Profesori izraelit Gal Luft, i cili kërkohet nga autoritetet amerikane për trafik armësh, është zhdukur në Qipro pasi u lirua me kusht nga një gjykatë në Larnaca.
Luft u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Larnacës, në Qipron jugore, pasi Interpoli lëshoi një urdhërarrestim me dyshimin për kontrabandë armësh në Libi dhe Kinë. Më pas ishte planifikuar ekstradimi i tij në Shtetet e Bashkuara.
Ai u lirua nga Gjykata e Qarkut të Larnacës në pritje të një kërkese për ekstradim nga SHBA-ja, pasi e urdhëroi atë të paguante 400 mijë euro si garanci dhe të paraqitej në Stacionin Qendror të Policisë së Pafos, ku jetonte në atë kohë, në intervale të rregullta.
Më 28 mars, Luft nuk u paraqit në stacionin policor të Paphos siç kërkohej. Në të njëjtën ditë, avokati i tij e shpalli Luftin person të zhdukur dhe shprehu shqetësimin për jetën e klientit të tij.
Automjeti i braktisur i Luft u zbulua një ditë më vonë dhe sipas burimeve të mediave qipriote, policia po shqyrton mundësinë që Luft të jetë larguar nga vendi.
Duke qenë se Lufti nuk u paraqit në gjyqin e 3 prillit, 400 mijë eurot që ai kishte dhënë si garanci i ishin ngrirë.
Zëdhënësi i policisë së Larnacës, Haris Hadjiyiasemi, ka thënë se kundër tij është lëshuar një tjetër urdhërarrest evropian dhe ndërkombëtar.
Luft ka mohuar akuzat e ngritura kundër tij, duke konfirmuar se “kurrë nuk ka qenë tregtar armësh” dhe duke pretenduar më tej se Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së “po përpiqet të më varros mua për të mbrojtur presidentin amerikan Joe Biden dhe familjen e tij”.
Luft, një autor dhe ekspert për sigurinë energjetike dhe diplomacinë, shërben si bashkëdrejtor i Institutit për Analizën e Sigurisë Globale (IAGS) me qendër në Uashington, një institut kërkimi i fokusuar në energjinë, sigurinë dhe tendencat ekonomike, sipas faqes së tij të internetit.
Në të kaluarën, ai ka kritikuar publikisht politikën e jashtme amerikane, si dhe administratën e Bidenit në tërësi. Në samitin e Pekinit të vitit 2021, të titulluar “Forumi Ndërkombëtar për Demokracinë: Vlerat e Përbashkëta Njerëzore”, Luft akuzoi administratën e Bidenit për një angazhim ndaj demokracisë që shkon vetëm aq sa lejojnë interesat e saj.