Intervista e nënës u transmetua të premten në një kohë kur po shtohen pyetjet për veprimet e forcave policore gjatë të shtënave tre ditë më parë. Njerëzit po shfaqen të habitur e të nervozuar se si personi i armatosur qëndroi për një orë brenda shkollës, ndërsa policët qëndronin larg
Nëna e 18-vjeçarit që qëlloi për vdekje 19 fëmijë dhe dy mësuese të tyre në një shkollë të Teksasit ka kërkuar falje për aktin e të birit. “Më falni. Falni djalin tim”, ka thënë ajo. Adriana Martinez dukej e shtangur e me lot teksa ka folur nga vetura e saj për “Televisa” në gjuhën spanjolle. “Nuk kam fjalë, nuk e di çfarë po mendonte ai”.
Intervista e saj u transmetua të premten në një kohë kur po shtohen pyetjet për veprimet e forcave policore gjatë të shtënave tre ditë më parë. Njerëzit po shfaqen të habitur e të nervozuar se si personi i armatosur qëndroi për një orë brenda shkollës, ndërsa policët qëndronin larg.
“Ai kishte një arsye për të bëmat e tij. Ju lutem të mos e gjykoni. Vetëm dua që fëmijët e pafajshëm që vdiqën të më falin mua”, ka thënë ajo.
Më herët gjatë javës, Salvador Ramos, që së voni mbushi 18 vjet, qëlloi gjyshen e tij në kokë, para se të shkonte në shkollën fillore “Robb” në Uvalde, që shtrihet në afërsi të kufirit Teksas-Meksikë.
I armatosur rëndë, sulmuesi vrau 19 fëmijë të moshave 8 deri 10 vjeç, dy mësuese, ndërsa plagosi 17 të tjerë. Në fund u qëllua për vdekje nga një agjent federal në një klasë.
E pyetur nga një gazetare se çfarë do t’u thoshte Martinezi familjeve që humbën fëmijët dhe më të dashurit ajo u përgjigj: “Më falni. Faleni djalin tim. E di se ka pasur arsyet e tij”.
“Çfarë arsye mund të kishte”, ishte pyetja që pasoi.
“Për t’u afruar me ata fëmijë në vend që t’u kushtojë vëmendje gjërave të tjera të këqija... S’kam fjalë. Unë nuk e di”, u përgjigj ajo duke qarë.
Rrëfimi i babait
Në një intervistë tjetër, për “Daily Beast”, babai i sulmuesit, me të njëjtin emër, po ashtu kërkoi falje për të bëmat e djalit të tij. “Vetëm dua që njerëzit të dinë se sa keq më vjen për atë që bëri djali im”, u shpreh ai.
“S’kam menduar kurrë se djali im do të bënte diçka të tillë. Ai është dashur të më vriste mua, në vend se t’ia bënte dikujt tjetër këtë”, ka shtuar babai i sulmuesit.
Babai 42-vjeçar ishte në punë kur djali i tij kreu krimin. E kuptoi vetëm kur nëna e tij e thirri për ta lajmëruar. Përmes thirrjeve në burgje u përpoq të kuptonte nëse djali i tij ishte aty, por më pas kuptoi se djali i ishte vrarë.
“Nuk do ta shoh kurrë djalin tim, sikur që s’do t’i shohin ata fëmijët e tyre. kjo më dhemb”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kërkesat për përgjigje nga autoritetet kanë nisur të shtohen, pasi doli se zyrtarët policorë dhe oficerët e trajnuar për sulme të tilla nuk parandaluan masakrën.

Vonesa e policisë
Victor Escalon, drejtor rajonal për sigurinë e publikut në Teksasin jugor, u shpreh se zyrtarët e armatosur arritën në shkollë rreth katër minuta pasi sulmuesi hyri në shkollë nëpërmjet një dere të hapur - e që do të duhej të ishte e mbyllur – rreth orës 11:40 sipas kohës lokale të martën.
Megjithatë, kaloi “gati një orë” që një ekip taktik i Patrullës Kufitare të arrinte në shkollë, të hynte në klasë e të vriste personin e armatosur. Policia e armatosur po priste jashtë.
Escalon nuk ka ofruar detaje në konferencën për media të enjten kur është pyetur nga gazetarët se çfarë ka ndodhur, përfshirë mënyrën se si një polic i armatosur ka tentuar ta ndalte vrasësin para se ai t’i afrohej shkollës, mirëpo pastaj ka treguar krejt të kundërtën.
Në fakt, askush nuk e ka penguar atë. Duke tentuar t’u përgjigjej mediave, shefi policor ka thënë: “A ka mundur të shkonte dikush më herët në klasë? Duhet ta kuptoni se ky është qytet i vogël”. Gjithashtu, është zbuluar se prindërit e fëmijëve të ngujuar brenda shkollës teksa 18-vjeçari po bënte kasaphanë, u kishin bërë thirrje policëve që të bëjnë më shumë për të parandaluar masakrën më të madhe.
Motivet e sulmit nuk janë bërë të ditura deri më tani. Mirëpo, disa shenja nëpër internet nuk ka mundur t’i vërejë askush. Ishte një fotografi e tij në Instagram duke mbajtur një karikator. Ndërkaq, profili i tij në TikTok paralajmëronte: “Fëmijë duhet të jeni të frikësuar”.
“Kur dikush nis të postojë fotografi të armëve që sapo kanë blerë, ata paralajmërojnë botën se po ndryshojnë veten”, ka thënë Katherine Schweit, agjente e pensionuar e FBI-së. “Padyshim se është thirrje për ndihmë. Është paralajmërim: ‘a mund të më kapësh’”, ka shtuar ajo.
Postimet e tilla shpesh janë të humbura në listën e pafundme të fotografive në Instagram, të cilat shfaqin automatikë, revole e armatim. Madje, është edhe një hashtag i popullarizuar për përdoruesit e Instagramit që çdo ditë postojnë fotografi armës. Ka më shumë se 2 milionë postime. Për autoritetet e rendit dhe kompanitë e rrjeteve sociale, shfaqja e një arme nga një vrasës potencial në masë, është sikur shenja në rërë, ka thënë Schweit.
Ajo u ka bërë thirrje prindërve, mësuesve dhe miqve të vrasësve potencialë që të raportojnë këto lloje të postimeve te policia apo edhe FBI-ja. Më 20 maj, ditën kur zyrtarët thanë se vrasësi bleu armën e tij të dytë, fotografitë e dy automatikëve u postuan në Instagramin e tij. Ai përmendi një tjetër përdorues me më shumë se 10 mijë ndjekës. Në një komunikim, e përmendura i kishte reaguar. “Unë mezi të njoh dhe ti më ke përmendur në një fotografi me armë. Është e frikshme”, kishte shkruar ajo.
Shkolla në Uvalde ka shpenzuar mijëra dollarë në një softuer që përdor teknologjinë për t’i monitoruar kërcënimet e mundshme në zonë. Mirëpo, vrasësi nuk ka bërë kërcënime direkte në postimet e tij dhe ligjërisht i lejohej të posedonte armë në Teksas.
Historiku i vrasjeve në masë
Sulmi në shkollën fillore në qytetin Uvalde i banuar në masë të madhe nga latino-amerikanë, është sulmi më vdekjeprurës në një shkollë në SHBA në dekadën e fundit.
Në fund të viteve ‘90 pati një valë të shtënash nëpër shkolla në SHBA, duke përfshirë një sulm të madh në Jonesboro të Arkansasit. Në mars të vitit 1998, dy djem të armatosur rëndë qëlluan mbi një turmë nxënësish afër gjimnazit, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur 10 të tjerë. Por edhe më keq kishte ndodhur në vitin 1999, në një masakër në shkollën e mesme Columbine të Kolorados. Dy nxënës vranë 12 bashkëmoshatarë të tyre dhe një mësues, si dhe plagosën shumë të tjerë përpara se të vrisnin veten.
Dy javë para Krishtlindjes në vitin 2012, në Newtown Connecticut, një person i armatosur goditi sërish. Ai vrau 20 fëmijë dhe 6 të rritur në shkollën fillore “Sandy Hook”.