatën në Gaza.

McCain tha se WFP - ja po kërkon një armëpushim dhe “qasje të papenguar” në Gaza pasi dërgimi i ndihmës në territor ka qenë jashtëzakonisht i vështirë.

Izraeli është përballur me presion në rritje javët e fundit për të lejuar ndihmën në Gaza pasi sulmet e tij ushtarake vranë shtatë punonjës të “World Central Kitchen”, një organizatë bamirëse me bazë në SHBA.

Agjencitë e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar prej kohësh për një krizë humanitare në Rripin e Gazës nën sulmin ushtarak të Izraelit, e nisur si përgjigje ndaj sulmeve të 7 tetorit të udhëhequr nga Hamasi. Më shumë se 34.600 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza që nga 1 maji, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës.

Gjatë rrjedhës së luftës, më shumë se 1.9 milionë palestinezë janë zhvendosur me forcë, sipas OKB-së, me shumë të strehuar në kampe të  vogla me tenda që nuk plotësojnë as kushtet elementare. E gjithë popullsia prej më shumë se 2.2 milionë njerëz është tani në rrezik nga uria dhe të paktën 30 fëmijë kanë vdekur tashmë nga kequshqyerja dhe dehidratimi.

Shqetësimet janë rritur gjithashtu për një operacion të parashikuar ushtarak izraelit në Rafah të Gazës jugore,  teksa vazhdimisht po bëhen thirrje për armëpushim.