Një aeroplan egjiptian pasagjerësh ka aterruar të dielën në Izrael në fluturimin e parë direkt ndërmjet Kajros dhe Tel-Avivit. Aeroplani është pritur me përshëndetje speciale në aeroportin ndërkombëtar, “Ben Gurion” në Izrael.
Sipas mediave lokale, ishte aterrimi i parë në aeroportin izraelit. Lidhja direkte do të realizohet një herë në javë. Muajin e kaluar, kryeministri izraelit, Naftali Benet, vizitoi Egjiptin për bisedime me presidentin egjiptian, Abdel-Fetah el-Sisi, në rezortin e Detit të Kuq në Sharm el-Sheik.
Ishte vizita e parë zyrtare e një kryeministri izraelit prej vitit 2010, kur presidenti i atëhershëm Hosni Mubarak e kishte ftuar në samit Benjamin Netanjahun dhe presidentin palestinez, Mahmud Abbas, bashkë me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. Më 1979, Egjipti u bë shteti i parë arab që arriti marrëveshje paqësore me Izraelin.