Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum e ka demantuar pretendimin e presidentit të sapozgjedhur Donald Trump se të dy kanë arritur një marrëveshje për të ndaluar migrimin në kufirin e SHBA-së.
Pas një telefonate të mërkurën, Trumpi ka shkruar në internet se “ajo ka rënë dakord të ndalojë migrimin përmes Meksikës dhe në Shtetet e Bashkuara, duke mbyllur efektivisht kufirin tonë jugor”, raporton BBC.
Sheinbaum është përgjigjur shpejt duke thënë se ajo kishte përsëritur qëndrimin se Meksika nuk ishte për mbylljen e kufijve, por trajtimin e migracionit duke respektuar të drejtat e njeriut.
Të hënën, Trumpi alarmoi partnerët tregtarë të SHBA-së duke u zotuar se me marrjen e detyrës në janar do të nënshkruante një urdhër ekzekutiv për të vendosur një tarifë të përgjithshme prej 25% për produktet që vijnë nga Meksika dhe Kanadaja dhe një tarifë prej 10% për Kinën.
Ai ka thënë se masa do të hiqej vetëm nëse Meksika dhe Kanadaja ta ndalin imigrimin e paligjshëm dhe trafikun e drogës në SHBA.
Sa i përket Kinës, Trumpi ka thënë se ajo do t'i nënshtrohet tarifave derisa të godasë kontrabandën e drogës fentanyl.
Sheinbaum është zotuar se do të hakmerrej nëse SHBA-ja do të shkaktonte një luftë tregtare.
Ndërkohë, kryeministri kanadez Justin Trudeau mbajti një takim urgjent të mërkurën me 10 kryeministra provincialë për të diskutuar se si t'i përgjigjen kërcënimit tarifor të Trumpit.